22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Në Razëm, fshati turistik i ‘tana t’mirave’

    Nga Megi Iskurti

    “Eshtë një Vend ku gurët janë gri në boj’ të qiellit, por edhe në boj’ të detit. Varet si i bjen Drita. Guralecët për ato që kanë sy me pa janë tan ngjyra. Në fillim ishte Zjarr, mandej u zhyt në Ujë, e tash, asht Mal tan forma. Nga lart shihet Liqeni”… ky përshkrim nuk gjendet në vargjet e Fishtës, por në një paketë turistike që të fton të bëhesh pjesë e “andrrave” për Razmën, një qytezë në majë të malit, atje ku banon Zana e Veleçikut, të cilës i këndon Fishta.

    Tek i largohesh qytetit të Shkodrës dhe merr rrugën që gjarpëron ngjeshur në disa kthesa të dyfishta, e kupton se përse Razma, kjo portë hyrëse e Alpeve Shqiptare, është ndër piketat e kahershme të turizmit malor.

    Të parët që zbuluan këtë fshat turistik ishin të huajt atypari nga shekulli i 19-të por pavarësisht tablosë që ajo ka dhuruar ndër vite, banorë të zonës pohojnë për Gazetasi.al që Razma mbetet ende pak e kundruar.

    Megjithatë,dashurinë për natyrën Razma nuk ua kurseu kurrë malësorëve që i rriti, aq sa pasioni për turizmin malor bën që kapaciteti hotelier ndonjëherë të jetë pak i kufizuar përballë banorëve që zgjedhin ta vizitojnë atë.

    “Secila shtëpi në Razëm mirëpret banorë.Pas darkës këndohen këngë unike shqiptare”, kështu shkruan në shkrimet e saj që datojnë qysh nga viti 1909 Edit Durham, për zakonet e një tradite që  ende gjallon edhe sot.

    Ata pak struktura që janë, nuk të lënë vramendje nëse ushqimi do të jetë i mirë apo kushtet e dhomës të përshtatshme sepse shërbimi i denjë është ai çka tipizon Razmën.

    “Tana t’mirat”, përgjigjen kamarierët karizmatikë kur i pyet se çfarë ushqimesh ofrojnë, që nuk i servirin me shumë ojna dhe ceremoni ama humorin dhe buzëqeshjen nuk ta kursejnë në asnjë moment. Duan që ti të ndahesh përzemërsisht me ata që të pritën, të shtruan e të shërbyen.

    Familjet që jetojnë aty i kanë ruajtur ritmet e diktuara nga stilet e jetës rurale dhe baritore ndërsa syrit nuk t’i shpëtojnë dot pa u vënë re shtëpitë e braktisura në Razmën që shënon kufirin e 1000 metrave mbi nivelin e detit.

    “Razma ka afërsisht rreth 400 banorë por ndonëse kanë pronarë dhe zotër, prej vitesh aty nuk banojnë shumë njerëz. Shumica janë të hershme por megjithatë me arkitekturë të veçantë sepse mendohet që këto banesa ishin të tregtarëve të vjetër të Shkodrës që vinin këtu për të pushuar gjatë stinës së verës”, thotë për Gazetasi.al një banor i zonës që po kalonte andej tehu.

    Mandej shton se në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve, i cili zgjati aktivitetin e tij deri në vitin 1990.

    E në fakt, kur i sheh, nuk ke asnjë mëdyshje se ndërtimi i atyre banesave ishte gjeneza e historisë së Razmës turistike.

    Nga “Natyral Razma Resort”, Shirazi Kastrati, administrator i saj, rrëfen për Gazetasi.al se kushtet klimaterike kurative sidomos për të sëmurët me astmë, janë arsyeja kryesore se përse ai zgjodhi të ndërtonte atë resort dhe e nxiti atë të bëhej pjesë në këtë ingranazh të rëndësishëm të ekonomisë.

    Ai  ka guxuar herët që të përfytyrojë “qytezën e andrrave”, edhe pse atëherë nuk kishte rrugë të shtruar që të sillte këtu dhe nuk kishte as kulturë të turizmit malor. Por sot, ai beson se ia ka arritur. Më shumë se sa për të ndërtuar për vete një biznes të suksesshëm ia ka arritur të kthejë sytë e turistëve dhe të investitorëve të tjerë drejt Razmës.

    Kastrati shton se vitet e fundit është vënë re një trend rritës i vizitorëve që po drejtohen drejt Razmës ndaj dhe e sheh të nevojshme që të krijohen struktura të tjera hotelerie sepse jo pak herë është detyruar që të kthejë mbrapsht turistë për shkak se nuk i akomodonte dot.

    “Shqiptarët kanë filluar ta preferojnë dhe ta njohin turizmin malor, unë arrij të shoh diferencë në koncept nga ana e mentalitetit mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

    Shqiptarët e Kosovës të shtyrë edhe nga rrethana historike kanë patur mundësi ta njohin më shumë turizmin malor, ndryshe nga të Shqipërisë.

    Razma ofron shumë në këtë drejtim, hapësirë për ski, piknik, hiking”, thotë ai më tej për Gazetasi.al teksa tregon se kampionati i parë i skive në Shqipëri është mbajtur në Razëm.

    Ai thotë se numri i turistëve të huaj që po vizitojnë Razmën është rritur me 30% ku tregon se stina e verës dhe e dimrit kanë fluksin më të madh të tyre.

    “Në resortin tim jam munduar të ruaj detaje të Shqipërisë së hershme e të arkiteturës tonë të veçantë sigurisht duke iu përshtatur tipologjisë së zonës.

    Bedenat, dritaret tipike të malcisë, janë elemente që duhen ruajtur”, thotë më tej ai për Gazetasi.al tek shton se resorti i tij ka punësuar një numër të konsiderueshëm të banorëve të zonës që shërbejnë aty në drejtime të ndryshme.

    Fjalinë e mbyll duke thënë: “Na kena ça me u kallxu jo vetëm shqiptarëve por edhe botës.”

    Veshjet karakteristike dhe traditat

    Natyrë të bukur mund të gjejmë por veshje të tilla tradicionale rrallë se i hasim gjëkundi tjetër. Veshja e grave të Razmës përfaqëson veshjen më të vjetër dhe interesante sipas etnografëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë pellgun e Mesdheut.

    Xhubleta e tyre e cila ka detaje të qytetërimit të vjetër që daton katër mijë vjet më parë ka mahnitur të gjithë ata që e kanë shikuar nëpër muze e skena.

    Nëse takon banorët e zonës, e kupton kollaj që ata janë ngushtë të lidhur me traditat dhe festat e hershme që ende i ruajnë e festojnë me fanatizëm.

    Shen Prenja është një festë e cila daton më 26 korrik. Ajo që e bën interesante këtë festë është kur bijat vijnë dhe mbushin ujë në puset e Razmës. Ata janë plot 8 copë dhe konsiderohen si resurse të rëndësishme të ujit të pijshëm, i cili mbetet një problem serioz.

    Banorët shpjegojnë që kjo festë është shumë e vjetër dhe nga më të rëndësishmet. Është një ceremonail mitik, ku nuse të reja dhe bija, me enë të drunjta uji dhe vlagë shkojnë trumba-trumba tek puset dhe mbushin ujë. Tipari i kësaj feste mbart në vetve një tregues shumë domethënës, atë të shkurjes së bijave tek prindërit me ujë. Kjo tregon se zona ujin nuk e ka të bollshëm, përkundrazi e ka të pakët dhe të vyer, aq sa të mbart mbi vete elementin kryesor të festës.

    Eposi i Kreshnikëve vazhdon të kumbojë në këtë zonë.

    Shpellat në Razmë janë thesare gjeologjike dhe kanë në brendësi të tyre një biodiversitet sa të rëndësishëm aq edhe të brishtë.

    Shpellat kanë marrë shpesh emra njerëzish sepse secila prej tyre tregon nga një histori.

    Për shembull, banorët e zonës rrëfejnë se shpella e Llesh Marshit lidhet me një histori të madhe, rezistencën që banorët e këtyre zonave i bën vendosjes së komunizmit këtu. “Llesh Marshi është vrarë në rezistencë ndaj hyrjes së komunizmit në kryengritjen e Malësisë së Madhe në fillimet e vitit 1945”-tregon Kastrati.

    Megjithatë në këtë zonë jo pak shpella të tjera njihen si shpella e “Zanave” si për të dëshmuar se edhe në vetvete ka diçka në ato male, nga ajo magji e thukët që rrethrrotullohej tejpërtej.

    Mbrëmja bie shpejt në Razëm. Si çdo prarim,një ngrysje e thukët mbulon gjithë panoramën që të rrok shikimi.

    Dritat dhe zërat bëhen më të gjallë dhe fillojnë të llamburisnin mes pishave shtatmesme.

    Në ikje, mëngjesin e së nesërmes,gjithmonë ndihesh se një mirupafshim nuk mjafton, për Razmën që i përngjan një poezie të egër por me shumë ndjenjë…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit