18.5 C
Tirana
E premte, 17 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Grekët janë tërbuar me Ramën, nuk duan ta lejojnë të vizitojë Greqinë

    Gazeta greke Kathimerini ka shkruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori përgjigje negative në kërkesën e tij për të vizituar Greqinë nëpërmjet zëdhënësit të tij, Endri Fuga, por ai sërish ka këmbëngulur ta zhvillojë vizitën e tij siç e kishte planifikuar.

    Bëhet fjalë një takim me emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi.

    Sipas autorëve Vassilis Nedos dhe Stavros Tzimas, autoritetet greke kanë anulluar lejen e dhënë më parë për mbajtjen e takimit në Hollin Olimpik “Galatsi” për shkak të aktiviteteve të tjera.

    Më pas, Ministria e Jashtme greke ka informuar ndihmësin e kryeministrit shqiptar, Endri Fuga, që ndodhet në Athinë, se vizita është mirë të shtyhet pas 9 qershorit, meqenëse Greqia është aktualisht në zgjedhjet europiane.

    Nga sa shkruan Kathimerini, grekët duket se nuk e gëlltisin dot burgosjen e Fredi Belerit, për me tepër që vizita po bëhet gjatë fushatës së zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Që Rama është i padëshiruar, ia kanë bërë të qartë duke ia ndryshuar vendin e takimit.

    “Vlen të theksohet se fillimisht tubimi ishte planifikuar të mbahej në stadiumin e mbyllur të Galatsit, por së fundmi Bashkia hoqi lejen që kishte dhënë fillimisht, për shkak të aktiviteteve të tjera që janë planifikuar. Ndaj, mbetet për t’u parë nëse dhe ku do të zhvendoset për zotin Rama ngjarja e emigrantëve shqiptarë” shkruan Kathimerini.

    Pala greke ende nuk ka një protokoll. Sipas Kathimerini, Ministria e Jashtme është informuar për vizitën e Ramës, por ka refuzuar përgatitjet për një pritje të kryeministrit shqiptar.

    “Z. Rama njoftoi jozyrtarisht synimin e tij për të vizituar Athinën nëpërmjet të besuarit të tij Endri Fuga, i cili ishte në Greqi disa ditë më parë. Ministria e Jashtme i bëri me dije të besuarit të zotit Rama se nisur nga faza parazgjedhore që po kalon Greqia për shkak të zgjedhjeve europiane, do të ishte e preferueshme të shtyhej për pas datës 9 qershor. Që atëherë, ftesa e Athinës është shpërfillur dhe kryeministri shqiptar thuhet se është i vendosur për të realizuar vizitën” vazhdon Kathimerini.

    Kuptohet se në sfond të vizitës është ajo që ndodhi në fushatën e 14 majit në Shqipëri, kur kandidati i mbështetur nga Greqia në Himarë, Fredi Beleri u burgos dy ditë para votimit për blerje votash. Media greke thotë se me fjalët e tij, Rama mund të nxisë më tej konfliktin e brendshëm politik dhe të ndikojë në votën e emigrantëve shqiptarë.

    “Nisur nga atmosfera e ngarkuar me ngjarje të Himarës, udhëtimi i Ramës mund të nxisë konfliktin e brendshëm politik, duke e ngritur lart çështjen Beleri në axhendën e debatit publik. Apo edhe të provokojë reagime nga elementi verior kontinental në Athinë, gjë që qeveria definitivisht nuk e dëshiron.

    Burime diplomatike në Tiranë dhe Athinë theksuan se vizita e planifikuar mund të ketë objektivisht elementin e shfaqjes së forcës, ku Rama tenton të instrumentalizojë votën në zgjedhjet europiane të dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë që kanë të drejtën ligjore për të votuar si shtetas grekë, në përgjigje të kandidaturës së Beleris. Megjithatë, një ngjarje e tillë, edhe nëse Rama i shmang referimet për zgjedhjet europiane, në çdo rast do të përbënte përfshirje indirekte në proces” shkruan Kathimerini.

    Në analizën e Kathimerini, shkruhet se Rama vjen në Athinë si fitues i betejës për Himarën, ndaj gazeta i druhet një lloj “ndjenje (arrogante)” që mund ta shoqërojë fjalën e tij në Athinë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit