“Ata japin pagesa me metër kub për njësi gjatësie”. Por Shqipëria megjithëse tubacioni i gazit kaloi në territorin e saj, nuk mori asgjë. Greqia mori, por në Shqipëri “dikush mori para në rrugë të tjera” pra ryshfet.
Këto janë pohimet e Bashkim Bahollit, doktor shkencash, i cili bashkë me Naskë Afezollin ishte drejtues i projektit për Shqipërinë. I ftuar në “Dritare” me Rudina Xhungën, profesori thotë se në një moment të caktuar, Ministria e Energjetikës, e përjashtoi atë nga çdo lloj negociate. Ndodhi kur këtë ministri e mori LSI.
Baholli shërbeu deri në vitin 2016 në atë detyrë. Ai ka takuar më pas ministrin Gjiknuri, por asgjë nuk ndryshoi. Kush e dha ryshfetin dhe kush e mori atë? Dikush ka tentuar ta korruptojë edhe Bahollin?
“Erdhi një grup nga EGL në Tiranë dhe një prej tyre, një moment hapi raftin tim. E nxorra jashtë. Pas një jave mora letër nga më i madhi i kompanisë. Bëri një autokritikë dhe më kërkoi falje. Më pas, Konradi më mori në telefon: Bashkim duhet të vij nesër a më pret dot?”
Më poshtë, pjesë nga intervista e Bashkim Bahollit me gazetaren Rudina Xhunga.
Rudina Xhunga: Shqipëria si u fut? Në 2003?
Bashkim Baholli: Ishte ideja e EGL së Zvicrës. Hakim Konrand është treguar më shumë shqiptar se unë. Nuk kishte ndonjë njohje vetëm pasioni I projektuesit dhe studiuesit. Mbi këtë bazë kur mori rrugë TAP unë bëra një ndërhyrje që ky njeri duhet të nderohej. Më vjen turp përpara tij. U bë një propozim nga Shoqata e Gazit të Shqipërisë që t’i jepet një dekorim nga Kuvendi dhe Presidenti. Nuk ia dhanë
Rudina Xhunga: Nuk gjetën dot një dekoratë?
Bashkim Baholli: Jo ishin shumë të zënë me dekorimet e qofteve. Dhe akoma s’e kanë bërë.
Rudina Xhunga: Cili qe pozicioni juaj? Puna që bënit ju si drejtor?
Bashkim Baholli: Të gjitha marrëdhëniet që bëheshin në rrethe sepse projekti duhet të prezantohej në rrethe, i bëja unë. Takimet me Ministrinë për dokumentacionin derisa erdhi puna që projekti u prezantua në KRRTRSH, i bëja unë. Në atë kohë ishte Berisha.
Rudina Xhunga: Jemi pas 2005. Berisha flet për TAP si projekt personal…
Bashkim Baholli: Si ide është tërësisht e EGL, Berisha e ka mbështetur. Sali Berishën e kam pasur shumë shok. Por për projektin i ka folur fillimisht Naska.
Rudina Xhunga: Ju dëgjoi…
Bashkim Baholli: Po, dhe iu tha atyre: është miku im. Gjë që ndikonte pozitivisht te ata. Kjo është e vërteta, s’mund të mos e them.
Rudina Xhunga: Filluan punimet për TAP. Pra dyert ishin të hapura për ju si EGL që do sillnit TAP. Kur filloi faza kritike?
Bashkim Baholli: Kur erdhën në ministri, Dritan Prifti dhe Edmond Haxhinasto. Haxhinastos, unë i mësuar t’i bie derës me shqelm, i kërkova takim dhe nuk më pranoi. Në këtë kohë unë ndërpreva çdo komunikim me Ministrinë. Dhe s’kam hyrë në Ministri prej asaj kohe.
Rudina Xhunga: Kjo ministri ju mbylli derën. Po ndërkohë në ç’fazë ishte TAP?
Bashkim Baholli: Projekti ishte mbrojtur në KRRTRSH dhe po merreshim me kompaninë që do merrej me zbatimin. U bashkuan shumë kompani evropiane. Pyetja ishte se çfarë do të përfitonte Shqipëria. Konrad na tha: Na thoni, ç’doni të përfitoni ju?
Rudina Xhunga: Atëherë të ndalemi këtu. Kjo është koha kur Ministrinë e merr LSI. Pala shqiptare duhet të bëj kërkesat. Çfarë kërkesash u bënë?
Bashkim Baholli: Unë u paralizova këtu. Unë nuk kam hyrë më në Ministri.
Rudina Xhunga: Pa qenë ju, kush i paraqiste kërkesat e Shqipërisë?
Bashkim Baholli: Nuk e di. Nuk jam afruar më në derë të Ministrisë.
Rudina Xhunga: Po kush e bëri marrëveshjen?
Bashkim Baholli: S’e di.
Rudina Xhunga: Kjo është e çuditshme…
Bashkim Baholli: Ndoshta s’kanë bërë fare marrëveshje.
Rudina Xhunga: A mund të mos ketë marrëveshje?
Bashkim Baholli: Konrad më tha: Profesor, a doni të bëjmë një spital në Vorë?
Rudina Xhunga: Jemi në pikën që jemi. Pa dashur të akuzojmë TAP, po a na kanë dhënë gjë neve?
Bashkim Baholli: Greqia ka marrë.
Rudina Xhunga: Këmbëngul për marrëveshjen me TAP, se çfarë do të merrte Shqipëria. Pra, në këtë kohë…
Bashkim Baholli: Unë isha përjashtuar në këtë kohë.
Rudina Xhunga: Po me kë komunikonit ju në këtë kohë? Me palën shqiptare jo. Po me ata në Zvicër?
Bashkim Baholli: Me ata po, me të gjithë kisha marrëdhënie. Siç ju thashë, Greqia mori. Në fillim ishte kundër projektit. Sepse deri në kufirin greko-turk, TAP ekzistonte. Ata s’donin të kalonte në Shqipëri, një nga akuzat ishte se Shqipëria ishte e pasigurtë në atë kohë. Donin siguri.
Rudina Xhunga: Pra Ministria mbyllet për ju kur e merr LSI. Shtetet e tjera marrin përfitimet e tyre. Po çfarë përfiton Shqipëria? Drejtori i EGL nuk e di…
Bashkim Baholli: Po, nuk e di. Flitej për të marrë. Naska dhe unë interesoheshim por nuk kishim më kontakte. Jam pak mendjemadh: ai s’më pranoi dhe unë nuk shkova më. Mospërfilljen s’e pranoj dot.
Rudina Xhunga: Pra, Haxhinasto nuk ju takonte. Do ta pyesim për këtë gjë…Unë dua të di, në çfarë viti është bërë marrëveshja me TAP. Nëse ka të tillë. Sepse ju thoni që edhe mund të mos ketë marrëveshje të shkruar?
Bashkim Baholli: Ju thashë, unë nuk e di. As Naska s’e di.
Rudina Xhunga: Iku ajo qeveri. Ju shkuat në ministri pasi iku?
Bashkim Baholli: Me Gjiknurin jam takuar, ishte faza e fundit. Në 2016 unë u largova nga TAP dhe u largova me protestë. Ishte fatkeqësi. Nuk e dominoja dot. Sepse nuk e pranoja dot idenë që duhet t’i lutesha qeverisë për njê projekt madhor për vendin, kur ata duhet të ishin të interesuar vetë.
Angazhova katedrën e Demografisë që u morën dhe unë kam hartën ku kalon tubacioni dhe kuotat ku kalon tubacioni. E kam referuar diku. Ata japin pagesa me metër kub për njësi gjatësie.
Rudina Xhunga: Sa merr Shqipëria?
Bashkim Baholli: Nuk e di.
Rudina Xhunga: Mund të mos marrim fare?
Bashkim Baholli: Nëse nuk marrim, është një krim. Dmth dikush ka marrë para në rrugë të tjera. EGL e dinte këtë punë. Ndaj është bërë harta. E kam në shtëpi.
Rudina Xhunga: Ata ishin të qartë që do paguanin tranzit fee. Sepse si është rregulli: nëse ti nuk je vend i BE ti përfiton…
Bashkim Baholli: Këtë nuk e di. Por ata bënë hartën. Ne u morëm edhe me depozitat nëntokësore; në fushën e Dumresë kishte shanse për depozita nëntokësore. Po ta kishim tani atë depozitë gazi, e vinim në përdorim. Dhe TEC i Vlorës do funksiononte.
Rudina Xhunga: Neve na kalon TAP por ne nuk kemi gaz kjo është e pabesueshme. Nuk ka dalje të gazit?
Bashkim Baholli: Jo. Një nyje do të behej në Fier, sepse për të lëvizur gazin duhet kompresor i fuqishëm. Ne e planifikuan diku në Fier, që të rritej fuqia dhe të shërbente edhe si burim energjie për ne. Nuk u bë. Shmangia ime nga kjo punë nuk mund të jetë bërë nga padija.
Rudina Xhunga: Juve ju shmangën njerëzit që morën paratë sic thatë ju në rrugë të tjera? (ryshfet) Dmth, ndiq paranë për të kuptuar, pse Shqipëria nuk merr taksë nga gazi. Dhe po flasim për kompani serioze…
Bashkim Baholli: Unë jam i bindur se EGL është jashtë kësaj pune. Erdhi një grup nga EGL në Tiranë dhe një prej tyre, një moment hapi raftin tim. E nxorra jashtë. Pas një jave mora letër nga më i madhi i kompanisë. Bëri një autokritikë dhe më kërkoi falje.
Ndërkohë Konrad që ishte drejtor më mori në telefon: Bashkim duhet të vij nesër a më pret dot? Dal e pres. E çoj në Durrës për drekë. Pastaj i thashë se do kthehemi. Jo më tha, unë do iki. Pse do ikësh? Pse erdhe? E pashë tha, që je mërzitur shumë. Kështu që nuk mund të jenë ata.
Rudina Xhunga: Pra ju nuk e dini se kush me kë krijoi këtë, që e la Shqipërinë jashtë…
Bashkim Baholli: Me Gjiknurin nuk e di nëse eshtë rinegociuar. Ai më priti por unë në atë kohë kisha dalë nga skema.