Shqipëria renditet ndër vendet evropiane me javën më të gjatë të punës, me një mesatare prej 41.4 orësh në javë, duke u pozicionuar e dyta në Evropë, pas Malit të Zi.
Të dhënat për vendet me numrin më të lartë të orëve të punës tregojnë se Mali i Zi kryeson Europën me 44.2 orë në javë, ndërsa Shqipëria vjen menjëherë pas tij. Në vendin e tretë renditet Bosnjë-Hercegovina, me 40.8 orë.
Diferenca me ekonomitë e zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe Veriore është e konsiderueshme. Në Holandë, mesatarja është vetëm 26.8 orë në javë, niveli më i ulët i paraqitur në hartë. Norvegjia regjistron 27.1 orë dhe Danimarka 28.8 orë.
Edhe disa prej ekonomive më të mëdha evropiane kanë një javë pune dukshëm më të shkurtër se Shqipëria. Gjermania rezulton me rreth 29.6 orë, Franca me 30.8 orë, Mbretëria e Bashkuar me 31 orë, Italia me 33.9 orë dhe Spanja me 31.6 orë.
Kështu, një i punësuar në Shqipëri rezulton se punon mesatarisht rreth 10 orë më shumë në javë se një i punësuar në Mbretërinë e Bashkuar apo Spanjë, rreth 11 orë më shumë se në Francë dhe pothuajse 15 orë më shumë se në Holandë.
Megjithatë, numri më i lartë i orëve të punës nuk duhet interpretuar automatikisht si produktivitet më i lartë. Ekonomitë e zhvilluara karakterizohen përgjithësisht nga produktivitet më i lartë për orë pune, automatizim më i madh, përhapje më e gjerë e punës me kohë të pjesshme dhe struktura të ndryshme të tregut të punës.
Në rang botëror, diferencat bëhen edhe më të mëdha. Sipas të dhënave të përmbledhura nga World Population Review nga burime të ILO dhe OECD për vitin 2025, Bhutani kryeson botën me 54.5 orë pune në javë. Pas tij renditen Sudani me 50.8 orë dhe Lesoto me 50.2 orë.
Në grupin e vendeve me javën më të gjatë të punës gjenden gjithashtu Republika e Kongos me 48.7 orë, Emiratet e Bashkuara Arabe me 48.4 orë, São Tomé dhe Príncipe me 48.2 orë dhe Jordania me 47.8 orë. Pakistani regjistron 47.5 orë, ndërsa India 45.8 orë.
Mesatarja globale llogaritet në rreth 38.7 orë pune në javë, çka do të thotë se Shqipëria qëndron rreth 2.7 orë mbi mesataren botërore.
Llogaritja është bërë duke marrë në konsideratë të dhënat formale, por edhe ato informale nga tregu i punës.




