Andi Bushati, një komentator politik që deliron nëpër studio, me një ngrefosje ku i lexohet mbushamendja se dhe në Uashington ose Bruksel duhet ta pyesin më parë atë para marrjes së ndonjë vendimi, shpërfaqi atë që më shumti urrente i ndjeri Fatos Baxhaku në shkrimet kritike të kolegëve: ligësinë mes rreshtash.
Njeriu që me madhështinë e modestisë së vet, s’ju bashkua kurrë kësaj skote që sot ka pushtuar studio e deliron nën bindjen se janë ata zotër të mendimit publik, duke preferuar të bëjë një gazetari sa më njerëzore dhe të pakollarisur me falsitet, është dhe pasqyra ku duken shëmtueshëm tipa si Andi Bushati, prej vitesh pa asnjë lëndë gazetareske origjinale, shndërruar në llafazanë të pahonepsshëm studiosh, degraduar deri në rrugaçëri e ligësi.
Kjo mund dhe duhet të thuhet pas asaj çfarë ndodhi një natë më parë në Open, ku Bushati fyu paturpësisht Ergys Mërtirin, duke e quajtur lëtyrë e ditëzi, një njeri që sido penëhidhur në shkrimet e tij, shumë më kualitativ se Bushati, edhe më i kulturuar gjithashtu në terma të njohjes dhe zbërthimit të botës njerëzore, nuk përdor etiketime apo ofeza të tilla ndaj askujt që kritikon ose shpotit.
E ka bërë këtë Bushati dhe me të tjerë, me ata të cilët nuk pajtohet, duke e trajtuar mospajtimin e tij si një zhvillim më rëndësi globale, prej një delirizmi që e përcjell dhe në artikulim e gjestikulacione, sidomos në fundtjerrjet e tij, teksa ngre duart përpjetë e më pas i kryqëzon ato sfidueshëm. Nuk është e vështirë të kuptohet se nanuriset me ndenjën se ajo që thotë ai është e vërteta e madhe, për aksh njeri apo aksh çështje, ajo që të tjerët s’po munden ta zbulojnë e thonë e ai po.
Me një mungesë të theksuar modestie, edukate, sensi etik kur debaton, gjithashtu dhe kur shkruan, asgjë më pas nuk e pengon të degradojë në ligësi, siç ndodhi dhe një natë më parë në Open, në një shfrim rrugaçëror ndaj Ergys Mertirit, vetëm pse ky i tha se është ndër analistët me vilë. Po, është e vërtetë. Është ndër ata figura mediatike xhepplot, jo për meritë të tij, por nga një mbrapshti tipike shqiptare në sistemin e vlerave që bën zengjinë njerëz komplet bosh, por të sajuar e krejt fals, në mekanizmat e një shoqërie më e pakta në krizë morale.
Dhe më kryesorja: s’ka turp! Po. Kohë më parë, do bëhej publike një pjesë e errët e të atit të tij, Mehdi Bushati, nga njëra anë një figurë sportive e nga ana tjetër një ish-zyrtar famëkeq sigurimi, të cilit iu numëruan të pabërat në atë kohë, në fate njerëzish.
Në mos zgjodhi të dilte sërish në publik, pa asnjë fije droje për atë se ç’bishë kish qenë i ati, s’paku, si moralist i madh i vetëpretenduar, ia kishte borxh publikut dy fjalë si biri i një babai deri dhe gjaksor. Nuk e bëri. Nuk e bëri, pasi nuk i funksionojnë gjendrat e ndjeshme të turpit. U vërtetua kjo në gojështhurrjen ndaj Ergys Mërtirit.