13.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    U mbyllën bujshëm, rikthehen pas 5 vitesh ndalim bastet, si ndryshoi qëndrim Rama

    Deputetët e PS-së kanë miratuar sot rikthimin e basteve sportive në vend pas pesë vitesh e dy muajsh ndalim.

    Asokohe ato u mbyllën nën fushatën e bujshme të emërtuar “Fundi i Marrëzisë” që pa mijëra makineta të sekuestruara e mbylljen e të gjitha pikave të basteve sportive.

    Bastet në vend u bënë të paligjshme nga 1 janari 2019. Asokohe qeveria Rama vendosi largimin e të gjitha kazinove në periferi si dhe mbylljen e lotove.

    Kreu i qeverisë pohonte se bastet sportive ishin të dëmshme për familjet shqiptare duke sjellë probleme të shumta sociale e ekonomike, teksa citonte edhe librat e shenjtë Biblën e Kuranin që i ndalonin ato.

    Në deklarata të mëvonshme ai e mbrojti vendimin  për mbylljen e basteve duke thënë se ishte vendimi më i mirë që mund të bëhej.

    Megjithatë rreth një vit e gjysmë më parë ai nisi një kthesë të lehtë duke thënë se ishte i hapur të dëgjonte grupet e interesit.

    Për këtë ai organizoi disa takime me përfaqësuesit e industrisë e sportit duke hapur shtegun e asaj që e quajti legalizimi i basteve.

    Çfarë parashikon ligji i ri për bastet

    Ligji parashikon vendosjen e kritereve kushtëzuese për të marrë pjesë në garë, duke caktuar kuotën limit 30 për qind të aksioneve për aksionerët e huaj në kompanitë konkurruese, si dhe mekanizmin e ankandit për të përzgjedhur fituesit.

    Deputetët vendosën që të sanksionojnë përjashtimin e organizatorëve të “Basteve sportive online” nga sponsorizimi i skuadrave sportive, si dhe hoqën nga anëtarësia e Komisionit për dhënien e Licencave, Presidentin e Federatës Kombëtare të Futbollit dhe Presidentin e Komitetit Olimpik.

    Një pikë e re u shtua në lidhje me kontrollin e shtetit mbi veprimtarinë e kompanisë koncesionare që ka ndërtuar dhe mirëmban sistemin qendror të monitorimit ‘online’. Ky kontroll do bëhet nga komisioni i licencave nëpërmjet auditimit. Ndryshime u bënë dhe në nenet për normën e fitimit të lojtarëve të lotarive kombëtare që nga 80 për qind u ul në “jo më pak se 50 për qind”.

    Në gjithë vendin do licencohen 10 operatorë  ndërsa subjekti që do aplikojë për licencë apo të paktën njëri nga aksionerët e kompanisë duhet të kete përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE-së ose OECD-së.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit