spot_img
spot_img

Prapaskenat e dorëheqjes së kryetares së Bashkisë Himarë: Akuzat për bashkëshortin dhe sherri me prefektin Tavo

spot_img

Në letrën ku Blerina Balaj njoftonte dorëheqjen nga posti i kryetares së komanduar të Bashkisë Himarë zor se mund të gjeje diçka të vërtetë për sa i përket motivit të largimit. Vendimin që ajo e justifikon për “shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen e saj të plotë”, është në fakt një akt i detyruar nga kupola politike e Partisë Socialiste dhe vetë Edi Rama. Gazeta mëson nga burime të besueshme prapaskenat e përplasjes që sollën largimin e kryetares së komanduar në Himarë pas arrestimit të Jorgo Goros.

Mbledhja e mbyllur e PS

Në përfundim të takimit të datës 24 maj në Himarë, ku Rama dha shfaqjen e radhës propagandistike të shpërndarjes së certifikatave të pronësisë dhe në një formë zyrtarizoi Vangjel Tavon si kandidatin e tij të ardhshëm për atë bashki, u zhvillua një mbledhje me strukturat lokale të PS-së.

Aty me tone të ashpra vetë kryeministri iu drejtua Blerina Balajt me fjalët “mblidh burrin…” dhe vazhdoi më tej ta demaskonte kryetaren e komanduar të Himarës në sy të të gjithëve, se ajo i kishte dërguar atij disa mesazhe për miratim leje ndërtimi.

Veç kësaj Rama e akuzoi se bashkëshorti i saj po keqpërdorte në zonë pozitën e gruas kryetare bashkie për përfitime në konflikt interesi. Në një moment Balaj ka replikuar shkurt me Ramën duke i kërkuar të dilte nga mbledhja nëse ishte e nevojshme, por kryeministri nuk e lejoi të largohej.

Përplasja me prefektin Vangjel Tavo

I njëjti burim i mirëinformuar tha se bashkëshorti i Blerina Balajt ka pasur edhe një përplasje verbale e gati fizike me prefektin Vangjel Tavo, të cilin e shihte si pengesë në administrimin e pushtetit të përkohshëm që kishte marrë gruaja e tij.

Ngjarja ishte raportuar edhe te kryeministri çka solli më pas “shpërthimin” e tij në takimin e asaj dite në Himarë.

Po në atë takim të tensionuar, Edi Rama i kërkoi Blerina Balajt të emëronte si nënkryetar bashkie Arqile Bollanon, i cili mbante postin e drejtorit të Shërbimeve Publike në bashki dhe ishte një nga njerëzit e afërt të Jorgo Goros. Bollano ndërkohë është edhe nën hetim nga SPAK për abuzime me fondet publike.

Lajmet e fundit