Zbardhet dëshmia e Azgan Mërnicës në polici pas vetëdorëzimit, 48 orë pasi ekzekutoi policin Novruz Cenalia.
“Mendova se po me shante dhe prandaj kam ndaluar të sqarohem dhe ka nisur sherri.
Në një moment dukej sikur do prekte armën, pata frikë, nxora pistoletën dhe e qëllova. Nuk jam bërë pishman për çfarë kam bërë”, mësohet të ketë thënë Mërnica, i cili u shfaq duke qeshur gjatë vetëdorëzimit.
Policisë i ka treguar se pas vrasjes është fshehur në pyll nëpër ferra. Ka qenë daja që ka luajtur rolin e negociatorit mes 23 vjeçarit dhe policisë për tu vetëdorëzuar.
Ai u vetëdorëzua mbrëmjen e së mërkurës në policinë e Fierit, pas ultimatumit që iu dha familjarëve nga RENEA, e cila e kishte lokalizuar në fshatin Dërmenas.
Efektivi Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës në fshatin Baltëz, pas një konflikti të çastit me Mërnicën. Një rrugë e ngushtë e fshatit solli fillimisht përplasjen e tyre me fjalë, e më pas i riu nxori pistoletën që kishte me vete duke e qëlluar në kokë policin 28-vjeçar.
Pas krimit Mërnica u arratis dhe dyshohet se qëndroi i fshehur për më shumë se 48 orë me ndihmën e familjarëve të tij. Megjithatë ishin këta të fundit që e dorëzuan në polici.
23-vjeçari përballet me akuzat; vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit dhe armëmbajtje pa leje.



