Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të heqë orën policore, që ndalonte qarkullimin e njerëzve pas orës 23:00, duke lehtësuar disi masat anti-Covid në vend, për shkak se situata epidemiologjike paraqitet më e qetë.
Megjithatë, mbetet në fuqi paraqitja e pasaportës së vaksinimit, ose testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në Shqipëri, me përjashtim të fëmijëve deri në 6 vjeç. Si dhe vijon të mbetet në fuqi mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, dhe kufizimi deri në 30% të kapacitetit për grumbullimet në hapësirat e mëdha, si stadiume apo kinema.
Shefja e infektivit, Najada Çomo, tha se shtrimet në spital, nga 175 që ishin një muaj më parë, sot janë në nivelin e 50 personave. “Gati 70% janë forma të rënda, 10% janë forma kritike. Të shtruarit janë të pavaksinuar. Kemi vdekje çdo ditë. Nëse do të ishin vaksinuar pa diskutim që numri i humbjeve të jetës do të ishte shumë më i ulët”, tha ajo.
Sa i përket situatës epidemiologjike te fëmijët, shefja e departamentit infektiv në spitalin pediatrik, Gjerogjina Kuli, tha se në javën e fundit ka një ulje të ritmit të shtrimeve. “Kemi vetëm 7 fëmijë në spital, të cilët janë në gjendje. Këmbëngulim te vaksinimi te moshat mbi 12 vjeç, sepse janë vënë re ndërlikime për shëndetin dhe jetën nga infektimi me Covid”, tha ajo.
Masat e tjera
Ata që janë të infektuar me virusin do qëndrojnë të izoluar në 5 ditë nga 10 ditë që ka qenë
Për gjithë qytetarët që do hyjnë mbetet në fuqi paraqitja e pasaportes se vaksinimit ose e testit PCR në 72 orët para mbërritjes dhe ata që nuk kanë këto dokumente vijon të mbetet në fuqi izolimi.
Në aeroporte do lejohen të hyjë vetëm pasagjerët që mbajnë maskën si është e rekomanduar.
Mbetet ne fuqi mbajtja e maskës në gjithë ambientet e mbyllura.
Mbeten në fuqi masat për grumbullimin në aktivitete kulturore e sportive.
Mbetet në fuqi lejimi për grumbullimin deri në 50 persona.