spot_img
spot_img

A mund të bësh humor me pedofilinë?

Në programin “Me nder jush” në Andale Media, një moment mes komedianit Denis Taullaj dhe Zhaklin Lekatarit si e ftuar u kthye shumë shpejt nga një bisedë e zakonshme në një debat më të madh: a ka tema që nuk duhen prekur fare nga humori?

Dialogu devijoi kur Denisi ndërhyri me një batutë që e lidhi deklaratën e Zhaklinës me pedofilinë. Reagimi i saj ishte i prerë: “Kjo ishte shumë pa shije.”

Biseda e plotë:

Denisi: “S’të pëlqejnë fëmijët. E do mitrën të pastër.”

Zhaklina: “Jo, nuk ka lidhje. Fëmijët më pëlqejnë shumë. Nuk është e vërtetë.”

Denisi: “Të pëlqejnë shumë fëmijët?”

Zhaklina: “Po. Kjo nuk do të thotë që më pëlqen që ta kem një për vete.”

Denisi: “Edhe pedofilët këtë thonë.”

Zhaklina: “Është shumë e shëmtuar kjo që the, se pedofilia…”

Denisi: “Pedofilia është e poshtër. Unë e urrej. Shpeshherë te stand up-i im, do ta shikosh kur të vish, unë bëj shumë batuta pedofilie, por me qëllim që [ta kritikoj].”

Zhaklina: “Jooo, kjo ishte shumë pa shije.”

Denisi: “Shiko, se nuk do të jenë të gjitha në shijen tënde.”

Zhaklina: “Do ta bëj serioze sepse këto janë tema delikate dhe nuk mund të tallesh me tema delikate. Më vjen keq.”

Denisi: “Ti nuk mund të gjykosh humorin për pedofilinë, mund të gjykosh pedofilinë.”

Shumica e komenteve e refuzuan batutën: “Shaka pa kripë. Edhe shakatë e kanë një kufi”, “Deri ku arrin një gazetar për shikueshmëri”, “Tmerr, të tallesh me gjëra të tilla që duhet të dënohen”, “E para herë që jam dakord me Zhaklinën”, “Zhaklina, bravo!” etj.

Por jo të gjithë e panë kështu. Një pjesë më e vogël e lexoi si humor të zi: “Batuta e vitit, më shkrive,” shkroi dikush. “Është humor i zi, o populli më mistik në botë,” tha një tjetër.

Po kush është Denisi në këtë histori?

Denis Taullaj nuk është një gazetar që “e teproi për klikime”. Ai është stand-up comedian, me shfaqje që shpesh janë sold out. Dhe një pjesë e stilit të tij është pikërisht dark humour (humor i zi), një lloj humori që nuk kërkon gjithmonë të jetë i këndshëm për publikun. Denisi ka një humor që provokon, që ngacmon, që nuk kërkon domosdoshmërisht miratim nga të gjithë.

Edhe vetë “Me nder jush”, i vetmi i këtij lloj në ekranet shqiptare, nuk është një hapësirë “safe”. Është një format që jeton nga batutat, shpesh edhe nga ato që kalojnë kufirin e batutave të këndshme.

Pra, pyetja nuk është vetëm “a ishte batuta e tepruar?”, por edhe “a po e gjykojmë një komedian jashtë kontekstit të tij?”.

Çfarë është realisht humori i zi?

Humori i zi nuk është thjesht “të bësh shaka me gjëra të rënda”. Në versionin e tij më të mirë, ai ekspozon absurditetin, kritikon dhe trondit publikun që të mendojë ndryshe. Në teori, ai nuk tallet me viktimën, por me absurditetin e situatës, me shoqërinë, me perversitetet e kësaj bote. Dhe po, shpesh është i sikletshëm.

Komedia botërore ka plot shembuj: Ricky Gervais, Jimmy Carr apo Anthony Jeselnik janë ndërtuar pikërisht mbi këtë lloj humori, batuta që në një kontekst tjetër do të konsideroheshin “too much”. E megjithatë, kanë publikun e tyre besnik, megjithëse jo gjithëpërfshirës. Sepse humori i zi nuk synon të pëlqehet nga të gjithë.

Reagimi në rrjete sociale është i pritshëm

Kur batuta të tilla bëhen pjesë e formateve të tilla, ato nuk konsumohen më nga i njëjti publik që ka “blerë biletën” për atë lloj humori. Aty përplasen dy botë: ata që e lexojnë si provokim me qëllim komik dhe ata që e lexojnë si mungesë ndjeshmërie.

Vetë Denisi reagoi në studio duke nënkuptuar që ky lloj humori, në rastin e tij, nuk vjen për të normalizuar apo lehtësuar një fenomen si pedofilia, por për ta vënë në një dritë tjetër, shpesh përmes ironisë, shpesh përmes provokimit. Një teknikë që në stand-up përdoret shpesh: e çon publikun në një zonë të pakëndshme, pikërisht që të reagojë. Dhe ky është një dallim i rëndësishëm, sepse një gjë është të tallesh me viktimën dhe gjë tjetër është të përdorësh një temë të rëndë për të sfiduar mënyrën si reagojmë ndaj saj.

Problemi? Kur batuta shkëputet nga konteksti i një stand up-i dhe vendoset në një bisedë në një media apo, më pas, në një video të shkurtër në rrjete sociale. Aty mungon ajo “kontrata e heshtur” që publiku i stand up-it bën me komedianin: që mund të dëgjojë edhe diçka që nuk i pëlqen.

Në këtë kuptim, reagimi i fortë nuk është i habitshëm, por as batuta e Denisit nuk është jashtë karakterit të tij si komedian.

Në fund, ndoshta pyetja nuk është “çfarë lejohet” dhe “çfarë jo”, por “çfarë pritshmërish ke?”. Nëse hyn në një hapësirë ku humori i zi është pjesë e ADN-së, si në stand up-in e Denisit apo në formate si “Me nder jush”, atëherë një pjesë e këtij risku është gjithmonë aty.

Në këtë kuptim, ajo që ndodhi nuk është një “lajthitje për klikime”, por pikërisht ajo që bën humorin e zi të jetë i tillë: fakti që jo të gjithë do ta pranojnë, jo të gjithë do ta duan dhe, mbi të gjitha, jo të gjithë do ta kuptojnë. (Anabel)

spot_imgspot_img

Lajmet e fundit