15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rama revoltohet me agjentët e SPAK: Të na lajmërojnë kur vijnë në zyrat e shtetit

    Kryeministri Edi Rama në një intervistë për revistën “Newsbomb”, shprehet i pakënaqur për faktin se në disa raste hetuesit e BKH-së shkojnë në zyrat e shtetit pa lajmëruar më parë.

    Kryeministri ka kërkuar që agjentët e BKH-së më përpara të lajmërojnë dhe më pas të bëjnë kontrolle. Megjithëse në këtë mënyrë humbet efekt surprizë dhe zyrtarët mund të fshehin dokumentet.

    “Është e vërtetë po, që duke qenë një njeri që jetoj çdo ditë si mbi gjemba dhe e nis ditën i pakënaqur me veten time, e pastaj e ngrys i pakënaqur me të tërë shtetin, nuk kam se si të mos jem i pakënaqur kur informohem për shfaqje të shëmtuara e krejt të panevojshme, të hetuesve të BKH-së në zyrat e shtetit, pa lajmëruar zyrtarisht, pa ruajtur asnjë minimum etik, pa respektuar gjëkundi faktin e thjeshtë se njësoj si ata në zyrat e tyre edhe punonjësit e tjerë në zyrat e institucioneve të tjera, bëjnë punën e shtetit, kanë planin e tyre ditor, kanë takimet, mbledhjet e angazhimet e tyre zyrtare dhe s’ia kanë borxh as SPAK-ut, as BKH-së e askujt në këtë botë, që arbitrarisht t’iu çakordojë punën e të përhapë jo vetëm në tërë institucionin, po edhe në familjet e tyre, ndjesinë e papranueshme të një represioni psikologjik”, thotë Rama.

    Me sa duket, Rama kërkon t’i lajmërojnë para arrestimit!

    Sipas tij “për të marrë dosje e dokumenta apo pyetur njerëz të shtetit për nevoja të hetimeve s’ka asnjë lloj problemi e jo më pengese, siç nuk ka asnjë lloj nevoje për vizita të palajmëruara dhe asnjë lloj justifikimi për sjellje të pagdhendura. Kaq është e gjitha dhe lajmi i vërtetë nuk është që unë kam kërkuar nga drejtuesit e institucioneve “të mos dorëzojnë kollaj mjete pune e dokumenta”, sepse në këtë mes s’ka asgjë as për “kollaj” as për “vështirë”, po thjesht kam bërë detyrën time duke u thënë drejtuesve të institucioneve, se kush shfaqet si e ëma e Zeqos në majë të thanës në emër të BKH-së, duhet të kthehet andej nga ka ardhur dhe bashkëpunimi i padiskutueshëm me SPAK-un duhet të zhvillohet vetëm mbi bazën e qartë ligjore të dhënies së informacionit për qëllime hetimore apo të marrjes në pyetje të personave të nevojshëm për hetimet, duke garantuar proceset e punës dhe qetësinë legjitime psikologjike të punonjësve të administratës”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit