13.5 C
Tirana
E hënë, 20 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Rama, 6 muaj para zgjedhjeve

    Nga Edmond Arizaj

    Edi Rama sot duket sikur është i thinjur edhe nga vizioni. Përshembull entuziazmit të dikurshëm për ta shtyrë rininë shqiptare drejt informatikës, sot i ka zënë vendin thirrja që ata të bëhen kamarierë e banakierë. Ekonomia ka lëvizur fort, por me sa duket vetëm në shifrat që i vihen Ramës në tavolinë dhe që ai i mbron me të njëjtin pasion si në parlament përballë burrave të opozitës, si tek Fevziu përballë të moshuarave pensioniste. Popullsinë e ka dërrmuar apatia, ankohet pa protestuar, vuan pa u ankuar, më shumë beson televizorin dhe facebookun se veten; kjo mund të llogaritet si fitore për një qeverisje të lodhur nga abuzimi, vetkënaqësia, arroganca dhe mbingopja me pushtet. Vetëm 6 muaj, Rama do të provojë për herë të katërt të jetë bujtës, në godinën më të sulmuar me molotov në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

    Ç’mund të bëjë për 4 vjet që nuk i bëri për 12?!

    Punët e pambaruara dhe integrimi i premtuar, e ripremtuar, tashmë me një datë të re, 2030. Deri atëherë ka kohë për t’u bërë sërish ri-ripremtim për 2033. Por ama, është i vetmi premtim ku Rama mund të luajë si të dojë pa marrë asnjë faj mbi vete. Punët e pambaruara nuk janë të gjitha të justifikueshme, megjithëse siç është zakoni shqiptar, që Ramës nuk i ka interesuar fort të ndryshojë, pak muaj para zgjedhjeve ka mbarime punimesh (jo punësh), e premtime të jashtëzakonshme; si psh një bonus i dytë për pensionistët, ushtria besnike e votuesve të PS. Në fakt, punët e mëdha, ato të mëdhatë fare, që realisht do na shkëpusnin nga tranzicioni, janë bërë më lëmsh. Le të kujtojmë pronat.

    Antikorrupsioni?

    Është në fakt një flamur i dalë boje, sadoqë Rama është përpjekur prej më shumë se një dekade ta tundë fortë. Institucione pa fund, njerëz pa fund, shpënzime pa fund, propagandë pa fund dhe në fund, asnjë fund. Arritja më e madhe është heqja e korrupsionit nga duart e të gjithëve, që kishin sadopak gjë në dorë, dhe përqëndrimi në pak duar. Pra sot, korrupsioni është një luks dhe nuk mund ta arrijnë dot të gjithë. Aq më keq që SPAK po tregohet një rival i ashpër në luftën kundër korrupsionit. Megjithëse më pak, pothuaj aspak në trendin e kohës, mitmarrjen. Shëndetësia publike është etaloni; tarifa të shkruara nuk ka, por të gjithë i dinë. Mitmarrja është epidemi.

    Kumbullat që ia hanë pas shpine

    Ministrat e drejtorët kanë ngrënë kumbullat, por a i janë mpirë Ramës dhëmbët? Perceptimi është se ai diku e ka një spinë që e lidh me SPAK, megjithatë a e pyet njeri ndonjëherë për burgosjen e ministrave, kryebashkiakëve, drejtorëve, zyrtarëve, policëve, apo për ndjekjen e zv/kryeministrit, është e vështirë t’i përgjigjesh. Fakt është që për herë të parë pushteti goditet nga drejtësia siç i merr meritat me të drejtë Rama, por edhe për herë të parë është se drejtësia nuk pi sisë në gjirin e politikës shqiptare për t’u rritur e forcuar, siç harron përherë ta nënvizojë Rama. Dënimet e shumta janë thikë me dy presa: Sepse shumë nuk e kanë harruar bukurshprehjen “nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante…”, premtim i pambajtur në fakt.

    Kundërshtarët e drobitur

    Po. Drejtësia, nëse do mendonim si Makiaveli, thjesht i ka pastruar ca ferra Ramës, me të arrestuarit. Nga krahu tjetër, opozita me Berishën që kaloi rreth një vit si Rapunzela, e me Metën izoluar në një tjetër presidencë, është si një gladiator që natën para dyluftimit e plagosin rëndë. Por mendjelehtët duhet ta dinë se Rama nuk i lë asgjë rastësisë, as lë gjë pas dore. Ai nuk hyn në betejë për të humbur. Patronazhistët janë dëshmia për këtë. Ai e di se Berisha dhe Meta nuk e rrezikojnë më sa për ta trembur. Rrezikun ai e ka pikërisht tek paudhësitë e të tijve, sidomos ata të pakujdesshmit e Chateve Encro-Skay. Megjithëse votuesit shqiptarë janë ndër më të çuditshmit: E dinë që politikanët i vjedhin, i mashtrojnë, i tradhëtojnë, por ata jo vetëm i votojnë, por edhe i respektojnë. Rama e di këtë. Thjesht, teksa kundërshtarët lëpijnë plagët, ai përforcon legjionet e brendshme dhe të jashtme. Në finale, pushteti është pushtet.

    Frikërat

    Le të fantazojmë pak. Ai nuk ka frikë se dikush i merr PS. Tashmë e zotëron me dorë të hekurt. Grupimet brenda PS sulmojnë dhe godasin njëra-tjetrën vetëm për vendin e dytë. As rregullore, as statut dhe as rival e prish këtë qetësi. Pushtetin nuk ia trazon askush. Rama përdor edhe Presidentin si ornament, të tjerët janë kukulla, maksimumi që mund të arrijnë është deri në vetkurdisje. Ndërkombëtarët, tashmë të kthyer në asgjë më shumë se OJF, kjo edhe për meritë të Ramës nuk i duhet mohuar, dhe mirë ka bërë. Partnerët herë-herë duken si të magjepsur pas sharmit të tij, Xhorxha (Meloni) i bie në krahë, sulltani (Erdogani) e trajton si bir, Emanuel (Makron) nuk ia lë batutat pa buzëqeshje…dakort duket keq kur tenton me çdo çmim të fotografohet pranë Biden, por kush nuk do të donte?! Nuk ka frikëra as atje ku caktohen fatet e Botës; Sazani duket si great-deal. Ndoshta i trembet shëndetit? Edhe ai si të tjerët po plaket. Nuk është më “mistrec”, madje shpeshherë përton të hyjë në debat. Çuditërisht i shmang përplasjet, vetëm kur është thellësisht i detyruar dhe në rrezik se humbet gjysëm pike. Symprehtët pranë tij kujdesen fort që të duket përherë i ri, pothuaj mbinjeri; mposht sëmundjen, bën operacion, çohet nga krevati pavarësisht dhimbjeve dhe takon mikun e çmuar turk, që gjithsesi Ramës i bëri dhuratë xhaminë e Vuçiçit miliarda dollarë. Ai nuk është më polemist, por oportunist, nuk është më revolucionar, por llogaritar. Pse në këtë stinë të jetës, më përafrohet me Henrin VIII?! Lavdi Zotit asnjë nga ish-bashkëshortet e Ramës nuk do ta provojë kurrë fatin e Anës dhe Katerinës. Henri trembej vetëm për dinastinë…Të jetë kjo frika, në mos meraku i Ramës?! Mbase. Mëraku im është tjetër kund: Në herën e katërt rresht të zgjedhjeve, Rama merr më shumë deputetë se herën e fundit. Atëherë nuk duhet analizuar më Rama, por populli.

    Përballë gazetarëve

    Në fakt polemikat e tij atipike me gazetarët, përgjigjet në facebook, dëshira për batuta, kanë qenë të veçanta, kurreshtare, edukuese deri diku, pse jo edhe emocionuese për komunitetin e gazetarëve. Por Rama sot të jep përshtypjet e babës së Kombit, i lodhur nga mistrecllëqet e kalamajve, i painteresuar të përziejë miellin në kokën e tij me krundet në kokat e të tjerëve. Vetëm se ai nuk është Henri VIII. Është zyrtar i lartë një  i një shteti parlamentar, përgjegjës për të ardhurat publike, përgjegjës për njerëzit e tij publikë, përgjegjës për shpenzimet, përgjegjës për politikën e jashtme e sidomos për politikën kombëtare…llogari duhet të japë dhe pyetjeve duhet t’u përgjigjet. Në mos ai përherë, njerëzit e tij…ata që s’kanë punë me drejtësinë. Tani që e mendoj 98 përqind e mbrojtësve të politikave të Ramës në debatet televizve, o janë në burg, o po shkojnë drejt tij. Megjithëse, edhe gazetarët tashmë duhet të drejtojnë gishtin edhe nga vetja. Gjithsesi, Rama duhet të dalë përballë gazetarëve jo vetëm për sukseset, por edhe për dështimet. Megjithëse ende në këto 12 vjet nuk ka pranuar ndonjë të tillë.

    Fitimtar?

    Vënia dorë mbi votën, është kryqi që u vihet gjithë fjalëve, zbukurimeve, sharmit, ngjyrave. Nuk flitet më për rastësi. Deputetë të vendosur e mbështur nga krimi, deputetë me prejardhje nga krimi, krimi që siguron vota…thënë këto në një vend demokratik ku Rama mban ato fjalimet brilante për Kosovën dhe Shqipërinë, dhe i duhet dhënë haka për këtë, ata udhëheqës nuk do shihnin më jo të ardhme politike, por as publike. Por në Shqipëri është ndryshe. Në fakt hetimi për tjetërsimin e votës, lufta për të mbrojtur votuesit të jenë të lirë dhe jo nën presion, duhet të ishte primare, por nuk është. Për asnjë. As për opozitën, as për drejtësinë, as për median, as për shoqërinë. Vota, trajtohet po njësoj si një kec, a qengj, që blihet e shitet nëpërmjet pazarit dhe kalohet një drekë e këndshme për Bajram a për Pashkë. Ndaj s’më bën çudi që Rama është i sigurtë teksa shtatë muaj para deklaron fitore më të thellë se përballë Lul Bashës. Është vetëm 60 vjeç dhe përballë ka Berishën 80 vjeç, që duket më i ri se disa të rinj që bëjnë sikur bëjnë opozitë. Ramën e rrezikon vetëm një superkoalicion politik-shoqëror-moral-atdhetar. Për këtë, brumi më i mirë gjendet në emigrim.

    Fund

    Në 12 vjet Rama ka qenë i ndryshëm në pothuaj të gjitha gjërat që bënte nga të gjithë politikanët e këtij vendi. Vetëm në një rast ai u rreshtua si të tjerët, në momentin kur si bashkëpartiakët e pasur u shpreh se paratë vinin nga e shoqja. Në 12 vjet, Rama ka rënë në kurthin e politikës së ditës, pavarësisht se fliste dhe flet vetëm për të ardhmen. Por një e ardhme pa një strategji për shkollën dhe arsimin nuk është bërë realitet askund tjetër. Krimi, politika, korrupsioni, edukata, ekonomia, përparimi, mbrodhësia, pangopësia, pisllëku…kanë vetëm një armik, apo aleat arsimin. Si mund të hymë në BE kur në krahasim me 1990 kemi sot më shumë analfabetë?! Rama është artist, më shumë i fjalës se i penelit në fakt. Deri tani e ka treguar se me oratori, me def e saze, me Lulin, e me strategji të gjithanshme, ka fituar. A do të fitojë sërish? Megjithëse pa shumë dëshirë, unë do vija bast që po.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit