14 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të pasurit e vendit në “skaner”. Në sitë 33 të parët, do t’u hetohet burimi i të ardhurave

    Nga shpenzimet ditore te ato mujore për faturat e dritave e ujit, apo pagesat e tjera bashkë me pronat apo makinat luksoze… 33 personat me të ardhurat më të larta në vend do “skanohen” nga Administrata Tatimore.

    “Synimi deri në vitin 2027 është krijimi i sistemeve, regjistrave dhe kapaciteteve për verifikimin e të ardhurave dhe pasurisë së pashpjeguar, duke synuar që ky proces të shtrihet në rreth 500 tatimpagues të regjistruar dhe rreth 200 individë”, sqaron Ministria e Financave.

    Për të vërtetuar se paratë e harxhuara nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do të krahasohet vlera e shpenzuar me të ardhurat që individi ka pasur atë vit.

    “33 apo 200 persona janë një kampion shumë i vogël krahasuar me popullsinë. Duhet shtrirë më tej për të skanuar gjithë të pasurit që i kanë paratë nga burime të pajustifikuara”, tha për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Edision Zaçaj.

    Nga ana tjetër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, “tatimet” do të “fusin në lupë” të gjithë zotëruesit e makinave luksoze në vend.

    Për të vërtetuar se paratë me të cilat është blerë automjeti nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do të krahasohet vlera e makinës me të ardhurat personale që zotëruesi i saj ka pasur gjatë këtij viti.

    “Plotësimi i regjistrit të pasurive të tatimpaguesve do të bëhet fillimisht për 10%për qind të tatimpaguesve brenda muajit dhjetor 2026. Janë 128.000 taksapagues aktivë në vitin 2023 dhe pritet të ketë një regjistër për 10 për qind, ose afërsisht për 12.800 taksapagues brenda vitit 2026”, sqaron më tej Ministria e Financave.

    Po për të hetuar pasurinë do të ngrihet edhe Regjistri i Aseteve të tatimpaguesve me synimin e një vlerësimi real të pasurive të individëve apo bizneseve.

    “Është një hap pozitiv do të thosha nëse do të ketë vullnet për të luftuar pastrimin e parave në vend”, nënvizoi Zaçaj.

    Brenda këtij viti parashikohet të ngrihet sistemi i hetimit pasuror që do të batohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bashkë me atë të Transportit Rrugor. Në rastet kur do të gjendet se vlera e automjetit nuk justifikohet, zotëruesi do të çohet për hetim.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit