Skandali i fundit i Credit Suisse ka bërë jehonë në gjithë botën.
Sipas të dhënave paraprake rezulton se ka edhe shqiptarë në “listën e zezë” të llogarive të fshehta në këtë banke të fuqishme të Zvicrës.
Gazetari investigativ italian, Lorenzo Bagnoli është pjesë e rrjetit investigues që ka zbuluar skandalin në IrpiMedia.
“Të dhënat na vijnë nga një burim i panjohur. Ne u mblodhëm dhe u bëmë një rrjet gazetarësh që duhet të verifikonim korrektësinë e këtyre të dhënave.
Punë e vështirë, sepse bëhet fjalë për të dhëna e llogari bankare që janë sekrete e konfidenciale. Në disa raste, siç kemi zbuluar, as autoritetet gjyqësore nuk ishin lejuar nga banka të kishin pasur akses në këto llogari.
Janë rreth 30 mijë mbajtës llogarish bankare me rreth 80 miliard paund depozita që janë persona problematikë me dënime për korrupsion dhe rekorde kriminale”, tha Bagnoli.
Por a ka shqiptarë në këtë listë? Gazetari italian u shpreh se janë 30 shqiptarë që rezultojnë me llogari bankare në këtë Bankë, por duhet pritur për emrat e tyre derisa paratë dhe statusi i tyre social të verifikohen.
“Puna ka filluar një vit më parë, ka pasur përfshirje të mëdha apo më të vogël nga mediat e interesuara. Rreth 700 italianë ishin aty, por të paktën 400 nuk e kanë më shtetësinë, rreth 30 shqiptarë janë gjithashtu tek të dhënat që po përpunohen.
Do të punojmë me këta dhe mbi këta. Politikanë shqiptarë të fshehur? E konfirmoj, që ka shumë politikanë me llogari të fshehta në këtë bankë. Jemi duke punuar pikërisht me këtë, nuk mund të japim ende info konkrete, pa verifikuar emrat.
Ka shumë politikanë, po. Një prej arsyeve është niveli i lartë i sekretit bankar që aplikonte kjo bankë”, tha gazetari italian.