Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në autostradën Mamurras–Laç, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit, ku është dhunuar barbarisht ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit në Lezhë, Sokol Toma.
Ndërkohë është bërë një reagim zyrtar nga policia, e cila ka lajmëruar se grupi hetimor ka shkruar menjëherë në vendngjarje. Si edhe shton se janë sekuestruar pamjet filmike në një territor të gjerë dhe janë duke u kqyrur për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Njoftimi i plotë: Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 09.05.2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, në afërsi të kryqëzimit të Sanxhakut, ku shtetas ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, shtetasin S. T., 53 vjeç, banues në Lezhë, të cilit i kanë shkaktuar dëmtime në trup, sqarojmë se: Menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive, ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në një territor të gjerë, dhe po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kujtojmë se Toma ka pësuar lëndime të rënda fizike nga dhunimi barbar. Raportohet se 53-vjeçarit i janë thyer këmbët dhe i është prerë një pjesë e veshit.
Po ashtu, mediat raportojnë se autorët kanë qenë të maskuar dhe, pasi e kanë sulmuar me sende të forta, i kanë marrë edhe telefonin celular.
Më pas, ai është gjetur nga kalimtarët në makinë, në gjendje shoku, dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.




