Kryeministri Edi Rama është duke pushuar në dhërmi.
Me këtë rast ai ka komentuar dhe debatin për “zbrazjen” e plazheve.
“Përshëndetje. Ca ditë pushim, si gjithnjë prej 10 vitesh, këtu në Dhërmiun magjik.
Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri, vetëm nga kufiri ‘Nënë Tereza’ dhe në pikën kufitare të Morinit dhe m’u duke udhës t’i ndaj me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se sa vjet.
Madje, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Fatmirësisht, për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë ‘u zbraz’ Shqipëria. Për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i parë në këtë rajon”, shprehet Rama.
“Edhe shifrat e hyrjeve në Morinë, që i tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës ku mund të lexohet cdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë makina më shumë se vjet, ndërsa në korrik, 3 mijë më shumë se vjet.
Pra edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur në këtë sezon se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë është një zero më xhufka”, tha Rama.
Kryeministri i konsideroi të gjithë kritikët që mendojnë se në Shqipëri nuk ka turiste si një sy i keq.
“Tamam si ato hudhrat që e mbrojnë vendin nga syri i keq”, u shpreh Rama, i cili theksoi se po mbajnë shënime nga ky sezon, për të nxjerrë mësime.