spot_img
spot_img

7 arsyet, pse të punësuarit shqiptarë listohen si ndër më të pakënaqurit në Europë

spot_img

Punonjësit shqiptarë janë ndër më të pakënaqurit në Europë për kushtet e punës, të ardhurat, oraret dhe mjedisin social në vendin e punës. Ky është përfundimi i një studimi të fundit të Eurofound, projekt i Komisionit Europian, që analizon cilësinë e punës në vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Raporti vlerëson shtatë elementë kryesorë që ndikojnë në cilësinë e punës: të ardhurat, cilësinë e kohës së punës, perspektivën dhe sigurinë në punë, aftësitë dhe autonominë, intensitetin e punës, mjedisin social dhe mjedisin fizik.

Sipas studimit, të cilit i referohet Monitor, Shqipëria renditet ndër vendet me rezultatet më të dobëta në shumicën e treguesve, ndërsa vendet nordike si Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia raportojnë kushtet më të mira të punës në Europë.

Pakënaqësia më e madhe e punonjësve shqiptarë lidhet me të ardhurat. Shqipëria renditet në fund të listës europiane së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, me vetëm 53 pikë, nga 58 që është mesatarja europiane.

Raporti evidenton gjithashtu se 39% e punonjësve shqiptarë kanë vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin, niveli më i lartë në Europë dhe shumë mbi mesataren europiane prej 8%.

Edhe për cilësinë e kohës së punës, Shqipëria renditet e parafundit në Europë, me 64 pikë nga 75 që është mesatarja europiane. Treguesi mat kohëzgjatjen e orarit të punës, fleksibilitetin, parashikueshmërinë dhe kontrollin që punonjësit kanë mbi kohën e tyre.

Punonjësit shqiptarë raportojnë gjithashtu një mjedis social negativ në punë. Shqipëria renditet e parafundit në Europë për këtë tregues, duke lënë pas vetëm Malin e Zi. Raporti lidhet me marrëdhëniet me kolegët, drejtuesit dhe mungesën e sjelljeve negative sociale në vendin e punës.

Edhe për mjedisin fizik të punës, Shqipëria renditet ndër vendet më problematike në Europë, duke lënë pas vetëm Kosovën. Treguesi mat ekspozimin ndaj rreziqeve dhe kërkesave fizike gjatë punës.

Raporti evidenton gjithashtu mungesën e perspektivës dhe sigurisë në punë për punonjësit shqiptarë, si edhe intensitetin e lartë të punës dhe ngarkesën emocionale.

Megjithatë, një nga treguesit ku Shqipëria paraqitet më mirë lidhet me aftësitë dhe autonominë në punë. Punonjësit shqiptarë rezultojnë relativisht më pozitivë për mundësinë e zhvillimit profesional dhe përdorimit të aftësive të tyre, duke lënë pas disa vende të BE-së si Italia, Greqia dhe Portugalia.

Studimi i Eurofound bazohet në mbi 36 mijë intervista të zhvilluara në 35 vende europiane dhe realizohet çdo pesë vjet, duke u konsideruar si një nga instrumentet kryesore për matjen e kushteve të punës dhe mirëqenies së punonjësve në Europë.

Lajmet e fundit