Bujar Hudhri, botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare, rrëfeu çastet e fundit të ndarjes nga jeta deri te tmerri i urgjencës në rrugët me trafik.
I pyetur nëse Kadare ka lënë një dorëshkrim, botuesi tregoi pasigurinë por edhe besimin se një botim i ri do të vijë.
“Sa herë që më ka shkuar mendja se një ditë e tillë do të vinte, mua më kujtohej Rinasi me avionin që sillte Kadarenë.
Mbas një muaji që e përcillja sërish dhe e ndiqja me sy derisa avioni zhdukej. Në njëfarë mënyre, më duket sikur ai është në një planet tjetër, nuk është me ne.
Kjo diku sot quhet panteoni i letërsisë botërore. Ai iku fizikisht, por vepra e tij e klasit të parë është pasuria më e madhe që i ka lënë këtij kombi. Kjo do të kuptohet në brezat që do të vijnë.
Ishte një moment shumë dramatik kur më lajmëruan menjëherë që të shkoja se diçka kishte ndodhur.
Kur e pashë të shtrirë në atë korridor që e kisha parë shpesh herë në këmbë, të qeshur, solid, që dukej sikur nuk do të ikte kurrë nga kjo botë.
Më pas erdhi ambulanca, një ambulancë shumë e thjeshtë, pa ndonjë impiant që mund t’i vinte në ndihmë të sëmurit.
Më pas me zor kemi çarë rrugët e Tiranës, ku megjithëse ulërinte sirena, njerëzit nuk hapnin rrugën.
Po them, ai rreziku… në Shqipëri nuk të hapin rrugën. Unë e ndjeva, isha me shoferin, i cili gjithë kohën shante dhe thoshte kjo është e përditshmja. Kjo është alarmante.
Këtu nuk them vetëm për Kadarenë, ky është një hall për të gjithë. Në urgjencë, të gjithë mjekët u angazhuan duke treguar se diçka jo e mirë po ndodhte dhe më pas heshtje”, u shpreh Hudhri.
Pas kësaj deklarate ka reaguar shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, duke hedhur poshtë akuzat.
Sipas tij, ambulanca që mori Kadarenë kishte të gjitha kushtet e nevojshme dhe se ndihma mjekësore shkrimtarit i është dhënë sipas protokollit.



