Nga Bledi Mane
Nëse të ka kërcënuar partia, qeveria, krimi kombëtar apo mafia lokale duhet urgjent të na mbledhësh të gjithë ne gazetarëve e së bashku të shkojmë në polici, prokurori, në Spak të shohim e të transmetojmë “live” faktet e provat e tua.
Qytetarët e këtij vendi paguajnë taksa që jeta e një deputeti të jetë e sigurtë e të mbrohet nga policia, agjentët e krimeve, garda, ushtria, forcat speciale. Imagjino nëse kërcënohesh ti dhe shteti nuk të mbron po me një qytetar të zakonshëm anonim që nuk ka as lekë për avokatin mbrojtës çfarë ndodh?
Ndaj dil Marjana, shfaqu, nuk ka rëndësi se iu largove Partisë Socialiste, nuk ka rëndësi se ku do ulesh në parlament, e rëndësishme është ti shkundësh institucionet të cilët kanë detyrë të të mbrojnë ty edhe ne.
Dil, shko në parlament e fol, shko në protestë e fol, tako qytetarët e fol, fol me prokurorët e me ambasadorët e mos u fshi pas statuseve në rrjetet sociale. Ti je deputete e vërtetë, nuk je virtuale si Diella, nuk je prej silikoni si influencueset qylaxhije, nuk je as hajdute tokash në Zvërnec.
Ti duhet të jesh trime, je përfaqësuese e sovranit që merr rrogë të majme sa 30 protestues bashkë, paguhesh me dieta edhe kur vjen në Tiranë, merr tollona nafte edhe kur del për kafe, të paguhet fatura e telefonit, hoteli, sekretarja, udhëtimet jashtë, madje edhe kur të mos jesh më deputete do vazhdosh të marrësh 30% të rrogës nga taksat tona…
Dil mos ki frikë Marjana bëhu si ne gazetarët që marrim çdo javë 30 kërcënime e nuk trembemi por vazhdojmë punën tonë. Madje qeveria e re e Flamingove ka premtuar që kur të vijë në pushtet do na tredhë fare ndërsa qeveria tjetër e Pilinçit do na burgosë në Spaç.
Dil Marjana, fol edhe për ne dhe hyr në bisedime me qeverinë e Pilinçit, të paktën burg do bëjmë por nuk do na tredhin kur të marrin pushtetin!



