Ditën e djeshme portali Lapsi i gazetarit Andi Bushati kishte publikuar një artikull ku kritikonte kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Sipas portalit “foto e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushit që ka lidhur në qafë shallin e kuq të pionierit dhe pozon i përqafuar me socialistët e Vlorës tregon se nën rrogozin e propagandës për një sistem të ri drejtësie të pavarur, socialistët fshihnin një qëllim tjetër: zëvendësimin e njerëzve të Berishës me njerëzit e Ramës.”
Për të mos mjaftuar kjo, portali i gazetarit Bushati ka vijuar me tej tjerrjen e shkrimit se kjo afërsi e Sokol Sadushit me disa eksponentë të Partisë Socialiste si deputetë apo të zgjedhur vendorë tregon se drejtësia është e kapur.
Por çfarë kë ndodhur në të vërtetë:
Dy ditë më parë në Bramyshnje të Tërbaçit u kujtua 80-vjetori i krijimit të Brigadës së V Sulmuese, “Hero i Popullit” për të përkujtuar e nderuar njërin prej formacioneve më të shquara të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Komiteti i Veteranëve të rrethit, deputetë, drejtues të pushtetit vendor, pasardhës e familjarë të dëshmorëve vendosëm kurora me lule në nderim të partizanëve, heronjve e dëshmorëve të kësaj brigade.
Sokol Sadushi është i biri i Maliq Sadushit, njërit prej partizanëve të kësaj Brigade dhe në nderim të kujtimit të të atit dhe të gjithë atyre të rinjve që dhanë jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i pranishëm në Tërbac.
Por ai nuk nderoi vetëm ata, por nderoi dhe zotin Bushati dhe gjyshin e tij që ka qenë Komisari pikërisht kësaj Brigade.
Kujtojmë për ata që nuk e dinë se gazetari Bushati është nipi i Hysni Kapos, i cili në periudhën nga 1941 deri më 1943 ka qenë sekretar politik i Komitetit Qarkor për Vlorën dhe më pas komisar i Brigadës së 5 të e zv/komisar politik i shtabit tw Zonës së Parë Operative në vitet 1943 1944.
Jemi të bindur se shkrimi nuk është në stilin e Bushatit, por ndonjë kalemxhi në redaksi që e ka bërë duhet t’ia ketë marrë miratimin botuesit të portalit.
Siç theksuam më lart ky shënim nuk është për të mbrojtur zotin Sadushi, për të cilin puna e tij në sistemin e drejtësisë meriton një analizë të thelluar, por për të treguar se si një ngjarje përkujtimore përdhoset për shkak të debatit të ditës në bulevardin e Tiranës.



