13.5 C
Tirana
E martë, 11 Mars, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Pas arrestimit të Veliajt fshihet një strukturë…” – Çfarë ka dashur të thotë Edi Rama?

    Vendimi nr. 7 i të dielës së 9 shkurtit 2025, marrë nga gjyqtari Erjon Bani, doli në media vetëm 24 orë më pas, më 11 shkurt 2025. Vendimi u mor në një seancë maratonë në GJKKO, ku u burgos Erjon Veliaj. Prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan në seancën me dyer të mbyllura të burgosej Veliaj, pasi pretendimet për këtë masë sigurie i shoqëruan edhe me debat alla Big Brother me të izoluarin në kafazin e gjykatës, Erion Veliaj.

    Vendimi u mor pa praninë e sekretares gjyqësore, në Dhomë Këshillimi, por gjyqtari Erjon Bani, me një shpejtësi lavdëruese, e zbardhi atë brenda 16 orësh, ditën e hënë (10 shkurt), ndërsa të martën paradite (11 shkurt) vendimi, plot 365 faqe pa asnjë gabim drejtshkrimor, u lexua nga e gjithë media online, pasi “rodhi” vetëm në njërën prej tyre.

    Të gjithë mbetën të shokuar nga përmbajtja e vendimit, cilësia e hetimit dhe “kopsitja” e burgosjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj.

    SKANDAL I MADH!?

    Vendimi “Bani” mban 365 faqe të plota, ku tregohen hetime, shifra, prona, llogari, dëshmi për 5 vepra të rënda penale që dyshohet se i kanë kryer 8 persona, 6 prej tyre biznesmenë, tre prej të cilëve shumë të njohur, dhe dy janë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj me bashkëshorten e tij.

    Në dosjen publike tregohen rrethanat e çështjes, mbi të cilën prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani kanë ngritur dyshime të forta për “korrupsion” e “pastrim parash”, duke shpalosur një narrativë akuzuese, mbështetur në fjalë, shprehje, togfjalësha me theksime të nxira më shumë se me “bold”.

    Fabula e hetimit hodhi në publik një bombë të vërtetë korruptive, të hetuar nga dy hetuesit e BKH. Ata, së bashku me dy prokurorët, tregojnë në vendim për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të udhëhequr nga kryetari i Bashkisë dhe bashkëshortja e tij. Në qendër të kësaj vepre korrupsioni dhe pastrimi parash vendoset kryetari i Bashkisë, i cili ka shpërndarë fonde publike, të përfituara nga 6 biznesmenë: Gentjan Sula, Fatmir Bekteshi, Elman Abule, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha.

    Këta biznesmenë ndërtuan vepra publike me fondet e bashkisë, duke dhënë në favor të Veliajt “ryshfet” në forma të ndryshme që fillojnë nga udhëtimet jashtë shtetit deri te pasuritë imobiliare. Sipas hetuesve, mirënjohja e biznesmenëve shkonte në forma të ndryshme për te 8 kompanitë apo OJF-të e Ajola Xoxes, ose duke dhuruar në forma të kamufluara prona imobiliare te ajo, të afërmit e saj dhe ata të Erion Veliajt, ku përfshihen vëllai, bashkë me mamanë e tij.

    Vendimi “Bani” thekson me “bold”: “Kështu, provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ekspozojnë ekzistencën e një mekanizmi të mirëmenduar, krijuar dhe vënë në funksion nga shtetasit nën hetim, me qëllim përfitimin nga fondet publike dhe pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të paligjshme.”

    Por “bold”-i akuzues nxihet sterrë kur përmendet shifra e afro 1.1 milion eurove të gjeneruara me korrupsion (përveç pasurive imobiliare) nga çifti Erion Veliaj dhe Ajola Xoxe dhe kulmon qëllimin e tij me përmendjen e shifrës së shpenzuar vetëm për veshje të blera online: rreth 867 mijë euro nga Ajola Xoxe.

    Dy prokurorët e SPAK dhe gjyqtari “Bani” shokojnë publikun dhe veçanërisht gratë e vajzat e Shqipërisë, kur në vendim burgosjen e Veliajt e “bold”-ojnë:

    “Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetasja Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërm me të, për një periudhë kohore prej 6 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje personale, fustane, bluza, çanta, funde, pallto, produkte kozmetike, buzëkuq, vathë etj., në masën 86,721,175 lekë.”

    Sikur të ishte përgatitur me një dinakëri greke të lashtësisë, prekja e unit femëror do shembte për një çast “kështjellën” Veliaj të ngritur në 20 vjet. “Nuk mund të durohet”, menduan gratë e vajzat anembanë Shqipërisë online, në prag të 14 shkurtit, kur lexuan sa gjëra personale luksi ishin blerë nga Ajola Xoxa për mirëmbajtjen e saj: “Kjo zonjë s’ka asgjë më shumë se ne, që të shpenzojë kaq shumë… 400 euro në ditë për veten moj motër. Jo – kjo nuk shkon!”

    Aleanca e grave të “lënduara” kapi targetin e kërkuar; xhelozia triumfoi mbi ngjarjen, që nga më e varfra deri te më e kamura, burrat e grave dhe të vajzave po ndiheshin keq nga komentet e tyre, ndërkohë që debati publik u derdh me breshëri mbi temën “brekë”.

    Askush nuk i pa elementët e vendimit-bombë për të pyetur: “Ore, a ka ndonjë gjë që nuk shkon në 365 faqe vendim?”

    KRONO-VENDIMI

    Vendimi i gjyqtarit Erjon Bani, me shumë “bold”-ime, tregon të vërtetat e një hetimi që nuk mund të fshihet te nënvizimet, shifrat, referencat apo pohimet e të pyeturve me metodën e hetuesisë së vjetër, me emrin e ri BKH.

    Lapsusi me gjendjen gjyqësore të “të dënuarit” Erjon Veliaj është asgjë para skandalit në caktimin e gjyqtarit Erjon Bani, me procedurë. Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj ishte gjyqtare e çështjes “Veliaj” dhe jo Erjon Bani, sipas një grafiku gatishmërie në GJKKO.

    Në pjesën shpjeguese të faqes 5 të vendimit thuhet:

    “Gjatë periudhës së gatishmërisë më datë 23.01.2025-ora-09:00 në kuadër të procedimit nr. 27 të vitit 2024, është paraqitur kërkesa me Nr. 81, datë 23.01.2025, me Kërkues: Altin Kumara: Objekti: Vleftësimin e paligjshëm të veprimit hetimor të sekuestrimit të aparatit celular që i përket shtetasit Altin Kumara, si dhe kërkohet kthimi i këtij aparati telefoni celular. Ndodhur në këto kushte, duke qenë se mungon gjyqtare Atalanta Zeqiraj për arsye të marrjes së lejes së lindjes të gjitha kërkesat penale që lidhen me procedimin penal 27 të vitit 2024 gjykohen nga gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Bani, në respektim të nenit 278 pika 2 të K.Pr.Penale.”

    Ky justifikim ligjor i sforcuar tregon se gjyqtarja Atalanta Zeqiraj zëvendësohet nga Erjon Bani, pasi merr lejen e paralindjes më 20.1.2025. Erjon Bani, sipas një grafiku të përcaktuar për muajin janar, ishte gjyqtar i gatshëm nga data 20.1.2025 deri në datën 26.1.2025. Ky gjyqtar nuk do të merrej me çështjen nëse nuk do të dilte një element “fatlum” me emrin Altin Kumara. Ky i fundit kërkoi më 23.1.2025 “kthimin e telefonit të sekuestruar nga SPAK”.

    Meqenëse mungonte gjyqtarja Atalanta Zeqiraj dhe kjo kishte për të shqyrtuar çështjen me nr. 27, pra çështjen “Veliaj”, atëherë gjyqtari i hetimit paraprak për të dy rastet bëhej automatikisht Erjon Bani. Domethënë, Altin Kumara tërhoqi me procedurë si çështjen “Veliaj”, ashtu dhe gjyqtarin Erjon Bani.

    Juristët penalistë këtë justifikim të shortit të GJKKO dhe caktimin në vend të Atalanta Zeqiraj të gjyqtarit Erjon Bani e quajnë “ngecje” me teknikë të pambështetur në ligj. Neni 278, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, që ka përdorur në vendim Erjon Bani për të justifikuar përfshirjen e tij në këtë çështje, nuk lejon dhe as parashikon që ai të marrë pa short, por me “përthithje”, çështjen “Veliaj”.

    Neni 278
    Kompetencat e gjykatës së shkallës së parë në hetimet paraprake

    1. Gjatë hetimeve paraprake, për rastet e parashikuara nga ligji, mbi kërkesën e prokurorit, të pandehurit, viktimës dhe palëve private, vendos gjykata.

    2. Kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake, sipas paragrafit 1, të këtij neni, shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar.

    Redaksia u interesua për shëndetin e gjyqtares Atalanta Zeqiraj dhe ajo është shëndoshë e mirë. Nuk e ka lindur ende fëmijën e dytë të saj, pavarësisht se është larguar 50 ditë më parë nga detyra, dhe ligji parashikon që nëna mund të largohet nga puna e të paguhet 35 ditë para lindjes së fëmijës dhe 63 ditë pas lindjes, për të përfituar sipas raportit të barrëlindjes. Vetëm nëse znj. Zeqiraj pret binjakë apo trinjakë, largimi i saj 50 ditë më parë mund të justifikohej.

    Nëse gjyqtarja Atalanta Zeqiraj u largua me raport shumë para periudhës së lindjes normale dhe procedura e shortimit të çështjes “Veliaj” u shkel për t’i rënë “ruleta” e gatishmërisë z. Erjon Bani, atëherë a duhet të dyshohet për një problem madhor për këtë çështje?

    HETIMI QË FLET VETË

    Hetimi i çështjes “Veliaj” është udhëhequr nga Ols Dado në 80% të tij dhe Altin Dumani si mbështetës prokuror dhe drejtues i SPAK. Hetuesit e BKH-së, të angazhuar nga Ols Dado, janë Samet Gurguri dhe Besmir Karaxha, të dy pa asnjë eksperiencë në hetim, të dy të emëruar në shkelje të rregullave të rekrutimit të hetuesve të BKH-së, sipas ligjit dhe rregulloreve për këtë qëllim.

    Por nuk është qëllimi i kësaj radiografie të hetimit analizimi i figurës profesionale dhe morale të hetuesve të BKH-së dhe prokurorëve të angazhuar me çështjen, pavarësisht se rëndësia që ato kanë luan rol determinant në çështjen “Veliaj”.

    Hetimi fillon dhe merr shkak nga një informacion apo kallëzim që një person anonim me emrin Nesti Angoni depoziton në zyrat e SPAK. Nuk del qartë nga vendimi i gjyqtarit Bani se si ky informacion apo kallëzim është administruar nga SPAK; me postë, online, me paraqitje në zyrat e SPAK apo në një formë tjetër që nuk njihet nga rregullat e proceseve penale.

    Informacioni në formë kallëzimi mban datën 19 korrik 2023. Pas këtij informacioni, hetuesve të BKH-së iu deshën 7 muaj “hetime” që të arrijnë datën 8 shkurt 2024 për të bërë regjistrimin e procedimit penal për “Korrupsionin pasiv të funksionarëve të pushtetit vendor”.

    Sipas vendimit, pas 7 muajsh hetimesh “intensive”, hetuesit shkruajnë:

    “Nga tërësia e akteve të administruara nga hetuesit e BKH-së, deri në fazën që i paraprin regjistrimit të procedimit penal, rezultoi se… Nesti Angoni kishte të drejtë!”

    Po si u bindën hetuesit që Nesti Angoni kishte të drejtë?

    Veprimet e kryera nga hetuesit për një periudhë prej 7 muajsh përfshijnë 8 veprime ose thjesht verifikime online në sistemet përkatëse që posedon SPAK apo policia për të gjithë qytetarët, të cilat në kushte normale mund të kryheshin brenda një apo disa ditësh. Hetuesit e BKH-së harxhuan 8 muaj për të bërë 7 veprime në kompjuter:

    • Verifikimi në sistemin e Tatimeve – U kontrollua historiku i punësimit për disa individë (Gentian Sula, Arbër Luan Veliaj, etj.) për të parë nëse kishin punuar për subjekte të caktuara si AGI KONS, GOEGEL, etj.

    • Verifikimi në Regjistrin e Gjendjes Civile – U kontrolluan të dhënat familjare për të konfirmuar lidhjet familjare mes personave të përfshirë.

    • Verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) – U kontrolluan subjektet “AGI KONS,” “GOEGEL,” dhe “Partners Law” për të parë pronësinë, administratorët dhe objektin e aktivitetit.

    • Verifikimi në sistemin e Kadastrës – U kryen kontrolle mbi pasuritë e regjistruara për disa individë (Erion Luan Veliaj, Arbër Luan Veliaj, Ajola Xoxa, etj.), duke gjetur disa prona në Tiranë, Vlorë, Kavajë, etj.

    • Verifikimi në sistemin bankar – U kontrolluan llogaritë bankare për personat e përfshirë, duke u identifikuar llogari të hapura dhe të bllokuara në disa banka.

    • Verifikimi në sistemin TIMS – U kontrolluan lëvizjet jashtë shtetit për disa persona (p.sh., Erion Veliaj dhe Gentian Sula) për të parë nëse kishin udhëtuar së bashku.

    • Deklaratat e pasurisë dhe interesave private – U shqyrtuan deklarimet e pasurisë të disa personave për të parë nëse kishte pasuri të fshehura ose konflikte interesi.

    Në 8 shkurt 2024 (pas 7 muajsh nga kallëzimi i Nesti Andonit) hetuesit referuan regjistrimin e çështjes penale për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe u vijua me hetimet e mëtejshme. Pas një stacioni të gjatë 7 mujor, filloi një i dytë më i gjatë se i pari.

    HETIMI QË ÇALON

    Stacioni i dytë i hetimit kërkoi 10 muaj të tjerë para se të fillonte faza e përshpejtuar e tij. Nga shkurti 2024 deri në maj 2024 vendimi tregon se nuk është kryer ndonjë hetim. Në maj – qershor 2024 janë kryer vetëm 4 veprime, të gjitha veprime që mund të kërkojnë vetëm një deri në dy ditë kohë, nëse hetuesit do shkonin thjesht në tre institucione ku janë marrë të dhëna, Kadastër, Drejtoria e mjeteve automotorike (DPSHTRR), Drejtoria e Doganave.

    2024

    • 08.02.2024 – Regjistrimi i procedimit penal për “Korrupsionin pasiv të funksionarëve të pushtetit vendor”

    • 17.05.2024 – Përgjigje nga ASHK për pronat e Erion Veliaj

    • 21.05.2024 – Përgjigje e Drejtorisë së Doganave për zhdoganimet e mallrave të Ajola Xoxa (online)

    • 28.05.2024 – Përgjigje për mjete nga DPSHTRR

    • 24.06.2024 – Përgjigje nga ASHK për pronat e Shqiponja Veliaj dhe Valbona Xoxa

    HETIMI I NXITUAR

    Vendimi i gjykatës tregon se nga 12 dhjetori 2024 deri më 24 janar 2025 janë kryer 98% e veprimeve, të cilat burgosën Veliajn dhe vendosën masa sigurie për 7 të tjerë, bashkëpunëtorë të tij në krim. Për një muaj e pak ditë është zhvilluar një hetim i regjistruar nga një anonim.

    Pa asnjë precedent të mëparshëm në historinë e jurisprudencës penale shqiptare, u kryen veprimet që çuan në burgosjen e Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit vetëm për 40 ditë. Adela Kondakçiu dhe Ina Goxhaj janë “pini” i hetimit sipas prokurorëve dhe hetuesve. Dëshmitë e tyre, që filluan më 12 dhe 13 dhjetor, hapën siparin e shtimit të veprave penale.

    Nxitimi për të çuar shpejt dhe më shumë se shpejt tregohet në një veprim “hetimor” të datës 21.01.2025, ku hetuesi i BKH-së kqyr Instagramin e Erion Veliajt dhe gjen një postim të shtatorit 2023. Ky veprim hetimor do të bëhej vetëm tre ditë para se çështja “Veliaj” të nisej në gjykatë për masa sigurie personale, ndër të tjera ‘burg’ për Kryetarin e Bashkisë.

    Përse ky nxitim “hetimor” vetëm pas datës 12.12.2024, kur nuk ishte kryer asnjë veprim tjetër që nga data 24.6.2024?

    Dhjetor 2024

    • 12.12.2024 – Pyetet ekonomistja Adela Kondakçiu

    • 13.12.2024 – Pyetet avokatja Greta Domi

    • 13.12.2024 – Pyetet për herë të parë Ina Goxhaj

    • 17.12.2024 – Pyetet Ergys Krisiko

    • 18.12.2024 – Pyetet Reada Lemnusha

    • 20.12.2024 – Pyetet Ketrina Braho

    • 20.12.2024 – Pyetet Ines Dani

    • 23.12.2024 – Kqyrje/marrje në protokollin e Bashkisë Tiranë të 10 kontratave të sipërmarrjes me kompanitë e biznesmenëve në hetim

    • 23.12.2024 – Kqyrje/marrje e dokumentacionit të lejeve nga E-Lejet në Bashkinë e Tiranës

    • 23.12.2024 – Pyetet Ajola Xoxa

    • 26.12.2024 – Pyetet Erion Veliaj

    • 26.12.2024 – Kqyrje në Bashkinë Tiranë të dokumentacionit të pagesave ndaj “Qendra Muza”, “Froboluos”, “Byl-A”, “ACA”, “BASH-ART”

    • 27.12.2024 – Pyetet Erald Ismaili

    • 27.12.2024 – Shtohet akuza për korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh kriminale

    Janar 2025

    • 06.01.2025 – Pyetet për herë të parë biznesmeni Gentian Sula

    • 07.01.2025 – Pyetet për herë të dytë ekonomistja Adela Kondakçiu

    • 08.01.2025 – Pyetet Mariza Nito

    • 09.01.2025 – Pyetet Elman Abule

    • 09.01.2025 – Kqyrje e të dhënave nga sistemi TIMS – Lëvizjet e Fatmir Bektashit me Erion Veliaj

    • 09.01.2025 – Pyetet Fatmir Bektashi

    • 09.01.2025 – Pyetet për herë të dytë biznesmeni Gentian Sula

    • 13.01.2025 – Pyetet për herë të dytë Ina Goxhaj

    • 14.01.2025 – Pyetet Anxhela Qunaj

    • 14.01.2025 – Pyetet Daniel Garunja

    • 16.01.2025 – Pyetet Valmir Xoxa (jep të dhëna me mjaft interes për hetimin)

    • 16.01.2025 – Pyetet Armand Manahasa (shoferi i familjes Xoxa)

    • 16.01.2025 – Shtohet në regjistër të veprave penale vepra “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”

    • 17.01.2025 – Pyetet për herë të tretë Ina Goxhaj

    • 20.01.2025 – Pyetet Olsi Efthimi (arkitekt)

    • 21.01.2025 – Hetuesi i BKH-së kqyr Instagramin e Erion Veliajt dhe gjen një postim të shtatorit 2023

    • 22.01.2025 – Bëhet kqyrja e telefonit të Driant Zenelit (artist/skulptor)

    • 24.01.2025 – Shënohet në regjistrin e veprave penale vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”

    • 24.01.2025 – Dërgohet kërkesa e Ols Dados dhe Altin Dumanit në gjykatë për marrjen e masave të sigurimit (burg për Erion Veliajn)

    • 09.02.2025 – Jepet vendimi i gjyqtarit paraprak Erjon Bani për dhënien e masave të sigurimit

    • 11.02.2025 – Del në media vendimi i zbardhur 365 faqe i gjyqtarit Erjon Bani

    Për të kuptuar nxitimin e hetimeve duhet shkuar te Nesti Angoni.

    Pjesë nga vendimi:

    “Në datë 19.07.2023 është administruar në Prokurorinë e Posaçme një informacion i cili është protokolluar me nr. K536, dërguar nga një shtetas i vetëidentifikuar si Nesti Angoni, me adresë në Rr. “5 Maji”, Nr. 71, Tiranë. Në informacionin e përcjellë fillimisht nga shtetasi i vetëidentifikuar si Nesti Angoni, përmenden disa fakte rreth shtetasit Erion Veliaj, me detyrë kryetar i bashkisë Tiranë, të cilat çmohen si kompromentuese për një zyrtar publik. Keto fakte, lidhen me funksionin e kryetarit të bashkisë si edhe marrëdhenien e këtij të fundit me shtetasin Genti Sula, pronar i shoqërisë tregtare “AGI CONS”

    Pasi Nesti Angoni nuk identifikohet dot kush është edhe pse hetuesit e “kërkuan” më kot në gjendjen civile, ata shkruajnë:

    “Me administrimin e kallëzimit pranë Prokurorisë së Posaçme, nga ana e Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë kryer disa verifikime paraprake, të cilat konsistojnë fillimisht në sigurimin e të dhënave për kallëzuesin, shtetasin e identifikuar si Nesti Angoni. Nga rezultatet konstatohet se nuk ekzistojnë të dhëna për këtë shtetas.”

    Megjithëse nuk identifikohet kallëzuesi, hetuesit merren seriozisht me informacionin që Nesti Angoni shkruan, madje ata e citojnë Nestin anonim:

    “Të gjitha këto, vijon kallëzuesi, të shtyjnë të mendosh se ku i gjeti shtetasi Erion Veliaj mundësitë financiare dhe nëse ekzistojnë dokumenta të blerjeve, pagesa bankare etj.”

    Nga radiografia e këtij hetimi dalin me detyrim disa pyetje që koha do t’i trajtojë dhe më pas do t’u japë përgjigje:

    • Kush është Nesti Angoni dhe në çfarë forme mbërriti në tryezën e SPAK?

    • Pse u pritën 7 muaj nga marrja e një informacioni anonim deri në regjistrimin e procedimit penal më 08.02.2024?

    • Pse u prit deri më 12 dhjetor 2024 për të filluar një “sulm” të nxituar hetimor, që përfundoi më 24 janar 2025 me kërkesën për burgosjen e Erjon Veliajt?

    • A u gjet rastësisht Erjon Bani në këtë “gatishmëri” gjykimi?

    Kjo është një radiografi fillestare. Hetimi po shtillet…

    Shumë pyetje të tjera do të zbardhen pasi drejtësia të shkojë në vendin e vet, bashkë me kriminelët dhe prokurorët e vërtetë të saj.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit