24.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Klithma ndaj makutërisë së mjekëve: mos kini frikë drejtësinë por Perëndinë!

    Nga Leonard Veizi

    Skandali i fundit tek Onkologjiku tregoi edhe një herë makutërinë e mjekëve që bëjnë para me thasë në kurrizin e të sëmurëve me kancer.

    Sado burrë i fortë të jesh, i kapur pas kodesh që të kuadratojnë të mbash mustaqe, kobure në brez, vezme me fishekë mbi shpatulla, kallashnikov në qafë, e ta kesh këmbëzën për të shkrepur topin po aq sa Mato Gruda, kur shkon te mjeku qëndron gatitu por me gjunjë të këputur, më shumë se para komandantit të divizionit. Dhe është gati që ky burrë zamani ta bëjë “çiçin në brekë” kur mjeku t’i japë mandatin se nuk i ka punët hiç mirë me shëndetin, dhe ca më i keq është lajmi kur të thotë se as më pak as më shumë por ke një kancer.

    -Mos e ke gabim o doktor… A t’i përsëris dhe një herë analizat?

    Jeta ka treguar se aty të laget baroti e të bie kallashi nga dora. Nga ai çast mjeku të duket si Perëndi. Vetëm nga ai ke shpresë. Dhe kapesh pas bluzës së tij si i mbyturi pas valëve të detit. Dhe kur je në ditë të tilla është e vërtetë që vetëm dy personazhe mund të të bëjnë punë e të të lehtësojnë barrën: Perëndia dhe Mjeku.

    Dhe po vuri dorë Perëndia, për mirë a për keq, u bitis puna. Ndaj të mbetet mjeku. Por kur mjeku është batakçi, punët shkojnë dhe më keq.

    Një pjesë jo e vogël mjekësh e kanë harruar Betimin e Hipokratit, ose as që e kanë bërë fare atë, përndryshe nuk ka si shpjegohet që mjeku ka zënë vendin e xhelatit.

    Por së fundmi na u bë e ditur se një grup mjekësh e ndihmësa të tyre na luanin një lojë llotoje në kurriz të pacientëve të sëmurë me kancer. Hidh e prit. Dhe ata të shkretët bridh lart e poshtë sipas interesave të mjekëve, vetëm se e duan jetën dhe kanë gjithmonë shpresë. Po me këta lloj mjekësh, që bëjnë ping-pong me ty, dhe numërojnë paratë se sa operacione duhen me kap pushimet në Maldive, duhet ta urresh jetën dhe t’ia heqësh vetes që të mos katandisesh deri në atë pikë sa të të heqin brekët dhe kanotieren, si tek ai skeçi i estradës së Shkodrës.

    -Ba me u ba biznecmen…  – i thosh kandidati për afarist nëpunësit të shtetit që do t’i jepte vulën, duke me heq pulovrën dhe pantallonat. – Merri dhe këto se s’më ka mbet ma gja.

    Dihet që kanceri është një sëmundje e rëndë, dhe shyqyr që shkenca ka ecur aq sa një pjesë ta shërojë plotësisht dhe një pjesë tjetër ta mbajë të presuar që të mos eci përpara. Por e gjithë lufta ka goxha kosto, – jo vetëm financiare, – të cilat i vuan pacienti. Kësaj kostoje i shtohet dhe humori i mjekëve që vënë baste me sëmundjen e tyre. Tani këta mjekë, ose besojnë se janë imunë ndaj kancerit dhe ai do t’i falë meqenëse janë të fushës dhe ia dinë hilenë punës, ose janë halabakë dhe mendojnë vetëm fitimin e shpejtë, po se çfarë ndodh më pas nuk ka ndonjë problem për t’u shqetësuar.

    Mjekësia në Shqipëri përballet me një sërë problemesh të mëdha që ndikojnë në cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe shëndetin publik në përgjithësi. Disa nga problemet kryesore përfshijnë mungesën e financimeve të mjaftueshme, largimin e mjekëve dhe infermierëve, infrastrukturën e pamjaftueshme dhe korrupsionin.

    Rastet e kancerit janë në rritje në Shqipëri, duke bërë që pavijoni i onkologjisë të përballet me një numër të madh pacientësh që kërkojnë trajtim të specializuar dhe të zgjatur. Faktorë si plakja e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës dhe ndotja mjedisore kontribuojnë në këtë rritje.

    Në disa raste, praktikat korruptive dhe tregu i zi kontribuojnë në shpërndarjen e medikamenteve të skaduara. Disa subjekte farmaceutike mund të përpiqen të shesin medikamente të skaduara për të minimizuar humbjet financiare, ose të përfitojnë nga mungesa e mbikëqyrjes së rreptë. Kjo është e papranueshme dhe kërkon masa të forta ligjore dhe administrative për të parandaluar dhe ndëshkuar këto praktika.

    Korrupsioni mbetet një problem i madh në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Ryshfetet dhe praktikat korruptive në shpërndarjen e fondeve dhe burimeve janë të përhapura, duke penguar shpeshherë përmirësimin e sistemit dhe uljen e besueshmërisë së publikut ndaj institucioneve shëndetësore. Pacientët shpesh duhet të paguajnë nën dorë për të marrë shërbime cilësore, çka rrit edhe më shumë pabarazitë dhe ndjenjën e padrejtësisë në shoqëri.

    Problemi me aparaturën e kobaltit tregoi edhe një herë shkallën e makutërisë së një pjese të personelit mjekësor. Aparaturë e nxjerrë jashtë përdorimit dhe e lënë në një cep të spitalit që rrezaton në vazhdimësi, aq sa të shkaktojë një ushtri tjetër të sëmurësh me kancer.

    Trajtimi i sëmundjeve malinje me kobalt ka qenë i përhapur mes vitet 1960 – 1980. Por prej shumë vitesh ai është hequr nga qarkullimi. Në Shqipëri procesi vazhdon akoma. Duket sa të avancuar jemi në këtë fushë. Dhe ai, nga një makineri që shërbente për të mëkëmbur pacientët tanimë është kthyer në një makineri që shkakton pacientë pa fund.

    Duket që Zoti ka ligjet e veta të ndëshkueshmërisë e ne nuk jemi askushi t’i ndërhyjmë e t’i ngatërrohemi nëpër këmbë. As mund të gëzohemi nga fakti që mjekë xhelatë janë bërë viktimë e makutërisë dhe idiotësisë së tyre. Sepse idiotësisë së mjekëve të onkologjikut për nxjerrjen jashtë përdorimit aparatit të kobaltit, i është kthyer me të njëjtën monedhë…

    Duhet pasur parasysh se aparati i kobaltit është një makineri e viteve ’60… dhe mjekët mirë kanë bërë që e kanë nxjerrë jashtë përdorimit. Por mjekët duhet ta dinë kaq gjë, që aparatura e kobaltit qëndron në një bunker hermetik për të shmangur rrezatimin. Sepse ai është gjithmonë i rrezikshëm. Dhe kur është “i fjetur”. Ndoshta nuk e dini, do të thoni ju… Se kjo është punë specialistësh të rrezatimit.

    Por a e dini kur ka ardhur aparatura e kobaltit në Shqipëri?

    Ajo është një teknologji e viteve ’60 të shekullit të kaluar. Për herë të parë me togfjalëshin kobalto terapi unë personalisht jam ndeshur teksa në vitin e largët 1980, – asokohe vetëm 12 vjeç, – lexoja në faqet e romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë. Ai ka një personazh mjek i cili kishte dëshirë të shkruante një libër me titullin e thjeshtë, sipas autorit: “Kronika e aparatit të kobaltit”. Dhe ja çfarë shkruan mes të tjerash Ismail Kadare, gjë ë e cila më ka mbetur në kujtesë këtu e më shumë se 40 vjet më parë.

    “Mjeku buzëqeshi me vete. Atij iu kujtua mëngjesi kur aparati porsa kishte mbërritur. Kjo kishte ndodhur dy muaj më parë. Aparati kishte mbërritur gjatë natës dhe në mëngjes asnjeri s’dinte akoma asgjë për të. Pastaj, dalëngadalë, aty nga dreka, në fillim mjekët, pastaj infermierët, pastaj sanitarët dhe më në fund të sëmurët, e muarën vesh se aparati kishte mbërritur. Ai ishte atje, i ambalazhuar në arka dhe i mbështjellë me kujdes me izolant special, megjithatë të gjithë e dinin se ai rrezatonte vazhdimisht rreze. Atë ditë dhe ditët e tjera që erdhën më vonë, ai kënd i oborrit filloi të braktisej. Askush nuk kalonte andej. Ndërkaq, inxhinierët po pajisnin me shpejtësi dhomat e veshura me plumb, banesën ku do të futej e s’do të delte më mysafiri i shumëpritur, por vdekjeprurës. Qysh tani lista e njerëzve që do të fillonin seancat e rrezeve, ishte e gjatë. Gra, burra, punëtorë, fëmijë, vajza, ministra, pensionistë, shoferë, heronj të punës socialiste, fshesaxhinj, artistë, ish-partizanë, shefa, zëvendësshefa, kryeqytetas, të ardhur nga rrethet, të ardhur nga zonat e largëta, do të uleshin përpara tij, të heshtur, të barabartë, duke pranuar shërbimin e tij të rrezikshëm”.

    Për këdo që ka lexuar këto pak rreshta, qoftë dhe i interpretuar në mënyrë letrare, – por shumë rigoroze në informacionin shkencor, – e ka kuptuar mirë që aparatura e kobalto terapisë është e rrezikshme në çdo kohë.

    Dhe kjo anashkalohet nga një mjek me 6 vjet studime në mjekësi të përgjithshme dhe 3 vite specializim…?

    Mirëpo të gjitha këto shkarkohen vetëm në kurrizin e pacientëve, ose të vetë mjekëve kur kthehen në pacientë. Sepse askush nuk ka imunitet nga asgjë. Ndaj duhet menduar si për vete, ose për njeriun tënd të afërt. Dhe nuk mund t’i bësh një pacienti vetëm gjysmën e dozës, me qëllim që të përfitosh ca para më shumë nga gjysma tjetër, me qëllim që të shkosh me pushime një një hotel me pesë yje dhe pishinë me ujë të ngrohtë.

    Skandali plasi dhe mjekët shkuan përpara trupës gjykuese. Se duhet ndëshkuar për mëkatet e bëra. Por se çfarë do të ndodhë në seancat e mëpasme askush nuk e di. Se nuk është çudi që nga të akuzuar të na dalin heronj, e duhet tu kërkojmë falje që u sollëm keq me ta.

    Dhe duke e ditur se drejtësia në Shqipëri ka problemet e veta, dhe një kriminel, del i pafajshëm, për çdo mjek duhet ngritur thirrja: mos kini frikë drejtësinë por Perëndinë! Se drejësia tӕ fal, por Perëndia jo.

    Për ta përmbyllur, ndërsa mjekësia në Shqipëri përballet me këto sfida të mëdha, është e qartë se kërkohen reforma të thella dhe të qëndrueshme për të përmirësuar situatën. Kjo përfshin rritjen e financimeve, përmirësimin e kushteve të punës për personelin mjekësor, modernizimin e infrastrukturës dhe një luftë të pakompromistë ndaj korrupsionit. Vetëm përmes këtyre masave mund të arrihet një sistem shëndetësor që i shërben me dinjitet dhe efikasitet të gjithë qytetarëve, ashtu në heshtje e të barabartë siç shkruar Kadare në romanin e tij.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit