Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha votoi në sallën “Gramoz Pashko” në selinë e PD-së për zgjedhjet e kreut të partisë, në një garë ku është vetëm emri i tij, pasi personat e tjerë që shprehën interes nuk u lejuan të kandidojnë.
Në një komunikim për mediat, Berisha e cilësoi procesin si shembullor, ndërsa iu bëri thirrje demokratëve që nuk kanë votuar deri më tani, t’i drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre.
“Së pari, përshëndes të gjithë demokratët që kanë janë votuar gjer tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor. Në një proces në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehin besimin, ose shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo dhe kundër tij.
Me këtë rast ftoj të gjithë demokratët e tjerë që nuk kanë votuar të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor, ndaj një procesi më demokratik që ekziston në të gjitha partitë moderne evropiane dhe botërore. Në një pjesë të tyre, se janë pakicë.”, tha Berisha.
Ai sulmoi edhe ish deputetin Ervin Salianji, i cili publikoi disa fletë votimi, në të cilën ishte shkruar emri i tij si një shenjë revolte për faktin se ai nuk u lejua që të kandidojë për kreun e partisë.
Duke e cilësuar si një përfaqësues të botës së krimit, Berisha tha se Salianji nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vend në selinë blu.
“Besoj se përpëlitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit nuk mundet me asgjë të përlyej këtë proces më demokrat në Shqipëri. Përfaqësuesit e krimit nuk kanë dhe nuk do të kenë kurrë vend në këtë parti.
Ndarja jonë me botën e krimit është ndarje për jetë a vdekje. Kjo është zgjidhje përfundimtare e jona. Asnjë njeri nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti fuqinë e krimit. Jo zero”, tha Berisha.



