Gazetari Bledi Mane ka folur në “Live From Tirana” në Top Albania Radio për protestën e qytetarëve që sot ka shënuar ditën e 25 të saj.
I pyetur nga gazetari Ronaldo Sharka në është pro investimit, Mane tha se është pro investimit në Zvërnec, pasi sipas tij plazhi aty është shumë i ndotur.
“Kam qenë në Zvërnec dy herë, është plazhi më i ndotur, ku nuk i dallon dot ujërat e zeza ndaj uji i detit dhe plehrat tona që hidhen tek ajo ura e drunjtë në Manastirin e famshëm”, tha Mane.
Lidhur me protestat, Mane ka bërë ironi duke thënë se protestat zhvillohen pasdite dhe jo paradite, pasi personat që protestojnë punojnë në administratë, ndërsa një pjesë tjetër sipas tij, marrin fonde nga shteti për projekte.
Më tej, Mane vuri në dukje se gazetarëve të Top Medias iu është dhënë liri të shkojnë në protestë pa asnjë lloj problemi, por ata sipas tij, duhet të mbrojnë edhe median e tyre nga sulmet e padrejta.
“Ne jemi të dy pjesë e Top Albania Radio dhe ke dëgjuar ato epitete në protestë kundër Top Channel. Më thuaj një masë ndëshkimore që ka marrë menaxhmenti i Top Medias kundër një gazetari që po merr pjesë në protestë. Një pjesë e madhe e jona po merr pjesë në protestë, a ka marrë dikush ndonjë email? A i është ndërprerë dikujt rroga? A i është dikujt mos merr pjesë në protestë? Ti dil aty dhe mbro kompaninë tënde që po të lejon hapësirat e tua të lirisë, apo jo…”, tha Mane.
I pyetur për kritikat që ka marrë si një njeri që i bën fresk qeverisë, Mane u përgjigj:
“Po të lexosh se çfarë kam shkruar dhe kam thënë… Madje ne ishim në “Big Brother” nga dy herë dhe kurrë nuk e kemi përmendur qeverinë, që ishte programi më i ndjekur dhe mund t’i bënim fresk dhe asnjeri nuk na ndalonte dhe ishim live pa censurë e pa montazh.
Kështu që po të vësh re ka shumë njerëz që i atribuojnë vetes rolin e personit që në gojën tënde mund të fusin çfarëdo lloj fjalësh. Dhe pastaj kthehen tek vetja dhe komentojnë atë që e kanë nxjerrë vetë nga goja e tyre.
Problemi është që qeveria nuk luftohet as me kërcënime në Instagram, qeveris nuk luftohet as me sharje dhe ofendime nga robtë e vdekur dhe robtë e gjallë dhe ata që ende nuk kanë lindur, ata që janë te palca e kurrizit, po programohen. Dhe kjo lloj dhune verbale thellë-thellë po e shkërmoq protestën. Si gazetarë të vjetër që jemi, mua nuk më duket ndryshe nga protesta e PD-së.
Është protestë pa dhunë fizike, që për këtë kanë goxha meritë, është një protestë ku është parakaluar ngjyra rozë, ngjyra kuq e zi, atdhedashuria, hipokrizia. Por nga ana tjetër kemi dhe një protestë online e cila është makabre, në çdo sekondë e çdo minutë, kolegëve tanë u vijnë mesazhe shumë kërcënuese, shumë kanibaleske.
Dhe po ta vesh re për herë të parë në Shqipëri, ashtu si gjatë protestave Social-Demokrate të Hitlerit, njerëzit kanë dalë me parullat me fotot e gazetarëve, që është shumë, shumë e rëndë.
Pra ti u ekspozon armiqtë e ekspozuar kalamajve dhe nënave në turmë, pensionistëve, emigrantëve, diasporës, kosovarëve, shqiptarëve të Maqedonisë, ti u tregon në mënyrë të shenjuar që këta janë ata që na luftojnë ne, këta janë ata që qeveria i ka futur për të na luftuar ne. Pra një luftë e supozuar me armik të supozuar, por që ka një lloj kosto”.



