Home Lajmet e ditës Kur debati televiziv kthehet në sherr – Ka Lutfi e Tik Lapaj,...

Kur debati televiziv kthehet në sherr – Ka Lutfi e Tik Lapaj, po ka dhe Baton e Gaz Bardhi

0
138

Emisioni i djeshëm Opinion i ishte dedikuar denoncimit të Gazment Bardhit këtë të enjte ndaj Olsi Ramës për laboratorin e drogës në Xibrakë. Gjatë diskutimeve ka pasur debate me tone të forta ndaj Bardhit dhe analistit Baton Haxhiu, të dy të ftuar në studio.

Haxhiu ka akuzuar Bardhin se nuk ka moral dhe duhet të largohet nga politika. Bardhi i është kundërpërgjigjur analistit duke u shprehur se Haxhiu është “avokat pa pagesë” i çdo afere dhe krimineli të kryeministrit Edi Rama.

Baton Haxhiu: Posaçërisht me ty e kam për arsye se unë në këtë emision kam ardhur për të debatuar politikisht e jo me çështjet e shoë-t prokurorial në studio. Ka pasur konferencë për shtyp, i ka pasur minutat e veta dhe jo unë të dëgjoj një rrëfim kriminalistik filmi të një personazhi politik.

Gazment Bardhi: Dokumenta mo Baton, ku e pe filmin ti.

Baton Haxhiu: Kam problemin me moralin e dy personave, ai i cili ka shkruar dhe ky që është në studio. E para si mund të funksionojnë dy njerëz etikisht…

Gazment Bardhi: Siç funksionon ti me Edi Ramën.

Baton Haxhiu: A bën me u ndal ndonjë herë?

Gazment Bardhi: Tani për moralin e Sali Berishës kemi ardhur këtu ne? Jo o Fevzi se më ke ftuar për Olsi Ramën tani.

Blendi Fevziu: Ai ka të drejtën e fjalës së vet.

Gazment Bardhi: Jo, nuk e devijon dot emisionin me fjalën e vet. A kemi një temë ne? Ai mund të flasë për hënën, unë nuk kam ardhur të dëgjoj përrallat e Batonit për hënën.

Blendi Fevziu: Baton vazhdo.

Gazment Bardhi: Kjo është të ftosh në studio të flasësh për Sali Berishën.

Baton Haxhiu: Me ty do merrem.

Gazment Bardhi: Do merremi me Olsin.

Baton Haxhiu: Problemin e kam me moralin politik tëndin.

Gazment Bardhi: Nuk kam asnjë problem. Për sot kemi ardhur për Olsin. Jo për pasionet e Olsit, por për përfshirjen e Olsit në trafik droge.

Baton Haxhiu: Kam problem me etikën e paraqitjes.

Gazment Bardhi: Ku ka mungesë më etike sesa të vijmë të flasim për dokumente shtetërore të përfshirjes së vëllait të kryeministrit në trafik droge dhe ti të flasësh për Sali Berishën? Pra vazhdon akoma me teorinë “fajin e ka Sali Berisha”.

Baton Haxhiu: Po flet për të pavërtetën.

Gazment Bardhi: Cila është e pavërteta?

Baton Haxhiu: Duke më thënë që ti ke mbrojtur kriminelët dhe ti ke folur për personin e Shkodrës. Nëse unë kam folur ndonjëherë unë nuk vij në studio, por nëse jo ky duhet ta lëshojë politikën.

Gazment Bardhi: Ti je avokati më i zellshëm i kriminelëve të Edi Ramës. Të mos bëjmë teatër, ti je dëshmitar, është avokati i të gjithë kriminelëve të Edi Ramës të prekur nga ligji i dekriminalizimit, avokati i çdo afere korruptive të Edi Ramës nga njëra studio në studio në 10 vite dhe është padiskutim mbrojtësi i çdo zullumi të Edi Ramës, ky është fakt i pamohueshëm.

Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër, i pamoralshëm.

Gazment Bardhi: Më thuaj një aferë të Edi Ramës ku nuk ke luajtur rolin e avokatit pa pagesë.

Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër. Nuk kam pasur fjalën i poshtër.

Blendi Fevziu: S’e ke përdorur kurrë?

Baton Haxhiu: Kurrë asnjëherë.

Blendi Fevziu: Fjalën i poshtër nuk e ka thënë asnjëherë tha, e tha për ty.

Gazment Bardhi: E vërteta dhemb o Fevzi. Sidomos kur bëhen gati miqtë edhe shokët që i njeh pasionet të shkojnë në burg.

Baton Haxhiu: Besimi i publikut duhet me referencë. Cila është referenca e këtij njeriu? Ky një vit më herët ka folur për ‘babën e Zenit’ i cili e mbron me një mesazh për emisionin. Paramendoje ‘baba i Zenit’ ka qenë togfjalëshi i këtij njeriu.

Gazment Bardhi: A e ndryshon kjo fatin e Olsi Ramës?

Baton Haxhiu: A e kujtoni këtë njeri nga Elbasani? A e di çfarë ka thënë? Ky njeri që është politikani i tashëm i udhëheqjes së partisë së rithemelimit, në Elbasan ka thënë do vdesin të gjithë sikur ky. Paramendoni moralin politik të këtij njeriu.

Gazment Bardhi: Kjo është një gënjeshtër, është një shpifje.

Baton Haxhiu: Më ço në gjykatë.

Gazment Bardhi: Do të të çoj unë në gjykatë. Sikundër do të shkosh në gjykatë për të mbrojtur Olsi Ramën dhe jo të vish në studio të bësh avokatin e Olsi Ramës.

Baton Haxhiu: Nëse ky njeri vërteton që Olsi Rama është fajtor do dal publikisht në përkrahje të këtij njeriu për të vërtetën e tij, po nuk e vërtetoi le të ikë nga politika për arsye se nuk ka moral politik që të qëndrojë. Njeriu që nuk ka etikë të prezencës duke gënjyer para sysh duke mos pasur memorie dhe del këtu për të përfaqësuar rithemelimin. Ik! Ik! Nuk mundet të flasë ky më. Nuk ka moral.

Gazment Bardhi: Nga nervozizmi i Batonit…

Baton Haxhiu: Nuk jam fare nervoz!

Gazment Bardhi: Nga fakti që portali i Batonit dhe çdo media e kontrolluar nga PS ky denoncim i sotëm nuk është pasqyruar tregon që kanë arsye për tu dridhur siç u drodh Batoni pa nxjerrë asnjë moment nga goja fjalën Olsi Rama.