9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nuk mjafton që e degraduan, PS e PD “sherr” edhe për ndarjen e “tortës” në Këshillin Drejtues

    Shpallja e dy vendeve të reja vakante për anëtarë në Këshillit Drejtues të RTSH-së nga Kuvendi ka rikthyer debatin e hapur mes palëve politike për të dërguar njerëzit e tyre në drejtimin e televizionit publik.

    Nga Blerina Gjoka

    Përfaqësues të shumicës dhe pakicës parlamentare në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, pranuan haptazi të mërkurën politizimin e Radio Televizionit Shqiptar duke kërkuar përfaqësim politik në Këshillin Drejtues të këtij institucioni publik.

    Opozita këmbënguli që dy anëtarët e rinj që do të zgjidhen në këtë këshill t’i takojnë asaj, pasi nuk i është dhënë mundësia e përfaqësimit për shkak të mungesës në Kuvend gjatë legjislaturës së shkuar.

    Edhe pse ligji ia njeh të drejtën e propozimit të kandidaturave shoqatave të medias, universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile, mënyra e përzgjedhjes i ka lënë në dorë politikës të bëjë pazaret e saj.

    Deputeti socialist Petro Koçi, si drejtues i mbledhjes, njoftoi se bëhej fjalë për dy vende vakante që sipas tij, i takonin njëri shumicës dhe tjetri pakicës parlamentare.

    “Kemi dy vende vakante në këshill, Petrit Ruka i ndarë nga jeta, i propozuar nga mazhoranca dhe Thanas Gogo që ka dhënë dorëheqjen i propozuar nga pakica,”- tha ai.

    Por deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi kërkoi që të dy vendet t’i lihen opozitës, si balancim pasi sipas tij 8 anëtarët aktualë në këshill i kishte zgjedhur mazhoranca.

    “Këto dy vende janë përfaqësues të mbrojtur e të mbështetur nga pakica dhe nga shumica apo profesionistë që i nënshtrohen një procedure të rregullt?” pyeti Boçi, ndërsa kërkoi që të kishin një konsensus si në rastin e AMA-s.

    Boçi kërkoi që të bëhej një analizë se kush i ka mbështetur anëtarët aktualë të KDRTSH-së, duke pretenduar se PD ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarët e rinjë.

    “Pse duhet ta ndajmë një shumica e një pakica, le t’i marrë të dy pakica sepse ne nuk kemi qenë në parlament, nuk kemi përfaqësues të mbrojtur,” tha ai, duke e cilësuar si të drejtë të opozitës.

    Të njëjtin qëndrim mbajti dhe deputetja tjetër e PD-së, Ina Zhupa, e cila e cilsoi “të kapur nga mazhoranca” KDRTSH-në.

    “PD ka qenë e qartë në procesin e përzgjedhjes së KDRTSH, që në krye të herës kur u kthyem në parlament,” tha ajo, duke i kërkuar kolegëve socialistë që të pranohet me një “parim xhentëllmenësh” që dy anëtarët e rinj t’i lihen PD-së. “Sot KDRTSH është i kapur dhe përfaqëson në mënyrë të hapur vetëm mazhorancën,” shtoi Zhupa.

    Petro Koçi u përgjigj se nuk mund të zgjidhej dot çështja e procedurave të ndjekura nga Kuvendi kur PD-ja ishte në bojkot, por ai shtoi se pretendimi i saj “në planin moral është një pretendim që vlen të dëgjohet”. Gjithsesi, Koçi e cilësoi krejt formal parashtrimin e bërë se dy vendet vakante ishin të caktuar një për PD-në dhe një për PS-në ,duke e shtyrë për momentin e përzgjedhjes së emrave debatin për mbështetjen politike të kandidatëve të rinj.

    Opozita gjithashtu shfaqi rezerva për mënyrën si ka funksionuar Këshilli Drejtues i RTSH-së, duke e konsideruar në shkelje të ligjit zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm.

    Vakancat në këtë këshill janë kthyer gjithmonë në përplasje politike, edhe pse ligji i kërkon televizionit publik që të jetë i paanshëm politikisht në punën e tij. Në maj 2021 u plotësuan katër vakanca, të zgjedhura në një parlament të dominuar nga mazhoranca socialiste dhe një opozitë parlamentare e kontestuar pas largimit të PD-së nga Kuvendi.

    Edhe Bordi i Autoritetit të Medias Audiovizive iu nënshtrua një përzgjedhje tërësisht politike të kandidaturave të ardhura në këtë komision. Me procedurën e eleminimit PS dhe PD lanë në listë emrat e tyre të preferuar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit