Në televizion, identiteti shpesh ndërtohet në raport me diçka tjetër. Me një format, me një paraardhës, me një histori personale. Rrallë ndodh që ai të qëndrojë më vete. Për një kohë të gjatë, edhe Ledion Liço është parë kështu – gjithmonë në raport me diçka tjetër.
Por në një moment të caktuar të karrierës, një figurë publike nuk ka më nevojë të prezantohet përmes asaj që ka qenë, as përmes asaj që ka zëvendësuar, as përmes njerëzve që e kanë rrethuar. Emri qëndron i plotë, pa kllapa sqaruese.
Ky është pikërisht momenti ku ndodhet sot Ledion Liço. Jo ai i “Top Select”, as ai i “The Voice”, as zëvendësuesi i Arbanës në “Big Brother VIP”, as (ish-)burri i Sara Hoxhës. Thjesht: Ledion Liço.
Ky edicion i “Big Brother VIP” e bëri këtë më të dukshme se herët e tjera. Nuk pati një ndryshim rrënjësor në mënyrën si moderon, por këtë herë u pa më qartë si njeri. Kaq mjaftoi për të ndryshuar mënyrën si u lexua nga publiku.
Mbështetja që mori këtë sezon ishte e pazakontë. Shumë e pranonin hapur se po e ndiqnin spektaklin për të, edhe kur personazhet brenda nuk i tërhiqnin. Kjo nuk lidhej as me elokuencën, as me humorin, cilësi që ai i ka pasur prej vitesh dhe që publiku i njeh tashmë. Ajo që ndryshoi ishte mënyra si ai qëndronte me veten në ekran.
Ledioni nuk u përpoq të kontrollonte çdo emocion. Përkundrazi, lejoi që disa prej tyre të shiheshin. “Unë po jetoj një periudhë të jetës time në të cilën nuk dua të dëgjoj më këngë të trishta,” i tha ai Elvana Gjatës, një fjali që vështirë se i përket një formati televiziv.
Kjo qasje u reflektua edhe në mënyrën si komunikoi me banorët. Me Juelën, kur foli për rikthimin te dashuria, nuk tha fraza motivuese të gatshme, por pranoi se nuk është një proces linear. Me Stelinën, nuk e shtyu rrëfimin drejt një kureshtjeje të tepruar për hir të audiencës. Ndërsa me Nikolin, foli jo si moderator, por si prind, duke thënë se nuk i kupton nënat që braktisin fëmijët.
Te Selin, reagimi ndaj performancës së saj me “Never Enough” ishte i sinqertë. Kënga flet për pamjaftueshmërinë e famës, pasurisë dhe duartrokitjeve pa dashurinë e vërtetë, dhe ai nuk u përpoq ta shpjegonte emocionin që tashmë ishte i dukshëm.
Edhe në finale, në një moment që zakonisht përdoret për efekt skenik, Ledioni zgjodhi një ton tjetër. Pa bërë moral siç bëjnë moderatorët zakonisht, pa fraza ekzaltuese që kërkojnë duartrokitje, tregoi gjatë surprizës për të se çfarëdo ndodh mes një çifti me fëmijë, familja mbetet familje.
“Kjo është hera e vetme që unë e lejoj veten të jem kaq vulnerabël si Ledion, jo si moderator. Jam në një pikë që e kam shumë të vështirë të lotoj, më duket sikur më janë tharë lotët. Por nuk jam fort i bindur që meritoj asgjë nga këto që kam. Dhe nuk jam fort i bindur që unë dhe shumë nga e gjithë kjo meritojnë Sara Hoxhën.”
Kjo mënyrë e të qenit në skenë është shumë larg Ledionit të viteve të kaluara. Por kjo pjekuri nuk ka ardhur nga hiçi. Ajo është produkt i përjetimeve personale po aq sa edhe i një rruge të gjatë profesionale, që shpesh është lexuar në mënyrë të pjesshme.
Në vitin 2003, Ledion Liço fitoi “Pole Position”, një format që kërkonte më shumë sesa prezantim. Aty nisi një rrugë që kaloi nga “Top Select” te “Top Albania Radio”, më pas te “Wake Up” përkrah Eno Popit – një shkollë e përditshme ritmi dhe komunikimi – dhe vijoi me prime-time si “The Voice of Albania”, finalet e “Top Fest” dhe “E Diell”.
Kjo rritje profesionale ka ndodhur përpara çdo lidhjeje sentimentale që më vonë u përdor për ta reduktuar suksesin e tij, shpesh të përmbledhur në etiketën e “dhëndrit të Topit”, duke lënë në hije gjithçka që kishte ndërtuar më parë ndër vite.
Në këtë kuptim, Ledioni i sotëm nuk është një version i ri, por kulmi i një procesi. Një figurë që nuk ka më nevojë të provojë, sepse nuk po përpiqet më të bindë.
Sot, Ledion Liço duket realisht në prime-in e vet si moderator. Nëse zgjedh ta mbajë këtë raport me ekranin, ka çdo mundësi të mbetet një nga figurat më të qëndrueshme dhe më të respektuara të televizionit shqiptar.
– Shkruar nga Sindi Salaj, kryeredaktore e Anabel Media.



