Nga Adriatik Doçi
Dikush duhet t’a këshillojë Elisën se roli i opozitares pas humbjes së postit nuk është i besueshëm ashtu si Don Kishoti nuk është shqiptar!
Po bëhet e modës. Sapo Edi Rama i shkarkon nga postet ku i ka vendosur me dorë e tij shpirtmadhe, nisin të bëjnë opozitarin/en, duke cicëruar për problemet e pushtetit dhe të partisë, madje me një tis serioziteti dhe intelektualizmi që vetëm sa ekspozojnë thellësinë e cektësisë së tyre.
Kështu, edhe zonja Elisa Spiropali, pas 13 vitesh nga posti në post si gjeli tra më tra u kujtua se partia e saj të ha kur flet, se është njësuar me shtetin, se institucioneve u ka dhënë fytyrë personale, se po largon njerëzit nga vendi, se partia ka fytyrën e Edi Ramës etj.
Po si ka mundësi që Elisa Spiropali ka heshtur si Laokonti përballë ligësive të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës për 13 vite me radhë dhe ngriti zërin vetëm pasi shefi i saj e shkarkoi si ministre të Jashtme?
Mos vallë i pa ligësitë vetëm pasi doli nga zemra e madhe e pushtetit të shefit?
Apo kur ishte në Botën e Çudirave qeveritare, Rama i dukej Skënderbe dhe pas largimit nga sofra e pushtetit, i duket sulltan?
Ndërkaq, Spiropali pretendon se pasi ajo ngriti zërin duke thënë të vërtetat e tërthorta për pushtetin e Edi Ramës, mediat nën influencën e Ramës kanë nisur të sulmojnë atë dhe familjarët e saj, të cilët janë në punën e tyre, me qëllim që ajo të heshtë. Me familjarë, Spiropali i referohet bashkëshortit Salarjon Totaj dhe vëllait Enkli Spiropali.
Evidencat tregojnë se familjarët e zonjës Spiropali, jo vetëm që nuk kanë qëndruar në punën e tyre siç thotë ajo, por kanë vjedhur paratë publike. Po, kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve. Bashkëshorti i Spiropalit, Salarjon Totaj, kur ishte drejtor i Ujësjellësit të Fierit, i ka dhënë tendera publikë vëllait të Spiropalit, Enkli Spiropali, përmes kompanisë Solomon Construction.
Dhe fakti që Spiropali ka përfituar para publike përmes bashkëshortit dhe vëllait nuk u publikua pasi Mamica nisi të hidhte vickla ndaj Skënderbut të saj, por ky fakt dhe të tjera evidenca kompromentuese janë ekspozuar edhe më parë, kur Mamica nuk shihte asnjë pikë të zezë në fytyrën e Skënderbeut.
Si përfundim, dikush duhet t’a këshillojë Elisën jo që të heshtë, madje le të nisë edhe një Foltore, por duhet t’a këshillojë se roli i opozitates pas humbjes së privilegjeve nuk është edhe aq i besueshëm ashtu siç edhe Don Kishoti nuk është shqiptar.



