Shqipëria po përballet me një sfidë të madhe në fushën e arsimit.
Të dhënat nga Fondi Europian i Trajnimeve (ETF), të siguruara nga Monitor, tregojnë se afërsisht 47% e qytetarëve mbi 15 vjeç kanë arritje të ulëta arsimore, ndërsa 35.2% kanë njohuri mesatare. Vetëm një pjesë e vogël, 18.1%, mund të konsiderohet me arsim të lartë.
Kjo situatë përbën një problem serioz: një numër i madh qytetarësh nuk mund të lexojnë apo shkruajnë një deklaratë të thjeshtë dhe kanë vështirësi me përllogaritjet bazike matematikore. Për pasojë, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Pse mbetemi pas?
Zhvillimi teknologjik po ndryshon botën me ritme të shpejta, por Shqipëria nuk po ecën me të njëjin ritëm. Sipas INSTAT, në vitin 2024, vetëm 1.8% e qytetarëve të moshës 25-34 morën pjesë në arsim ose trajnim formal dhe joformal. Për moshat më të mëdha, kjo shifër bie nën 0.5%.
Arsyeja kryesore është mungesa e infrastrukturës së duhur për aftësim dhe trajnim profesional. Në Shqipëri, mungojnë qendrat e posaçme për këtë qëllim, ndërkohë që shkollat profesionale nuk kanë arritur të tërheqin mjaftueshëm të rinj.
Sfidat demografike
Një tjetër faktor i rëndësishëm është ndryshimi demografik. Shqipëria po përjeton një plakje të popullsisë dhe emigracion të lartë. Në Tiranë po përqendrohet pjesa më të madhe të popullsisë, ndërsa zonat e tjera po boshatisen. Ky fenomen ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në sistemin arsimor, i cili po përballet me rënien e numrit të nxënësve, veçanërisht në arsimin profesional.
A ka zgjidhje?
Shqipëria ka mundësi të përfitojë nga fondet europiane për të përmirësuar situatën. Programi i Europës Digjitale, me një buxhet prej 7.5 miliardë euro deri në vitin 2027, është një mundësi për zhvillimin e arsimit dhe teknologjisë.
Megjithatë, për të arritur ndryshime të prekshme, duhen hapa konkretë: investime në shkolla profesionale, krijimi i platformave online për trajnim dhe ndërgjegjësim mbi rëndësinë e arsimit të vazhdueshëm. Pa këto masa, Shqipëria rrezikon të mbetet shumë pas.