5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    11 huqet e ndyra të shqiptarëve

    Nga Bledi Mane

    Kanë një shprehje interesante tironcit e vjetër: Vesi del me shpirtin. Për veset e lindura edhe shkenca ngre duart lart por sot flasim për veset e mësuara apo të kopjuara. Si racë e rrahur nga dimër i ashpër dhe diell përvëlues, me jastëk malin dhe legen me ujë të kripur detin, duket se përvetësojmë në mënyrë të pavullnetshme disa zakone të pështira prej të cilave nuk ndahemi kollaj. Një shtëtitje nëpër rrugët rurale apo urbane, nëpër fshatrat apo qytetet tona nuk përbën asnjë dallim. Femra dhe meshkuj të veshur ndryshe, të qethur ndryshe, më këmbë apo me makinë, të kamur apo të s’kamur që sillen dhe reagojnë njësoj. Para jush nje e nga një huqet më të ndyra e më të spikatuar që formojnë një pjesë të identitetit tonë grotesk:

    1-Femrat që shkojnë dyshe ose treshe në banjë.

    Ndjehen më të sigurta, furça njëra-tjetrës dhe pa dyshim me brekë nëpër këmbë pak thashetheme të shpejta.

    2-Shkundja e cigareve në filxhanin e kafesë.

    Mirë që rrimë gjithë ditën në kafe duke marrë në gojë gjithë dynjanë por as higjenë dhe estetikë personale nuk tregojmë. Pasi mbarojmë së rrufituri kafenë vazhdojmë shkundim hirin dhe fikim cigaren në filxhanin ku para 3 minutash puqnim buzët dhe po në atë filxhan pak më vonë unë ose ti do pimë sërish kafen e rradhës.

    3-Shfryrja e qurrave dhe gëlbazat e hedhura vend e pa vend.

    Je duke ecur me gruan ose me shokët? Një hap shkëputës majtas ose djathtas, me dorën e djathtë blloko vrimën e majtë të hundës, merr frymë thellë dhe shkëpute. Qurret me shpejtësi skëterrë lëshohen direkt në trotuar. Më pas edhe një nxjerrje gëlbazash dhe sekrecionesh, fërkim duarsh në vend të pastrimit dhe vazhdo ec pa më të voglin siklet.

    4-Kruajtja e koqeve në publik.

    A mund të jesh burrë nëse nuk kruan koqet në publik? Duhet pak superioritet dhe vitalitet. Ça jemi ne, pjeshka???

    5-Takat e larta buzë detit.

    Këto torrollaket tona mirë që sfilojnë gjithë vitin në Bllok, në punë, në shkollë apo te dyqani i lagjes por edhe kur shkojnë për pushimet e verës në Jal ose Dhërmi shikon të njëjtat fytyra por kësaj here me një ndryshim. Të xhveshura me rroba banjoje por pa hequr scarpinat, takat e larta, duke shitur pordhë para laçianëve ose vlonjatëve buzë detit të Jugut.

    6-Dhjerja me emergjencë

    Studimet e fundit tregojnë se shumica e shqiptarëve dhjesin shpejt, bëjnë dush shpejt dhe ngasin makinën shpejt. Të duket sikur axhenda e tyre është super e ngjeshur por në të vërtetë shpejtësia e tyre nuk i çon asgjëkundi. 2 minuta dhjerje, 3 minuta dush, 4 minuta vozitje me makinë, 84 minuta kafe&llafe.

    7-Kolektivitet bastexhinjsh

    Megjithëse qeveria mbylli lojërat e fatit, fatin e tyre nuk e lanë jetim. Ilegalisht djem e burra që zgjohen e ngrysen me kofiçentë rezultatesh në kokë.Emocione dhe ndjesi të tjetërsuara. Abandonim të familjes dhe shoqërisë. Pará të shpenzuara për bllofet e ndyra dhe në fund katandisje halabakërie pa askënd pranë.

    8-Zagarë të politikës

    Çdo ditë shajmë e mallkojmë politikën dhe aktorët e saj. Anatemojmë liderë e parti. Urrejtje patetike dhe neveritje por…

    Dhe vjen dita e zgjedhjeve. Ne sharësit mbajmë të parët rradhën për të votuar të sharët.

    9-Meshkuj llapaqenë

    Pavarësisht namit, gratë e shkreta janë më racionale. Ato janë gjithë ditën të zëna. Punë te shteti ose te privati, bërje pazari, kujdes për fëmijët, gatimi, punët e shtëpisë, telenovelat orientale dhe ndoshta një kafe me shoqet. Burrat shqiptarë? Intrigantë dhe thashethemexhinj profesionistë që mbulojnë këto perversitete të poshtra gjasme me mashkullitetin dhe pamjen e rëndë në fytyrë. Hipokrizi me 5 yje kjo e jona.

    10-Besimtarë hipokritë, frikacakë me patentë.

    Nëse shkon në kishë, xhami apo teqe në rast festash do gjesh karakurvat, kryekriminelët, hajdutët, maskarenjtë e politikës. Njëri ndez qiri, tjetra mbulohet me perçe, njëri mban kreshmë, tjetri ramazan. I luten e i përgjërohen Perëndisë në mënyrën më të paskrupullt dhe sapo dalin nga pragu i kultit fetar, shkojnë sërish si qeni te muti. Rifillojnë mashtrimet, vjedhjet, vrasjet…

    11-E shajmë dhe e mallkojmë Shqipërinë

    Me përjashtim të rasteve kur ka ndeshje futbolli midis Shqipërisë me Greqinë ose Serbisë me Shqipërinë patriotizmi ynë shpërthen si bombë molotov. Pas 24 orësh fillon refreni kanceroz kolektiv:

    Ky vend nuk bëhet, do iki, nuk rrihet këtu, pa bukë, pa ujë, pa drita!

    Dhe ikin, ikin e dergjen në kurbet. Larg vendit të tyre pa krushqi, pa kafe të stërzgjatura, pa njohje, pa thashetheme, me ujë, pa diell, me bukë, pa miq. Rrinë gjithë ditën 24 orë në internet duke parë çfarë ndodh me vendin e tyre, me njerëzit e tyre. Dhe kur u shkon Sinan Hoxha atje në kurbet me koncertet e tij, shkojnë me vrap të dëgjojnë tallava, të kërcejnë dhe ashtu tapë nga alkooli dhe nostalgjia qajnë dhe qurraviten:

    -Kur të vdesim na varrosni në Shqipëri se këtu në emigrim nuk na llogarit njeri!

     

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit