24.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Korrupsioni bllokon fondet e BE-së për bujqësinë

    Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

    Skandali ka të bëhë me fondet që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin bujqësor e rural të Shqipërisë përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPARD II), dhe nisi pasi disa nga qytetarët shqiptarë që aplikuan për fonde, denoncuan zyrën shqiptare për praktika korruptive.

    Sipas njoftimit për shtyp të OLAF, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit te kompani konsulence “të parapërzgjedhura” të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë Shqiptare për Zhvillim Rural (ARDA), e cila shpërndante fondet.

    “Pas një serie hapash hetimore, përfshirë kërkime forensike digjitale të dokumenteve të lidhura me përfituesit e IPARD II, ARDA dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve,” thuhet në njoftim.

    Mes parregullsive të identifikuara ishte “kërkesa që u bëhej aplikuesve për të paguar një pjesë domethënëse të grantit te një kompani vendëse konsulence” si dhe “kontrata të dhëna pa garë ose me garë të falsifikuar” apo “çmime të inflacionuara dhe shkelje të kontratave”.

    OLAF i ka rekomanduar Komisionit Evropian që të shpallë thirrjet një dhe dy të programit IPARD II si të pavlefshme. Totali i fondeve të këtyre thirrjeve arrijnë në 33 milionë euro.

    OLAF rekomandon gjithashtu që BE të ndalojë programin IPARD III me vlerë 112 milionë euro “deri sa të merren masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale”.

    OLAF shton se një kopje e gjetjeve është dërguar te autoritetet shqiptare për shkak të “aktiviteteve të mundshme kriminale” të zbuluara gjatë hetimit.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit