Grekët ia kuptuan vonë kimetin shqiptarëve. Kështu thotë Eraldo Ziu, tiktokeri i famshëm nga Lushnja, shef kuzhine në një prej restorteve më të mira në botë.
Eraldo tregon në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV se kanë ndryshuar shumë kohërat, shqiptarët janë përshtatur mirë në Greqi, janë bërë biznesmenë dhe në bizneset e tyre kanë punësuar shumë grekë.
Disa janë larguar në vende të tjera, dhe askush nuk e bën punën si shqiptarët, por grekët këtë e kuptuan pak me vonesë.
“Në videot e mia unë mundohem të marr llafet që thonë grekët për shqiptarët dhe të bëj humor me to. Për të treguar se të rinjtë tani nuk kanë më probleme siç patëm ne më parë dhe nuk janë më ato mendimet që kanë pasur greket për shqiptarët. Ka ardhur dita që grekët fillojnë e flasin shqip.
Shumë shqiptarë kanë biznese nëpër Greqi dhe kanë punësuar grekë, në restorante, ndërtim, tokë. Pra kanë ndryshuar shumë kohërat. Shqiptarët kanë ecur përpara, kanë hapur biznese dhe punësohen në të shumë grekë. Është një punë që kanë bërë me djersë, e meritojnë.
Shumë shqiptarë janë bërë me letra dhe janë larguar nga Greqia. Ka shumë mungesë për punëtorë. Tani shikojnë të afrojnë punëtorë nga shtetet e tjera, Azi, Afrikë. Por gjithmonë thonë që si shqiptarët nuk punon asnjë. Pas shumë vitesh tani e kanë kuptuar kimetin e shqiptarëve. Pak vonë, por e kuptuan”, tregon Eraldo