2.5 C
Tirana
E diel, 10 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Prostuticion mediatik

    Nga Rudina Bakalli

    Në vjeshtën e vitit 2003, RTSH nën drejtimin e Adi Krastës nisi “Ethet e të Premtes Mbrëma”, një program që mbërtheu vëmendjen dhe zemrën e shqiptarëve anembanë botës. Ky program zgjati 3 vjet dhe nxori në pah disa nga zërat që edhe pse të rinj, bën histori në muzikën shqiptare si Anjeza Shahini, Luiz Ejlli, Elvana Gjata etj. Ethet kishin zbuluar gjithashtu etjen e të rinjve shqiptarë për të qenë protagonistë në skenë aq sa programet në kërkim të talenteve të reja fituan një terren të ri dhe popullaritet të gjerë.

    Në vjeshtë të 2011, një tjetër televizion kombëtar, Top Channel, do të niste një program të ngjashëm por nën ombrellën e një patente të njohur ndërkombëtare. “The Voice of Albania” do të mbërthente pas ekranit shqiptarinë. Vetëm një vit më vonë, TV Klan, rival i Top Channel, do të synonte rimarrjen e terrenit televiziv duke sjellë një tjetër patentë të njohur ndërkombëtare si ai i “X Factor”. Këto programe u pasuan nga Gjeniu i Vogël dhe The Voice for Kids etj.

    Pavarësisht çështjeve etike që mund të ngrinin këto programe në fushën e identitetit të konkurentëve si për shembull mesazhi që një titull i pafajshëm në dukje si “Ti vlen” përcjell për vlerën e vërtetë të një qënieje njerëzore, apo meritokracisë në garim, në thelb sollën një kontribut të madh duke siguruar një plaftormë në zbulimin e zërave të rinj, disa prej të cilëve janë ende shumë të dashur për publikun shqiptar.

    Ethet e Dashurisë

    Si pa kuptuar, ethet e muzikës apo talenteve u zëvendësuan nga reality show që në thelb kanë fenomene sociale dhe si mision të vetëshpallur gjetjen e dashurisë. Siparin e garës në mos gaboj e hapi Përputhen në Top Channel në 2019, për t’u pasuar nga Love Story dhe më pas për të evoluar në Kepin e Tundimit dhe së fundmi pas suksesit të Big Brother VIP Albania në 2022-2023 me një artileri të rëndë nga rivali Klan me Ishulli i Dashurisë.

    Të jem e sinqertë nuk e kam ndjekur Përputhen, sepse edhe ato pak puntata që më dilnin në orarin e pasdites në ekran, kur jam përpjekur të kuptoj çfarë ka kapur vëmendjen e shqiptarëve, më janë dukur si një gjellë e palezetshme.

    Love Story, edhe pse i ardhur në një variant më të sofistikuar dhe jo aq vulgar sa Përputhen, prapë ishte një pjatë tjetër ku autorët edhe pse i kishin prerë dhe servirur pak më fine përbërësit, të gërditej e përzihej.

    Kepin e Tundimit as kam marrë mundimin ta shoh as një sekondë të vetme, dhe dalldia e Ishullit të Dashurisë që sapo ka filluar është edhe më e frikshme për shkak të përmbajtjes që po servir tek të rinjtë tanë.

    Këto formate janë të ndërtuara mbi një themel të shtrembëruar komercial të dashurisë. Edhe pse nuk ka asnjë gjë të keqe që dy të rinj të njihen, ambienti ku kjo ndodh nuk është i shëndetshëm, madje është i frikshëm dhe tejet shqetësues. Efekti klikim dhe fitim justifikon mënyrën. Përveç kësaj ka një bullizëm të sofistikuar që ushtrohet ndaj shqiptarëve edhe nga opinionistët që jo rrallë masakrojnë audiencën ( por edhe ndonjë pjesëmarrës) nën justifikimin se është një shoqëri tribale dhe mendjembyllur. Efekti tjetër është tjetërsimi i të rinjve të cilët i jepen presionit për të mos u ndjerë të përjashtuar, aq sa kur sheh prezantimin e tyre dhe përshtatjen e kompromiset që bëjnë gjatë rrugës për të fituar çmimin e madh, të vjen për të qarë me mungesën e respektit për veten dhe cektësinë ku kanë vendosur të bëjnë pllaq plluq!

    Përputhësat dhe Ishullorët tanë

    A e keni vënë re se gati 90% e pjesëmarrësve të këtyre formateve janë emigrantë shqiptarë në meso moshë të larguar nga Shqipëria kur ishin fëmijë, apo fëmijë emigrantësh të lindur e rritur andej?

    Çfarë më tregon kjo për kulturën shqiptare dhe suksesin e vërtetë të këtyre programeve? Edhe pse në dukje ka një shikueshmëri të lartë dhe rritje të profileve të instagrameve të pjesëmarrësve, ka një pjesëmarrje më të vogël të vendasve ndoshta për shkak të paragjykimit dhe opinionit që ende ka ndikim në Shqipëri.

    Megjithatë rubrika si Historia ime ose Shihemi në gjyq apo Me zemër të hapur në TV Klan dhe News 24 në të cilat njihemi me histori shumë të trishta dhe dramatike, si edhe skandale familjare, më bëjnë të mendoj se opinioni dhe paragjykimi nuk janë domosdoshmërisht faktorë që frenojnë të rinjtë shqiptarë vendas të marrin pjesë në këto formate. Kz do të ishte ndoshta një studim me interes për sociologët apo drejtuesit shpirtërorë. Ajo që mund të them nga këndvështrimi im është se niveli i kompromisit për të performuar që të kënaqësh audiencën merr përmasat e një prostitucioni televiziv. Të bësh presion ashtu si opinionistja Zhaklinë Lekatari bënte në edicionin e Big Brother VIP Albania duke thënë me forcë që donte të shikonte seks në Big Brother VIP Albania, për mendimin tim është prostitucion televiziv.

    Atëherë çfarë i shtyn këta të rinj të bëhen pjesë e këtij fenomeni kaq të pashëndetshëm dhe të dëmshëm? Cila është nevoja e tyre?

    Të rinjtë e rritur në emigracion i përkasin asaj që quhet kultura e tretë (third culture). Një fëmijë i rritur në kulturën e tretë ka një sfidë me identitetin pasi ata ndihen pa shtëpi në atdheun e tyre dhe pa shtëpi në tokën pritëse. Nuk kanë lidhje të forta kulturore me asnjërin nga “atdhetë” e tyre prandaj mund të shkelin kufijtë kulturorë nga të dyja anët pa e ndjerë tamam efektin e asaj që po bëjnë. A e keni vënë re për shembull sa pa problem mund ta thuash një fjalë të papërshtatshme në një gjuhë të huaj kur nuk ia di kuptimin? Ajo fjalë bëhet e vështirë për ty në momentin që mëson çfarë kuptimi ka. Kjo me shumë gjasa përkthehet edhe në sjellje të caktuara të cilat për ty janë si një gjuhë e huaj, ti i shkel dhe nuk ndjen gjë sepse nuk kanë të njëjtën peshë për ty.

    Këta të rinj gjithashtu e shohin pjesëmarrjen në këto formate si një trampolinë për t’u kthyer në atdhe në botën e medias apo të influencës që sigurojnë rrjetet sociale. Në thelb nëse dështojnë nuk kanë asgjë për të humbur, mund të kthehen në atdheun e tyre të dytë e të vazhdojnë jetën e tyre si më parë. Këta të rinj nuk po mendojnë si të bëjnë më të mirë vendin e tyre mëmë, të cilin në fakt nuk e shohin si vendin e tyre, por më shumë si një destinacion i largët pushimi ku mund të çmallen me të afërmit e pastaj të kthehen në vendin ku kanë krijuar jetën e tyre.

    Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me gabime naive gjuhësore, por me kompromise për të pranuar dhe përfaqësuar një model të shtrembëruar të dashurisë që për hir të së vërtetës të kujton ndonjë fermë mbarështimi të kafshëve duke shkëmbyer çiftet me shpresën se kush e di çfarë race po na del në fund të programit.

    Njeriu nuk është vetëm një qënie biologjike. Ai është trup, shpirt, zemër. Dashuria e vërtetë ngjizet dhe mbruhet në këtë trekëndësh dhe është e shenjtë. Çdo lloj trekëndëshi tjetër është si një zjarr i ndezur jashtë vatrës, dëmet e të cilit mbase nuk ia shohim që nga fillimi. Mjafton të kujtojmë se si një nga zonat më të bukura të Hauajit, Maui u dogj nga një shkëndijë zjarri. Apo për të mos shkuar shumë larg, të kujtojmë pallatin që u shkrumbua para pak ditëve në Tiranë duke lenë dhjetëra familje jashtë dhe një dëm kolosal. Populli ynë i mençur jo më kot thotë që nuk luhet më zjarrin. Por ne po luajmë dhe po argëtohemi!

    Qilimi i hedhur

    Para disa viteve kemi patur një qilim leshi me motive shqiptare, shumë të bukur. Për fat të keq kur ndërruam shtëpinë, nga padituria se si të kujdeseshe për një qilim të tillë, nuk u tregova mjaft e kujdesshme dhe e lashë për disa ditë në ballkon, ndërkohë që sistemonim gjërat. Ballkoni ynë ishte i hapur në atë kohë dhe e rrihte dielli gjithë ditën por edhe shiu. Në një nga ato ditë ra një shi me rrebesh dhe qilimi u lag keq dhe pastaj dielli i fortë që supozohej ta thante dhe largonte lagështinë dhe mykun e shkatërroi. Fijet ishin dëmtuar shumë keq dhe një pjesë e mirë u shqye teksa po e laja. Nuk mund të rithurej dhe as të riparohej dhe u hodh, gjë që më ka mbetur peng sepse ishte keq administrim i një gjëje me vlerë.

    Kultura është si një qilim me fije shumëngjyrëshe e modele të trashëguara përgjatë viteve. Ajo jo gjithmonë na servir modele të mira. Disa duhen rimodeluar dhe përshtatur. Disa duhen eliminuar. Por disa janë thelbësore. Dhe kur ti për qëllim përfitimi i ekspozon me sforcim dhe imponim ndaj agjentëve të huaj që janë të dëmshëm për të, ajo që shkakton është një dëm shumë i madh.

    Jeta jonë gjithashtu është si një qilim ku stilohet dhe ndërtohet mbi fijet bazë të cilat janë më të forta se të tjerat dhe mbajnë gjithë dizajnin. Nëse i shkatërrojmë këto fije bazë duke i zëvendësuar me fije në dukje moderne dhe premtuese por të dobëta, në fund do të kemi një qilim të shqyer.

    Dashuria është e vyer dhe lum kush e gjen. Por ajo nuk gjendet ne tregun e gjësë së gjallë as të shkëmbimit të çifteve në fund e fillim të çdo jave sikur të shkëmbeje një palë këpucë apo rrobë.

    Le të jemi të mençur dhe ta respektojmë jetën dhe dhuratën e rinisë, sepse jo të gjithëve u është dhënë!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit