10.5 C
Tirana
E hënë, 6 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Frika nga SPAK, zyrtarët hezitojnë të firmosin tenderat?!

    Në vitin 2024 janë programuar të investohen 135 miliardë lekë (1,3 miliardë euro) niveli më i lartë historik që nga viti 1990, por në dy muajt e parë të këtij viti janë disbursuar vetëm 0,9 miliard lekë (8,8 milionë euro) që përbëjnë vetëm 0.6% të buxhetit vjetor.

    Juristët në entet publike pohuan se arrestimet e fundit të SPAK në nivelet e larta drejtuese e kanë rritur frikën te zyrtarët aktualë, të cilët nuk po firmosin aq lehtë sa më parë.

    Të dhëna ditore nga thesari tregojnë se pagesat kryesore janë për paga, pensione dhe pushtetin vendor, ndërsa pagesat më të mëdha janë bërë deri më tani ndaj tunelit të Llogorasë dhe investimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore.

    Por ndërkohë tenderat me vlera mesatare dhe më të vogla, të cilat duket se janë edhe më të manipulueshme, nuk po zhvillohen. Ndër vite është krijuar një grup i ngushtë kompanish që marrin tenderat në sektorë të caktuar të administratës.

    Mirëpo hedhja e firmës është bërë më e vështirë, duke lënë shumë sektorë publikë në vështirësi funksionimi.

    Në raportin vjetor për vitin 2023, SPAK evidentoi se korrupsioni në administratën publike është mjaft i përhapur në prokurime dhe koncesione PPP.

    Skema e pastrimit të parave të korrupsionit, sipas raportit të SPAK, është mjaft komplekse, pasi në rastin e shkeljes së barazisë së tenderave publikë, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publikë për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale.

    Sipas SPAK, funksionari publik fillimisht bie dakord me personat juridikë të ndryshëm, të cilët do të përfshihen në skemë për të realizuar anën formale dhe për të përfituar fondet publike në kundërshtim me ligjin.

    Më pas, këto fonde kalojnë në formë pagesash te shoqëritë tregtare, të cilat kanë lidhje me funksionarin e lartë publik dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive.

    Këto fonde, nga llogaritë e kompanive, më pas transferohen në llogari të tjera brenda dhe jashtë vendit, duke u investuar në pasuri të tundshme, ose të patundshme.

    Tendenca është që, paraqitja e skemës së pastrimit të parave të organizohet e atillë që, shumësia e veprimeve ligjore dhe transaksioneve financiare që kryejnë personat juridikë përfitues të këtyre fondeve, të duken si veprime të ligjshme.

    Këto veprime financiare copëzohen në dhjetëra transaksione në formë kryerjesh pagesash te kompanitë, të cilat nënkontraktohen për të kryer punime të ndryshme sipas specialitetit të tyre.

    “Në fakt, në disa raste, kompanitë e nënkontraktuara janë pjesë e së njëjtës skemë dhe kontrollohen nga të njëjtët individë, që kanë organizuar këtë skemë korruptive. Kompanitë nënkontraktuese themelohen dhe drejtohen nga persona, që janë të afërm ose persona të besuar të atyre që i drejtojnë këto skema korruptive”, njoftoi SPAK.

    Pasi fondet kalojnë në kompanitë nënkontraktore, ato transferohen jashtë vendit ose investohen në pasuri të tjera nën emra fiktivë, por, të cilat shfrytëzohen nga zyrtarët e korruptuar, ose të afërm të tyre.

    Kryesisht, si ndërmjetës është një funksionar tjetër publik, i cili ka të dhëna mbi kriteret e fondit publik të çelur.

    Ky i fundit ndërmjetëson me personin juridik fitues të tenderit publik. Të gjithë personat e përfshirë si ndërmjetës veprojnë së pari, për të mbuluar natyrën e vërtetë të veprimit të paligjshëm, dhe së dyti, për përftim material, por dhe përfitim në formë dhënie aksesi të paligjshëm në fonde të tjera publike.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit