18.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shkencëtari rus që jeton në Shqipëri

    Aleksandër Rusakov është një shkencëtar rus që jeton në Tiranë. Ai vjen sot në një rrëfim ekskluziv në studion e Shqip nga Rudina Xhunga për jetën mes luftës në Rusi, largimin nga atdheu dhe vendosjen në Shqipëri që për të është atdheu i dytë. Aleksandër Rusakov është me profesion albanolog. Ai e nisi karrierën në Rusi, për ta vazhduar më tej në Shqipëri, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

    “Unë kam lindur në Shën Petersburg në atë kohë kur quhej Leningrad. Gjithë jetën kam jetuar atje deri në fillimin e luftës së Rusisë me Ukrainën. Kam ikur nga Shën Petersburgu në fillim të marsit të 2022 dhe që nga mesi i prillit të po atij viti, po jetoj në Tiranë.

    Duhet të gjeja një vend për të jetuar dhe punuar dhe për mua ishte e natyrshme të zgjidhja Shqipërinë, me gjuhën e së cilës jam marrë gjithë jetën time. Nga Rusia u largova për shkak të luftës. Nuk e mendonim se sa kohë do të zgjaste kjo luftë. Madje, askokohe thonim se lufta ishte e pamundur të ndodhte. Mendonim se mund të zgjaste 2 javë, dy muaj, por jo me vite.

    Shumë njerëz kanë ikur nga Rusia, përfshirë dhe shumë të rinj sepse ata nuk duan të bëhen pjesë e ushtrisë dhe të shkojnë në luftë. Por edhe një pjesë e gjeneratës sime, nuk ka qëndruar më në Rusi pas luftës. Por atje ka ende shumë njerëz që jetojnë.

    Kjo edhe për shkak se ata mendojnë se lufta është e drejtë, por ka edhe nga ata që mendojnë të kundërtën por nuk kanë mundësi të ikin nga Rusia. Kjo edhe për faktin se bota nuk është tërësisht e hapur për shtetasit rusë. Ne nuk mund të marrim kudo viza ndaj shumë prej bashkëatdhetarëeve të mi janë strehuar në Serbi, Mal të Zi, Kazakistan si pjesë e vendeve ku rusët mund të jetojnë të lirë pa viza.

    Në apartamentin tim që është ndërtuar në 1908, ku unë kam jetuar me të gjithë familjen time, tani jetojnë miqtë tanë. Vajza dhe djali im herë pas here kthehen në Rusi, sepse kjo është e mundur ndërsa unë jo, nuk dua të kthehem në Rusinë e sotme.

    Në Rusi nëse nuk flet kundër vendit tënd ti mund të jetosh i lirë dhe i qetë, por nëse bën të kundërtën, mund të burgosesh.

    Koha e Putinit sot ngjan me kohën e komunizmit të vonë. Madje mund të them se është më keq se në kohën e Brezhnevit. Propaganda është më agresive dhe situata nuk është aspak e qetë.
    Askush nuk e di me saktësi se kush e përkrah Putinin. Por unë mendoj që ai ka një mbështetje tejet të madhe. Kjo për shkak të propagandës. Ata shikojnë TV dhe propaganda i bën të mendojnë se Putini ka të drejtë dhe se ata janë sulmuar nga Ukraina”, u shpreh Aleksandër Rusakov në Dritare TV.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit