Shqipëria po ecën me ritme më të ulëta sesa fqinjët në drejtim të konsolidimit fiskal, që nënkupton uljen e ngadaltë të borxhit publik në një të ardhme afatmesme.
Sipas raporti të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, në vitin 2023 vendi pritet të ketë një nivel të borxhit publik prej 73.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që vlerësohet se është më i larti në rajon, duke ia kaluar dhe Malit të Zi, që deri tani mbante rekordin.
Në vitin 2020, kur pandemia goditi botën, të gjitha vendet e rritën borxhin pblik, teksa qeveritë rritën shpenzimet për të kompensuar humbjet që sollën në ekonomi kufizimet e rrepta me qëllim frenimin e virusit.
Në rajon, nivelin më të lartë të borxhit e arriti Mali i Zi, në 105.3% të PBB-së, e ndjekur nga Shqipëria, në rreth 76% të PBB-së.
Ndonëse vendi ynë kishte borxhin e dytë më të lartë publik në rajon dhe rritje me rreth 10 pikë përqindje në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm, sërish ndihma për bizneset dhe individët në raport me madhësinë e ekonomisë, ishte më e ulëta në Europë, në rreth 1% të PBB-së, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar FMN).
Pas kalimit të fazës emergjente të shkaktuar nga Covid-19, të gjitha vendet po rendin drejt konsolidimit fiskal, që nënkupton frenimin e shpenzimeve jo të domosdoshme dhe përmirësimin e rendimentit të të ardhurave.
Mali i Zi parashikon që të ulët borxhin publik në vitin 2023, në 71.7% të PBB-së, duke e reduktuar me ritme më të shpejta sesa Shqipëria. Shtetet e tjera të rajonit ndërkohë janë në një pozicion më komod, pasi kanë borxhe më të ulëta, si Kosova 22% e PBB-së, Bosnjë Hercegovina 35%, Serbia 54% dhe Maqedonia e Veriut 58%, sipas pritshmërive për vitin 2023, publikuar nga Komisioni Europian.
FMN e ka këshilluar vazhdimisht qeverinë që të jetë e kujdesshme me shpenzimet dhe të përshpejtojnë procesin e konsolidimit fiskal. Sipas deklaratave t FMN-së, në periudhën afatshkurtër, politika fiskale duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen nëpërmjet masave të përkohshme dhe të mirëshënjestruara, që duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe përgjegjshmërisë.
Sipas Fondit, do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontingjencën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, përvese e ka konsideruar borxhin e ri të ekzagjeruar dhe kërkoi qeverisë të zbatojë një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat sa më shpejt.
Shqetësimi i institucioneve financiare ka qenë dhe borxhi i fshehur, që rrjedh si nga partneritetet publike private (PPP), detyrimet e të cilave regjistrohet vetëm për vitin korent ashtu dhe nga detyrimet e prapambetura dhe faturat e arbirtrazhit (humbjeve gjyqësore ndaj kompanive me të cila qeveria ka pasur konflikte.
Në vitin 2021, borxhi publik i vendit tonë theu rekordin historik në vitin 2021 duke arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, në 78.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Stoku në vlerë i borxhit arriti në 1,38 triliardë lekë me një rritje 1,5 miliardë lekë (1.3 miliardë euro) në raport me vitin e kaluar. Ky është zgjerimi vjetor më i lartë i ndërmarrë nga qeveritë shqiptare ndër vite.
Në fund të vitit 2021, çdo shqiptar kishte 3,850 euro “borxh” (treguesi i borxhit për frymë).