spot_img
spot_img

Desada Metaj ankohet se ka marrë mesazhe kërcënuese nga Ilirjan Celibashi

spot_img

Gazetarja Desada Metaj, ka bërë me dije se ka marrë mesazhe intimiduese nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Kjo për arsye se Metaj ka publikuar në portalin VNA disa shkrimi investiguese per tenderat e dyshmite që Celibashi ka kryer si titullar i Institucionit.

“Dje VNA publikoi dy shkrime investigative lidhur me një tender në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Të dy shkrimet janë mbështetur në dokumente dhe në të dhëna zyrtare, të verifikueshme.

Pas publikimit, jam kontaktuar personalisht nga kryetari i KQZ-së, z. Ilirjan Celibashi, lidhur me këto shkrime. I kam bërë të qartë se VNA është e gatshme të publikojë çdo sqarim zyrtar të KQZ-së për procedurat e tenderit, për aq kohë sa ai sqarim vjen institucionalisht dhe lidhet me faktet e publikuara.

Një sqarim i tillë nuk erdhi.

Në vend të tij, sot kam mësuar se z. Celibashi ka thirrur në zyrë subjektin që nuk ka fituar tenderin. Pas këtij takimi, pronari i këtij subjekti, Granit Gjana, më ka telefonuar për të më thënë se z. Celibashi i kishte kërkuar të më kontaktonte, me qëllim që unë të mos merresha më me të.

Dua të sqaroj publikisht se nuk e njoh z. Granit Gjana dhe se ai nuk është personi që është ankuar në VNA për problematikën e tenderave në KQZ.

Ndërkohë, z. Celibashi më ka dërguar mesazhe dhe më ka telefonuar me një gjuhë që, për mendimin tim, nuk i shkon një zyrtari të lartë shtetëror, aq më pak drejtuesit të institucionit që administron zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë.

E siguroj z. Celibashi se nuk më intimidon as me gjuhë juridike, as me presione politike, as me telefonata jashtë çdo standardi institucional.

Nëse z. Celibashi mendon se ka një problem me shkrimet e VNA-së, rruga është shumë e thjeshtë: të dërgojë një sqarim zyrtar, të paraqesë dokumente, ose t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë. Për çdo rast, mesazhet dhe telefonatat me të mund t’i vë në dispozicion të drejtësisë.

Me drejtësinë, z. Celibashi ka më shumë afri profesionale.

Unë, ndërkohë, do të vazhdoj t’i qëndroj besnike të vërtetës dhe dokumenteve”, shkruan ajo.

Lajmet e fundit