Endri Meksi, pronar i MCN TV, ka pranuar publikisht në ekranin e tij se për llogari të Ergys Agasit, biznesmenit kontrovers i shpallur në kërkim nga SPAK prej muajsh, ka bërë ndërhyrje në lajme duke hequr akuzat për të.
Meksi, që pranon se më parë ka qenë mik me Ergys Agasin, thotë se ky i fundit, ka bërë pis një pjesë të madhe të gazetarëve të politikës dhe ekonomisë, por mbi të gjitha, ka njollosur e ka bërë pis botën e gangove në Shqipëri, duke u premtuar gjëra të pamundura.
“I mori në qafë të tërë, duke u premtuar përralla. I gënjeu, siç më gënjeu dhe mua”, pranon në sinqeritet Endri Meksi.
Ai tregon telefonatën që Agasi i ka bërë ndaj një informacioni të transmetuar në MCN TV. Pronari i medias, natën, ka bërë ndërhyrje në kronikë duke hequr pjesën që akuzonte Agasin. Kjo ka ndodhur në qershorin e vitit të kaluar. Meksi thotë se është bërë pishman, por veprimi i tij ka lënë gjurmë në sistem.
Pjesë nga deklarata e Endri Meksit:
“Në fakt do të duhet të ndërpres. Unë isha miku i tij dhe kam fajet e mia përsa i përket tentativave për të obskuruar lajmet e MCN TV kundrejt ndihmës ndaj Ergys Agasit. E kam thënë edhe tjetër herë, nuk jam ai çuni i mirë, se unë e kam shkelur këtë rrugë. Eshtë një lajm i Arsen Rustës ditët e fundit të majit a fillimit të qershorit 2025, që është prerë një minutë e gjysëm në mes, është akoma në youtube, unë kam lënë gjurmë për këtë prerje, me kërkesë të Ergys Agasit.
Nuk jam ai çuni i mirë. Duhet ta themi se ai lajm është aty, kam lënë gjurmë në sistemin e brendshëm informatik të kompanisë, ku i kam thënë administratores, e kam treguar se çfarë bëra e si e preva natën. Eshtë procesi trimming që prihet videoja. Zoti Agasi ishte shumë i mërzitur me zotin Rusta që kishte bërë punën e tij. Porosia ishte dhënë nga unë, dhe unë i them: nuk ke pse mërzitesh me gazetarin se s’ka asnjë faj se është porosia e imja.
Gys Agasi nuk është ai gangsteri që paraqitet. Ka bërë pis botën e gangove. Eshtë mallkimi I tyre në Shqipëri. Jam unë, s’jam unë gjallë këtu, me muaj a vite më vonë, koha do tregojë se për ç’ka po them unë kam njëmijë përqind të drejtë. Ai është mallkimi i grupeve, i çunave të fortë shqiptarë. I mori të tërë në qafë duke u premtuar përralla. I gënjeu siç më gënjeu mua e plot të tjerë. Ka gënjyer njerëzit e medias, ka bërë pis gazetarët nga më seriozët e ekonomisë apo politikës, me premtimet e tija nga më idiotet edhe më absurdet.
Ai shkatërroi Linda Karçanajn me një karrierë në IT dhe në shtet. Ai shkatërroi biznesmenë të ndryshëm që kishin një jetë në tregun e informatikës, relativisht seriozë. I vetmi që mendoj që e ka përkrahur dhe është shumë i lumtur dhe për shkak të karakterit që e njoh është Ermal Beqiri, një sharlatan si Ergys Agasi. Të tjerët janë njerëz seriozë, kanë biznese me nga 20, 50, 70 vetë punë, Gentian Likaj, Andis Papaj, Enea Buza, etj me radhë. Geront Meçe gjithashtu përfshirë.
Mund të kenë bërë pjesë të shkeljes së natyrës së ligjeve, nuk po e quaj korrupsion sepse do provuar është më serioze, por thyerje të rregullave dhe i bëjnë të tërë të mos bëjmë hipokritin, por nuk kanë qenë kurrë të çmendur për të kaluar në histori absurd, nga çokollatat e deri tek pengmarrjet që Gys Agasi inicioi.”




