Capital T, përmes një postimi në Instagram, ka bërë një reagim kundrejt gazetarit Robert Bojaj, pasi në emisionin “N’mal a n’deti” në ATV u pretendua se artisti u kërkon të rinjve 50,000 euro për një bashkëpunim. Në emision ishte i ftuar artisti Besart Gashi, i cili thoshte se Capital T i kishte kërkuar shumën e parave për të realizuar këngë me të.
“Sa pare të ka kërkuar? 50,000, më shumë apo më pak, për të realizuar një këngë me ty?”, e pyet Roberti, duke shtuar: “Jo Jay Z, por Capital T”.
Besarti tha se i ka kërkuar më shumë.
Capital T në videon e publikuar u shpreh se e bën muzikën për qejf dhe s’i ka kërkuar kurrë para dikujt për një bashkëpunim.
“Çfarë qëllimesh dashakeqëse, çfarë gjuhe e urrejtjes, e papërgatitur komplet, thjesht për të më përlyer emrin dhe imazhin. Kam afër 20 vite karrierë dhe s’ka shanse të dalë dikush që (të thotë se) i kam kërkuar pagesa, edhe pse normalisht kështu funksionon bota. Unë deri sot s’kam pasur as menaxhim, as menaxher, i kam bërë vetë të gjitha, gjithmonë.
Edhe bashkëpunimet i kam bërë për qejf me njerëz që kam dashur, qofshin artistë të afirmuar apo të rinj. Robert Bojaj, shihemi në gjykatë”, shkruan Capital T në përshkrimin e videos, ndërsa te kjo e fundit shprehet që edhe djali i intervistuar do të shkojë gjithashtu në gjyq, pasi këngëtari do t’i padisë për prishje të imazhit.
Artisti bëri edhe një reagim për këngën “Hatixhe”, në të cilën Besarti dhe Roberti thoshin se ai s’i ka dhënë para familjes së këngëtares.
“Informacion: Kënga “Hatixhe” është pronë e producentit Mixey, bashkëpunëtor i imi e unë isha mysafir, por që për këngën janë marrë leje dhe nga një etnitet që ka pasur të drejtat për të gjitha materialet e televizioneve në ish-Jugosllavi, si “RTP”, para luftës dhe po ashtu, edhe zonja Hamide (Sadiku) është shpërblyer, pa nevojë ligjore, por thjesht humane e morale, edhe pasi është marrë leja”.