Dy ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi të heqë vulën dhe logon e Partisë Demokratike nga duart e Lulzim Bashës, nga grupi i tij parlamentar ka nisur edhe eksodi i deputetëve.
Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, e cila deri më sot ka qenë pjesë e grupit që drejtohej nga Basha, në një postim në rrjetin social Facebook bën me dije se do të vijojë të përfaqësojë qytetarët që e votuan, nën logon e demokratëve.
Reagimi në rrjetet sociale i deputetes Eralda Bano:
Të dashur qytetarë,
Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.
Demokratë të nderuar,
Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite!
Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve,simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.
Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve.
Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.



