20.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Dashuria jonë për një copë vulë paskësh qenë shumë e madhe…

    Nga Edona Llukaçaj

    Dashuria jonë për një copë vulë paskësh qenë shumë e madhe. Festimet për marrjen – a dhënien – e saj tek “Mustafa Matohiti” apo si thirret rëndom “rruga e Salës” me këngë e me valle, si të ishte dasëm a synetllik, nuk kanë fund. Thua se ata që e prisnin kishin dyshime se vula iu takonte e do iu jepej, sado shtremaluqe që mund ta etiketojmë drejtësinë.

    As në kahun e mazhorancës entuziazmi nuk qe i paktë. Në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste vërtet vallja nuk u hoq mulçe. Por ndihej në ajër bindja dhe ngazëllimi se, për sa vula është legjitimisht në dorën e Berishës, ata mund t’ia festojnë partisë 35 vjetorin, e po i dha Zoti jetë doktorit, edhe 40-vjetorin duke ia kaluar vulat e pushtetit në dorë njëri tjetrit çdo disa muaj, me urdhër të shefit.

    Dëshirën për të pasur në dorë vulën e për të mos e lëshuar, paçka se sa mund t’i kushtojë kjo vendit, të njëjtë e paskan pasur edhe elita jonë intelektuale, akademikët tanë në universitete, si po dëshmohet këto ditë në universitete.

    Siç tashmë dihet gjerësisht, pas pak ditësh, më 21 Qershor, mbahen zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve publike në vend përgjatë 4-vjeçarit të ardhshëm. Këto zgjedhje kanë domethënie të madhe, sidomos në një kohë kur arsimi i lartë po përballet me vështirësi ekzistenciale si numri i reduktuar i studentëve apo mospërmbushja jo e rrallë e standardeteve të cilësisë.

    Shpalosja e platformave nga kandidatët – një farë fushate elektorale mes akademikësh – që duhej të adresonte parësisht këto problematika presupozohej të niste një muaj para datës së caktuar të zgjedhjeve. Por për shumë kandidatë nuk ka qenë e nevojshme të kenë ndopak platforma zhvillimore.

    Mbajtësit e ardhshëm të vulave në arsimin e lartë janë po aq të parashikueshëm sa janë ata në politikë, sa do të jenë mjaftuar me përshëndetjen e tarafeve të veta nga ndonjë ballkon a me ndonjë foto në timon.

    Në fakt, për shumë prej posteve drejtuese, si për rektor, si për dekan si për përgjegjës departamenti, në garë ka një kandidat të vetëm, sidomos për postet kur kandidati në fjalë kërkon një mandat të dytë. Gjasat janë se pretendentët e tjerë potencialë nuk janë lodhur të garojnë. Jo se nuk ia ka ënda ta mbajnë vulën, por se nuk duan telashe me shefin e ardhshëm, kur dihet se kush do fitojë, pasi duhet të fitojë.

    Por edhe në rastet kur në garë ka më shumë se një kandidat, nuk priten surpriza. Vulëmbajtësit e ardhshëm qëndruan larg idesë që të fitojë më I miri dhe përdorën të tjera aftësi bindëse.

    Dosjet e shumë aplikuesëve për titullin akademik “profesor” dhe “profesor i asocuar”, që ishin pluhrosur duke pritur të shqyrtoheshin dhe të tjera që u përgatiten shpejt e shpejt morën përgjigje me shpejtësi të pazakontë. Titujt dhe benefitet e tyre janë një e mirë që nuk harrohet e që, padyshim, shpërblehet me votë.

    Në fillim të vitit akademik që po përfundon, krejt papritur, departamentet u mbushën me pedagogë të rinj, shumica e tyre vetëm me Master të Shkencave (MSc). Pa vënë në dyshim se ne mesin e tyre ka të rinj mjaft premtues dhe individë që e kanë merituar kontratën me kohë të plotë, nevoja e dëshpëruar që paskan pasur departamentet, pikërisht tani, për rishtarë, që ligjërisht janë ndihmës lektorë hedh hije dyshimi.

    Dyshim bëhet më i qenësishëm kur kësaj kategorie, me një urdhër të kaluar si pa u ndjerë në ndonjë universitet shumë prestigjioz në vend, i jepet mundësia të votojnë në zgjedhjet e 21 Qershorit, çfarë më parë nuk lejohej për ata që nuk kishin mbushur një vit punë.

    Sigurisht, kjo të bën të mendosh nëse në departamente vërtet nuk kishte kush të ndihmonte lektorët, pra të fotokopjonte cilësisht materialet, apo nuk kishte kush të votonte për vulosësit.

    Kandidatura e një sërë vulë-dashuronjësve, në fakt, është kontestuar. Punimet e plagjarizuara të disa prej kandidatëve tashmë janë publike. Ashtu si është bërë publike mungesa e aktivitetit të mirëfilltë akademik nga ana e tyre.

    Edhe pse publikimi i plagjiaturave pikërisht tani më duket më fort si një hakërrim kundërmues, njëlloj si era që lëshojnë gomat e djegura çdo javë para bashkisë e që bëjnë pak përshtypje, ata dëshmojnë gjendjen e mjeruar të institucioneve tona të arsimit të lartë.

    Si vetë fushata e votimet e pas disa ditëve, dëshmojnë për njollosje të akademisë. Dëshmojnë nevojën për një reformë e vetting në IAL publike a jopublike, që të paktën universitetet të mos jetë qepaze vulash.

    Dëshmojnë nevojën për një zhvillim të vendit që mund të fillojë dhe mund të arrihet vetëm përmes kthimit në vlerën e vet të arsimit të lartë. Atëherë ta ëndërrojë vulën kush të dojë, pasi ajo, gjithësesi, do shkonte në dorën e kujt e meriton, me ose pa valle.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit