Eduart Grishaj ka zbuluar në një intervistë për Euronews Albania arsyen e shkëputjes së tij dhe Arbana Osmanit nga televizioni.
I ftuar për të ndarë detaje mbi projektin e tij më të ri kinematografik, filmin “Pasaporta”, i cili ka premierën më 17 janar, Grishaj foli për rëndësinë e projektit të tij më të fundit dhe arsyen që qëndron pas largimit momental të tij dhe partneres së tij, Arbana Osmanit nga ekrani.
I pyetur nga moderatori Flori Gjini në emisionin “People”, Grishaj rrëfeu se vendimi për të bërë një pushim nga televizioni ishte i planifikuar dhe jo i beftë:
“Pas shumë viteve në televizion, menduam se ishte momenti i duhur për të bërë diçka tonën, për kënaqësinë dhe dëshirën tonë. Filmi ‘Pasaporta’ është një projekt që e kemi dashur dhe do të vijojë me një sezon tjetër pas një shkëputjeje të shkurtër.”
Është përfolur shpesh për një përçarje midis dyshes së partnerëve dhe televizionit të mëparshëm ku ishin të punësuar, Top Channel, çështje për të cilën Grishaj sqaroi:
“Kjo pauzë ishte e nevojshme për ne dhe nuk lidhet me asgjë tjetër. Është thjesht një hap që deshëm ta ndërmerrnim.”
Përsa i përket rikthimit në televizion, Grishaj tha se edhe pse është i përqendruar në prodhimet filmike, ai nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi, duke u shprehur:
“Gjithmonë kam synuar të miksoj pasionet e mia. Pas këtij filmi, ndoshta do të rikthehem në televizion.”