spot_img
spot_img

Si mund t’i hiqet non grata doktor Saliut

spot_img

Qëkur ish-kryeministri Berisha u shpall i padëshirueshëm – si quhet rëndom në vend non grata – nga ShBA e më vonë nga Mbretëria e Bashkuar, ka një këmbëngulje të pajustifikuar nga një numër figurash pranë tij që mbrojnë se sapo opozita të vijë në pushtet dhe z.Berisha të ulet sërish në kolltukun e kryeministrit, etiketimi i tij dhe i familjes së tij do të revokohet.

Si shembull i referohen një numri të vogël liderësh afrikanë, shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez dhe kryeministrit aktual të Indisë Narendra Modi.

Në një kohë kur ky diskutim është rindezuar, pasi z. Berisha humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office” duhen qartësuar disa pika:

Së pari, shpallja e tij i padëshiruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe fakti që Komisioni Special i Apeleve la në fuqi vendimin e Home Office nuk ka lidhje direkte me vendimin e SHBA, ndonëse hedh dritë mbi atë që mund të mund të jetë përgjigjia e gjëkatave në Francë.

Së dyti, revokimi i shpalljes së padëshiruar të atyre liderëve afrikanë nuk ishte vendim i Departamenti Amerikan të Shtetit, por i Departamentit Amerikan të Thesarit dhe bëhet fjalë për dyshime invazioni fiskal jo korrupsion aktiv ose pasiv.

Së treti, nobelisti Marquez nuk u lejua të shkelte në tokën amerikane për dekada, prej bindjeve të tij të shekullin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara ishin në luftë me komunizmin. Vendimi u anullua në vitin 1995 nga presidenti Clinton.

Paralelizmi në këta rast nuk qëndron. Ndryshe nga Marquez, ndaj të cilit kjo masë u mor mbi baza ideologjike, non-grata e Berishës nuk është e lidhur me aktivitetin e tij politik e idetë e tij por me aktivitetin e jashtëligjshëm, kur ai ka qenë në pushtet.

Së katërti, kryeministri i Indisë, Narendra Modi nuk është shpallur ndonjëherë non-grata nga SHBA ose MB. Si bëhet publike edhe nga ambasada e SHBA në New Delhi, në vitin 2005, z. Modi, asokohe kryeministër i provincës së Gujaratit, nuk iu dha një vizë diplomatike për në SHBA, pasi qëllimi i vizitës së tij në SHBA nuk i plotësonte kriteret për dhënien e kësaj vize.

Atij, po ashtu, i është revokuar viza turistike/ e punës që mbante, bazuar mbi nenet që skualifikojnë çdo zyrtar qeveritar të huaj të marrë vizë të SHBA-ve, i cili “është përgjegjës ose ka kryer drejtpërdrejt, në çfarëdo kohe, shkelje veçanërisht të rënda të lirisë fetare”.

Vendimi i Ambasadës së SHBA në New Delhi, bëhet e qartë se i referohet shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shkurt- Maj 2002, në provincën që Modi qeveriste. https://2001-2009.state.gov/p/sca/rls/rm/2005/43701.htm

Pra DASH, deri më sot, nuk ka revokuar ndonjëherë asnjë vendim për shpalljen të padëshiruar të ndonjë politikani. Por nëse rastet e lartpërmendura shihen si precedent, ka nevojë për pak qartësim nga ana e atyre që barazojnë rastin e Berishës me to:

1. Qasja e vendeve të zhvilliuara ndaj Shqipërisë, si anëtare a NATO-s dhe aspirante për BE, a duhet të jetë qasja ndaj “një republikë bananesh” që nuk gjen dot liderë të pastër e të rinj? Pra ai duhet këtyre vendeve ta bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj politikanëve tanë si ndaj atyre afrikanë?

2. Gabriel Garcia Marquez është ndër ato shkrimtarë që kanë arritur të thyejnë muret mes botëve dhe të bëjnë zërin e të shtypurve të dëgjohet në të ashtuquajturën botën e parë. Pena e papërsëritshme e realizmit magjik që denoncoi diskriminimin dhe margjinalizimin ndër dekada është ndër ata që kontribuan në zhvillimin e politikave më përfshirëse.

Marquez vërtet u ftua nga Presidenti Clinton në Shtëpinë e Bardhë, por nderimi i merituar erdhi pasi ai i paepur në idealizmin e tij kishte zënë në krye të tavolinës së letërsisë. Cili kontribut i z. Berisha mund të krahasohet me atë të Marquezit?

3. Tashmë në mandatin e tretë të qeverisjes së Indisë, Modi është një figurë shumë kontroverse, më shumë i njohur për politikat e tij jo fort miqësore ndaj sikhëve dhe myslimanëve, paçka se e mohon me forcë këtë. Vizitat e tij në SHBA, më e fundit vitin e kaluar, janë shoqëruar nga protesta masive.

Gjithësesi, ai është kryeministri i vendit me popullsinë më të madhe në botë –rreth 1.42 miliard – dhe i një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë, ndërsa vetëm shifra zyrtare e emigrantëve indianë në SHBA është gati sa dyfishi i popullsisë së Shqipërisë.

Me fjalë të tjera, kryeministri Modi mund të ulet pa droje të negociojë me Shtëpinë e Bardhë se ka çfarë thotë e çfarë ofron.

Po doktor Berisha çfarë mund të thotë ndyshe prej akuzave e bajate te ballkoni?

Lajmet e fundit