Avokati Romeo Kara komentoi sulmin e Flamur Nokës ndaj efektivëve të policisë gjatë protestës së djeshme. I ftuar në një emision televiziv, avokati deklaroi se Noka duhej të ishte arrestuar menjëherë.
“Është turp që nuk u arrestua. Po të isha drejtues i policisë do ta kisha arrestuar atë. Noka s’ka asnjë imunitet dhe të drejte të godasë policin. Është faji jonë që kemi rënë në derexhenë që kemi pasur ministër si Noka.”, u shpreh avokati.
Një koment bëri edhe për Tedi Blushin, i cili hipi sipër autobotit të policisë.
“Tedi Blushi u bë Vojo Kushi, ai është rreziku më i madh. Ai jarani nga 313 jep urdhër, e zbaton jarani te autoboti, është parti serioze Partia e Lirisë”, tha me ironi avokati.
Ai tha se po të ishte trim Sali Berisha, do të dilte në protestë bashkë me deputetët e tij dhe mbështetësit e opozitës. Kjo thotë juristi, do të ishte mosbindja civile që proklamon Berisha.
“Berisha do të ikë nga drejtimi i opozitës. Këtë jua siguroj unë 100%. Po të ishte trim Berisha do dilte në protestë. Aty është mosbindja civile.
Të zbresë nga kati i tetë dhe të protestojë me qytetarët. Por nuk është trim ai, sepse trimi nuk vjedh, nuk grabit, nuk pasurohet kur populli i tij vritet e varfërohet, por del përballë me të”, tha ai në DritareTV.



