18.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Pse po përsëriten zjarret në pallatet “me kapotë” në Tiranë

    Dorin Xhima

    Lajmi për zjarrin në pallatet pranë QSUT është vërtet shqetësues, sidomos kur bëhet fjalë për një përsëritje të ngjarjes. Zjarri edhe këtë herë goditi pikërisht atë që inxhinierët dhe ekspertët e sigurisë e quajnë “paradoksi i fasadave moderne”.

    Këto lloj fasadash që njihen si “të ventiluara” janë të bukura por paraqesin rrezik ekstrem nëse nuk përdoren materialet e duhura.

    ​Fasada e ventiluar ndërtohet duke lënë një hapësirë ajri midis murit të pallatit dhe veshjes së jashtme. Ky ajër shërben për izolim termik. Mirëpo, në rast zjarri, kjo hapësirë boshe funksionon si një oxhak. Flaka gjen oksigjen të mjaftueshëm në atë kanal dhe ngjitet me shpejtësi marramendëse nga kati i parë në të fundit, duke e bërë të pamundur fikjen nga jashtë.

    Raportimet e medias për rastin përmendin poliretanin. Ky është një material izolues shumë i mirë për nxehtësinë, por nëse nuk është i trajtuar me lëndë kundrazjarr (anti-flakë), ai është shumë i ndezshëm dhe digjet me shpejtësi të madhe. Për më tepër është edhe toksik sepse gjatë djegies lëshon tym të zi dhe gazra helmues (si cianidi i hidrogjenit), që janë shkaku kryesor i vdekjeve në zjarre, para se flaka të mbërrijë te njerëzit.

    Ajo që e bën më të rrezikshme situatën është që gjatë zjarrit, panelet e jashtme mund edhe të shkëputen dhe të bien poshtë të ndezura, gjë që rrezikon zjarrfikësit dhe njerëzit që tentojnë të dalin nga pallati.

    Në teori, fasada e ventiluar është shumë e sigurt nëse përdoret leshi i gurit (material që nuk digjet) në vend të shkumës poliretan, dhe nëse instalohen “barrierat kundrazjarr” çdo dy kate për të ndaluar efektin oxhak.

    Ky i ngjarjes së fundit është një pallat që ka marrë flakë dy herë për të njëjtin shkak (fasada). Kjo tregon një dështim serioz në mbikëqyrjen e punimeve pas ngjarjes së parë. Rasti te ish-Parku i Autobusëve ishte gjirhashtu një paralajmërim që duket se nuk u mor parasysh sa duhet nga standardet e ndërtimit.

    Pra është një situatë ku estetika dhe kursimi i energjisë kanë rënë ndesh me sigurinë jetësore. Pas kësaj ngjarjeje duhet të ketë një kontroll real të të gjitha pallateve që kanë këtë lloj veshjeje në Tiranë. Nuk ka një shifër publike të saktë të tyre.

    Por pothuajse çdo leje ndërtimi e dhënë për zona si Komuna e Parisit, Ish-Blloku, rruga e Elbasanit, apo pallatet e reja buzë Unazës, parashikon këtë lloj fasade.

    Bashkia e Tiranës dhe Instituti i Ndërtimit të pyetur dje nga DITA nuk kanë regjistër ku të specifikohet cilat pallate kanë fasadë të ventiluar dhe më e rëndësishmja, çfarë materiali izolues kanë brenda.

    Nëse brenda ka lesh guri (rockwool), rreziku i zjarrit është thuajse zero.
    ​Nëse brenda ka poliretan ose polisterol (shkumë/isopor), pallati është teknikisht një “fitil” gjigant që pret shkëndijën.

    Leshi i gurit kushton rreth 30-50% më shumë se materialet plastike (poliretani). Shumë ndërtues, për të rritur fitimin, mund të kenë deklaruar në letër materiale anti-zjarr, por në realitet kanë vendosur shkumë të ndezshme. Duhet të kontrollohet që në ndërtim nga Bashkia certifikata e rezistencës ndaj zjarrit e materialeve që futen në kantier.

    Ngjarja te QSUT dhe ajo te ish-Parku i Autobusëve tregojnë se është emergjencë kombëtare që Ministria e Brendshme (Zjarrfikësit) dhe Instituti i Ndërtimit të bëjnë një auditim fizik (jo vetëm në letra) të fasadave të ventiluara. Të verifikohet nëse janë instaluar “fire barriers” (breza kundrazjarr prej metali ose leshi guri) midis kateve, që ndalojnë flakën të ngjitet lart.

    Pa këto të dhëna, çdo qytetar që jeton në një pallat “modern” me pllaka të bukura nga jashtë, nuk e di nëse është i sigurt apo jo. Ka blerë me çmim stratosferik rrezikun.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit