23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    E përditshmja e Kabul-Shqipërisë sonë

    Nga Xhuljana Lakuta*

    Shqipërinë e ’97 nuk e kam jetuar sepse sapo kisha lindur. Por në kujtesën e mëvonshme më ka mbetur shprehja e njerëzve që më rrethonin që, nuk e di pse këto ditë më erdhi ndërmend sërish “Ne jemi si në Kabul”.

    Ma thotë e pavetëdijshmja sa herë lajmi kryesor i ditës është një burrë i cili ka kryer krimin e radhës; Sërish një burrë që vret një grua.

    E gjej veten të them “Ne jemi si në Kabul” sa herë që dikush shan nëpër dhëmbë nga xhami i makinës, vetëm pse ti, një vajzë në timon, parakalove brenda rregullave të qarkullimit rrugor apo kur për një vend parkimi zgjidhja e parë është, në rastin më të mirë dhuna verbale dhe në rastin më të keq shkrepja e armës.

    Ndërkohë që më ndodh ndonjëherë që kur parkoj gabim mendoj 2 gjëra: “Obobo do të vijë karroatreci të më marrë makinën” dhe “Do marr gjobë”, dhe sa mendoj këto, tentoj të gjej zgjidhje, të gjej parkim me patjetër, duke shmangur problemet me ligjin. Pastaj ka dhe nga ata që s’çajnë kokë fare, mund ta lënë edhe parkim dysh mundësisht, të të bllokojnë dhe rrugën, e kanë fikur dhe makinën, s’janë aty dhe ti duhet të gjesh zgjidhje nga të kalosh.
    Dhe për ironi të fatit, kësaj makinës që ka thyer 2-3 rregulla njëkohësisht, nuk i shkon askush.

    Çfarë keqardhje ndjej që asgjë nuk ndryshon nga njëri rast në tjetrin.

    Shkoj në dyqan dhe shoh qytetarë që refuzojnë të respektojnë radhën, ose sa herë që blej diçka askush nuk më jep një faturë. Dhe nëse ia kërkon me shumë mirësjellje faturën, u duket sikur po kërkon më shumë nga ç’duhet dhe bezdisen, ndërkohë që po të vjedhin!

    Kohët e fundit po shihja shtëpitë me qira. Në Tiranë ka qindra apo mijëra apartamente me qira, por asnjë individ i shtresës së mesme me një page mesatare, dhe këtu s’po llogaris fare ata të shtresë së ulët, nuk e ka mundësinë financiare ta marrë një banesë me qira, sepse ato nisin nga 750 euro deri në 1500 euro.
    Nëse shtresa e mesme se përballon dot kush i paguan këto qiratë e larta? Kush i monitoron? Me çfarë të ardhurash i paguajnë qytetarët këto qira?

    Kemi rritur standardet pa ditur cili është kapaciteti ynë maksimal dhe kjo është të rrezikosh pa e ditur se si do të jetosh nesër! Por rreziku është kthyer në normalitet për të gjithë, dhe kështu po shtyjmë e shtypim njëri-tjetrin çdo ditë!

    Një rrumpallë e madhe më duket shpesh vendi im, teksa shoh përditë njerëz që dalin jashtë çdo forme njerëzore komunikimi dhe thyejnë kufijtë e tjetrit…
    Si një rrumpallë e madhe më duket edhe mungesa e komunikimit këto kohë në parlament ku dhuna verbale, madje dhe ajo fizike përdoret si mjet për të treguar forcën edhe aty.

    E frikshme sepse në themel të çdo sistemi të shoqërisë shoh se “më i forti” fizikisht dhe prej statusit të cilit gëzon, arrin të fitojë përmes kompromiseve dhe hileve.

    Ne nuk marrim vesh i pari të fundit, ne nuk marrim vesh as i pari të dytin, ne jemi bërë një telefon i prishur, i cili nga njëri vesh në tjetrin, vetëm interferon gabim.

    Në vetvete çfarë kemi nënkuptuar me Kabulin? E kuptoj në Shqipërinë e ’97 sepse sapo kishim dalë nga një luftë e çmendur po sot pse e dëgjoj sërish të thuhet “Ne jemi si në Kabul”?

    Ndoshta sepse përditshmëria jonë është një luftë nervash!

    *Gazetare e programit “Ftesë 5” në Top Channel

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit