Ndonëse u trumbetua se Spitali Memorial i Fierit do të ishte një ndihmë e madhe për mjekësinë shqiptare, në fakt ka përfunduar në një hotel luksi për personelin turk. Erdogan e ndihmoi Ramën në prag fushate, por duket se kostot tani i paguajnë shqiptarët.
KLSH ka zhvilluar një auditim në Spitalin e Fierit për periudhën 2021-2023 dhe ka zbuluar pa fund shkelje. Ne sot po ndalemi te ato që kanë të bëjnë me personelin turk.
Në vija të përgjithshme, KLSH konstaton se ata paguhen shumë më tepër se personeli shqiptar, duke krijuar dallime të mëdha. Po ashtu ata rrinë në hotel, ku pagesën e bën qeveria shqiptare. Gjithashtu u është siguruar ushqim, larje, hekurosje, pastrim dhe gjithçka tjetër. KLSH ka gjetur shumë problematika te këto benefite që u ofrohen, pasi janë marrë vendime në shkelje të ligjit.
Po ashtu u janë dhënë makina të marra me qira, për të bërë transportin e tyre nga aeroporti “Nënë Tereza”, në Fier. Madje në një rast ata kanë marrë një fuoristradë luksoze, që sipas KLSH është e papranueshme. Po ashtu ka abuzime me karburantin e shpenzuar prej tyre. Me pak fjalë, personeli turk këtu bën jetë luksi, pasi sa i takon shëndetësisë, KLSH konstaton se pjesa dërrmuese janë të palicensuar.
Disa nga gjetjet e KLSH
-Grupi i auditimit konstaton se për periudhën maj-shtator 2021, rezulton se midis SRMF dhe stafit turk nuk janë lidhur kontrata punësimi. Kontratat me stafin turk janë lidhur në tetor të vitit 2021. Nga grupi i auditimit konstatohet se kontratat e lidhura midis SRMF dhe stafit turk kanë pasur ndryshime në krahasim me kontratat e lidhura midis SRMF dhe stafit shqiptar, pavarësisht se në vendimin e Bordit nr. 5, datë 21.09.2021 është vendosur se kontrata Tip për të dy stafet do të ishte e njëjtë. Me vendimin e Bordit Drejtues nr. 4, datë 15.03.2022 “Miratimi i kontratës Tip për personelin turk”, kontrata Tip e personelit turk ndryshon nga kontrata Tip e personelit shqiptar, duke miratuar kontratën faktike e cila është përdorur për stafin turk nga krijimi i SRMF deri në mars 2022.
-Referuar pikës 2 të vendimit të Bordit “Kontrata Individuale e Punës, kontratë tip për personelin shqiptar dhe turk e miratuar me vendimin e Bordit Drejtues nr. 5, datë 21.09.2021 të zbatohet vetën për personelin shqiptar” rezulton se ndryshimet konsistojnë në 6 nene të cilat nuk janë pjesë e kontratave individuale të personelit turk, konkretisht: Neni 4 “Koha e punës”, Neni 5 “Detyrimet e punëmarrësit”, Neni 6 “Detyrimet e përgjithshme të punëdhënësit”, Neni 10 “Mungesa për shkak të sëmundjes”, Neni 11 “Dëmet”, dhe Neni 12 “Masat disiplinore”. Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme bien në kundërshtim me VKM nr. 58, datë 17.03.2021 “Për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e Spitalit Rajonal Memorial në Fier si projekt pilot”, neni 20, Kodin e Punës (ndryshuar me ligjin nr. 136/2015, datë 5.12.2015), neni 3/1, pika 2 (Më hollësisht trajtuar në pikën 3, faqe 41-51, të Raportit Përfundimtar të Auditimit).
-Gjatë periudhës maj 2021-dhjetor 2023, SRMF ka punësuar në total 83 mjek turq. Nga grupi i auditimit konstatohet se janë licencuar vetëm 8 mjekë turq (afërsisht 10%) me “Urdhrin e mjekut” duke derdhur detyrimin financiar, prej 300,800 lekë. Për periudhën Maj 2021-Dhjetor 2023, janë punësuar 250 punonjës turq në profesionin “Infermierë”, të cilët nuk janë licencuar nga urdhri i Infermierit në RSH. -Bazuar në legjislacionin shqiptar çdo shtetas i huaj i cili ushtron profesionin e mjekut dhe infermierit në Republikën e Shqipërisë duhet të licencohet nga Urdhri i Mjekëve dhe Urdhri i Infermierëve. Mjekët dhe infermierët turq nuk janë të licencuar në shtetin e tyre, pasi në shtetin turk nuk njihet procedura e licencimit të stafit mjekësor. Pjesë e Protokollit të hartuar mes palës shqiptare dhe asaj turke është detyrimi i palës shqiptare të bashkëpunojë me urdhrat përkatës për lëshimin e lejeve të ushtrimit të profesionit për të gjithë profesionistët mjekësor turq.
-Nga auditimi i kryer për shpenzimet e karburantit për vitet 2021-2023, u konstatuan mangësi në evidentimin e lëvizjeve të tyre, si në dokumentet autorizues edhe në dokumentet justifikues, nuk janë nënshkruar nga personat përgjegjës dhe drejtuesit e mjeteve fletë udhëtimet, urdhrat e punës, etj. Evidentohen sipas normativave të konsumit dhe distancave/km të përshkruar tejkalime të pa justifikuara në sasinë e karburantit për 10 599 litra si edhe 1700 litra diferencë e konsumit të karburantit për makinat e marra me qira të cilat janë deklaruar si të reja por në fakt janë të përdorura dhe normativa faktike është më e lartë, si rrjedhojë është shkaktuar dëm ekonomik për SRMF në shumën 2,123,085 lekë, në kundërshtim me nenin 2, 20, të ligjit 10296, datë 08.07.2010 “Për kontrollin dhe menaxhimin financiar”, pikat 35, 36, 42, 43, 45, 46 të Udhëzimit nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik” i ndryshuar (Më hollësisht trajtuar në pikën 2, faqe 18-41, të Raportit Përfundimtar të Auditimit).
-Spitali Rajonal “Memorial” Fier ka kryer pagesë për personelin turk në vlerën 1,000 lekë/dita për shërbim ushqimi, në kundërshtim me pika 3, neni 4, i VKM nr.58, datë 26.01.2022 “Për miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshilli të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkët të Spitalit Rajonal “Memorial” në Fier, gjatë fazës kalimtare”. Ky trajtim financiar nuk i përket kategorisë së punonjësve të shtetasve të huaj të punësuar në institucione shqiptare në kundërshtim me VKM nr.870 datë 14.12.2011 “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit. Me një total prej 9,310,000 lekë për periudhën 01.05.2022- 31.12.2022 e cila përbën efekt negativ për SRMF (Më hollësisht trajtuar në pikën 5, faqe 61- 90, të Raportit Përfundimtar të Auditimit).
-Gjatë vitit 2021 nevojat për karburant dhe lëndë djegëse për vënien në punë të kaldajës dhe të automjeteve janë realizuar me huamarrje nga spitalet e Gjirokastrës, Shkodrës, Fierit, QSUT për sasinë 23,988 litra gjithësej për automjetet dhe 15,978 litra për kaldajën dhe në shumën 7,125,048.5 leke, nga të cilat 4,280,381 lekë për automjetet dhe 2,844,667.5 lekë për kaldajën dhe gjeneratorin me anë të akt marrëveshjeve përkatëse. Gjatë periudhës audituese u konstatua se qiramarrja për 4 automjetet me targa AA825DJ, AB586BB, AA279VG, AA118MN nga operatori ekonomik “C” SHPK, dorëzimi është bërë sipas procesverbalit datë 18.06.2021 ku konfirmohet se automjetet janë të rinj dhe nuk janë plotësuar treguesit e kërkuar për harxhimin e karburantit për km të cilat janë prezent në momentin e dorëzimit. Përdorimi i automjeteve të përdorura ka sjellë konsum më të lart të karburantit në total një diferencë prej 2768 litra. Në dokumentecionin vërtetues dhe autorizues për konsumin e karburantit ka parregullsi: mungojnë autorizimet apo urdhrat për lëvizjet e automjeteve të cilat do të transportojnë stafin mjekësor turk nga aeroporti Rinasit-Hotel -SRMF, Hotel- SRMF-hotel, konsumi i karburantit të pajustifikuar për periudhën 27.05.2021 deri më 18.06.2021 kur automjetet janë marrë në dorëzim më datën 18.06.2021 dhe nuk janë nënshkruar fletë udhëtimet nga asnjë prej drejtuesve të automjeteve
-Pagesat e punonjësve turq dhe atyre shqiptar kryhen referuar VKM nr. 555, datë 11.08.2021, i ndryshuar. Referuar lidhjes 10 të VKM, është përcaktuar shpërblimi i punonjësve të caktuar nga pala turke në SRMF si personel mjek si edhe në pozicionet “Menaxher spitalor në spitalet universitare e rajonale”, ku rezulton se pagat bruto të stafit shqiptar janë në nivelet nga 77,800 –168,000 lekë, kurse pagat bruto të stafit turk (duke përfshirë bonusin i cili është në varësi të pozicioneve 205,000-300,000 lekë) janë në nivelin 282,800-468,000 lekë. Konstatohen diferenca në paga krahasuar me stafin shqiptar për të njëjtat pozicione pune. Ky diferencim dhe sjellje preferenciale, mund të sjellë pakënaqësi të shoqëruar me ulje të performancës në punë dhe shërbimin ndaj pacientëve të palës shqiptare.
-Në hartimin e nevojave të Autoritetit Kontraktor në këtë rast Spitali Rajonal “Memorial” Fier, bazuar në fushën e veprimtarisë së tij dhe këkesës me nr.1780 prot., datë 30.12.2022 për “Qiramarrje automjetesh” të nëndrejtorit të përgjitshëm ka lindur nevoja për kryerjen e procecdurës së prokurimit. Në kërkesën për zhvillimin e procedurës së prokurimit, automjetet e kërkuara kanë qenë një autoveturë 4+1vende, një autoveturë foristradë dhe një autobuz/furgon 17+1 vënde për transportin e stafit turk, bazur në vendimin nr.58 datë 26.01.2022 “Për miratimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkës të Spitalit Rajonal “Memorial” Fier, gjatë fazës kalimtare”, pika B : “Të drejtat dhe detyrimet e palës shqiptare janë: Të mbulojë shpenzimet e brendshme të pagave, akomodimit dhe transportit të personelit që do të emërohen në këtë projekt nga pala turke”. -Nevoja për autoveturën foristradë është e paargumentuar. Duke pasur në vëmendje intinerarin e stafit turk nga aeroporti drejt spitalit dhe nga hoteli përsëri drejt spitalit, konstatohet se nuk ka asnjë argumentim ligjor dhe teknik për nevojën e një foristrade.
-Grupi i punës i ngritur me nr.41 datë 08.04.2022 ka hartuar specifikimet teknike. Gjatë auditimit konstatohet se, për këtë procedurë është kërkuar se OE fitues i cili do të kryejë shërbimin e akomodimit të personelit turk, duhet të mbulojë fjetjen në dhoma standarte teke ose dyshe, akomodimi në hotel do të jetë maksimumi për 38 (tridhjetë e tetë) persona në natë. Koha e qëndrimit do të jetë 12 muaj si dhe OE fitues duhet të ketë të përfshirë mëngjesin.
-Në Dokumentet standarde të tenderit janë përcaktuar kriteret e vecanta nga njësia e prokurimit ku është kërkuar që OE fitues të ketë të punësuar 5 të punësuar nga të cilët pastrues, kuzhinier, mirëmbajtjës ose ekuivalent. Autoriteti Kontraktor ka kërkuar që OE të ketë punësuar një punonjës “përkthyes” të gjuhës turke, për të cilin të paraqitet kontratë punë dhe OE fitues të marrë përsipër që në raste emergjence shëndetësore të ekipit turk të vëjë në dispozicion një automjet 4+1 për transportin e personelit mjekësor nga hoteli drejt spitalit. Konstatohet se për asnjë prej kritereve të vecanta nuk janë argumentuar ligjërisht dhe teknikisht, kjo në kundërshtim me VKM nr.285, datë 19.05.2021, ndryshuar neni 2 “Dokumentimi i Procesit” Konkretisht: Për çdo procedurë prokurimi, autoriteti/enti kontraktor duhet të dokumentojë të paktën: c) argumentimin e kritereve për kualifikim dhe specifikimet teknike të përcaktuara në procedurën e prokurimit.., dhe neni 78 pika 2 e VKM nr.285 datë 19.05.2021 e ndryshuar. Në cdo rast, hartimi i tyre duhet të argumentohet ligjërisht dhe teknikisht, si dhe të dokumentohet në një procesverbal të mbajtur nga personat përgjegjës, procesverbal i cili nuk është mbajtur nga njësia përgjegjëse për këtë procedurë prokurimi.
-Spitali Rajonal “Memorial” Fier është një institucion i cili ka filluar akitvitetin spitalor në maj të vitit 2021. Personeli turk në kuadër të marrjes së masave për ushtrimin e veprimtarisë funksionale të ofrimit të shërbimit spitalor, ka kërkuar të plotësohen kushtet për akomodimin, ushqimin dhe pastrimin, larjen, hekurosjen për personelin turk. Pas kërkesës drejtuar titullares së SRMF, me urdhër nr.10/2 prot., datë 20.05.2021 është ngritur grupi i punës për marrjen e ofertave për akomodimin e stafit Turk. Pas administrimit të ofertave të marra nga komisioni, është miratuar oferta më e ulët. Oferta fituese ka qënë e OE “M B H” me 6,100 lekë për akomodim në natë, shërbimi i ushqimit për 3 vakte ka qenë 2,500 lekë dita dhe 650 lekë dita për shërbimin e pastrimit, larjes dhe hekurosjes. Kontrata e shërbimit mes Spitalit Rajonal Memorial Fier dhe “MB H” Fier me nr.10/14 është lidhur me datë 24.05.2021 e vlefshme deri më datë 31.12.2021. Kjo kontratë shërbimi është shtyrë me aneks kontrate nr.10/18 prot., datë 05.01.2022 pas afatit të përfundimit deri në datën e nënshkrimit të kontratës së re për këtë shërbim.
-VKM nr.58, datë 26.01.2022 “Për miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshilli të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkët të Spitalit Rajonal “Memorial” në Fier, gjatë fazës kalimtare”, në nenin 4, pika b) Të drejtat dhe Detyrimet e Palës Shqiptare janë: “….Të mbulojë shpenzimet e brendshme të pagave, akomodimit dhe transportit të personelit që do të emërohen në këtë projekt nga Pala Turke…..”
-Stafi i SRMF me një memo drejtuar titullares së institucionit shprehet se kanë detyrimin të mbulojnë shpenzimet financiare për akomodim (banim të përkohshëm dhe vaktet e ushqimit) për personelin turk. Në VKM 58/2022 nuk përcaktohen rregulla për mënyrën e mbulimit të këtyre shpenzimeve të ushqimit, por vetëm të akomodimit dhe transportit