Nga Malvina Tare
Isha në Gjermani në vitin 2016 kur për herë të parë pashë një familje me dy nëna, pra dy gra më fëmijë të birësuar, të cilat pasi u takuan shkujdesur në rrugë, i dhanë një puthje në buzë plot dashuri njëra-tjetrës. Edhe unë ashtu siç po mendoni, për momentin u shtanga, por duke e parë sërish më pas po atë marrëdhënie e kuptova se tashmë kjo ishte një ndjesi. Ndjesia e dashurisë, që gratë e kishin gjetur te njëra-tjetra.
Në Tiranë pati shumë reagime pas kurorëzimit të martesës mes Albës dhe Edlirës, të cilat nuk i njoh, por kam parë se kanë luftuar shumë për dashurinë e tyre. Kanë luftuar me veten, me familjet, me bindjet, dyshimet, kanë luftuar me ligjin dhe në fund edhe me Zotin.
Zoti ka krijuar femrën dhe mashkullin të aftë për t’u riprodhuar njësoj si gjithë gjitarët e tjerë, megjithëse njeriut i dha një tru më të zgjuar. Zoti foli për Adamin dhe Evën, si dy qenie të përkryera të gjithësisë që ai krijoi dhe e mendoi mashkullin po aq të përkryer sa edhe femrën pjesë të tij.
Edhe nëse i kthehemi realitetit femrat kërkojnë mashkulin ideal, të cilin shpesh pasi e gjejnë, ai iu transformohet në përbindëshin e jetës së tyre, në shkatërruesin më të madh të jetës, familjes, ndjenjës së tyre.
Fëmijë që rriten me prindër që urrehen, fëmijë që shohin babain që dhunon nënën e tyre, babai që nuk respekton nënën, nuk e vlerëson, madje e shantazhon me jetë, e kërcënon. Dhe në rastet “më të mira”, babai që braktis.
Nëse një çift gay është një çift i konsoliduar, i aftë për të dhuruar dashuri edhe nëse jo për të krijuar, por për t’u kujdesur për fëmijë. Për mua është një çift që prodhon një familje të shëndetshme dhe nuk ka asgjë të gabuar. Në ditët e sotme jemi shumë keq sa i takon dashurisë, urrejtja mbizotëron.
Po ç’është një familje pa dashuri?
Është një vatër ferri, që vërtet mund të riprodhojë fëmijë, por kurrë dashuri dhe kurrë njerëz të denjë të së ardhmes. Nëse një nënë është gati të shembë botën për fëmijën e saj, imagjinoni se ç’mund të bëjnë dy.
Jam dakord me babain dhe figurën shumë të nevojshme të të dy prindërve në familjen e bekuar nga Zoti, por kur ndjenja humbet dhe dashuria prodhon dhunë, nuk jemi më duke jetuar një bekim, por një mallkim.
Dhe sot duket se bota ka hequr dorë nga sakrifica për një marrëdhënie. Respekton veten, individin, ndjenjat, ndjesitë. Sot njerëzit janë lodhur së tërhequri pas vetes njerëz që nuk i duan.
Njerëzit duan të ndihen të dashur, të pranuar. E në mos nga bota, nga ai apo ajo që ndajnë çdo natë shtratin.
Dhe sa për fëmijët, ata nuk e njohin Zotin, por thërrasin baba e nënë atë që i rrit dhe i do deri në marrëzi.
Romuli, themeluesi i Romës u rrit nga një ulkonjë, e megjithsë një legjendë, e ka një të vërtetë brenda saj. Nëse një fëmije i dhuron ushqim, mbrojtje dhe kujdes, atëherë ti je vetë “krijuesi” në Tokë për ta.
Sa i lumtur mund të rritet një fëmijë me njerëz që nuk e duan as atë dhe as njëri-tjetrin?
Zoti ka për t’i kuptuar njerëzit!
Në emër të dashurisë, sepse dy nëna janë shumë më mirë, se një baba që dhunon!/