24.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Qytetari i mbizakonshëm, i mbiligjshëm dhe i mbishtetshëm, me emrin Sali Berisha…

    Nga Viktor Malaj

    “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” – Kushtetuta e RSH, neni18/.

    Sanksionimi në Kushtetutën e RSH i parimit të sipërcituar është një gjë pozitive nga pikëpamja teorike humane dhe juridike. Një parim i tillë ka qenë i sanksionuar edhe në Kushtetutën e shtetit diktatorial të para 1990  (neni 40) si dhe në Statutin Themeltar të Monarkisë (neni 194). Mirëpo, cila është e vërteta praktike e zbatimit të këtyre parimeve, atëherë dhe tani?

    E vërteta praktike ka provuar pa kurrfarë mëdyshjeje se, si atëherë ashtu edhe pas vitit 1990, parimi i ëmbël kushtetues dhe human i barazisë përpara ligjit ka qenë dhe mbetet thjesht një përrallë mashtruese. Përpara ligjit kanë qenë dhe janë të barabartë të gjithë qytetarët shqiptarë, por ligji studiohet, interpretohet dhe zbatohet nga njerëzit e caktuar për këtë punë, nga prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit të drejtësisë.

    Realizimi i parimit të barazisë përpara ligjit është varur dhe varet nga ndërgjegjja juridike e ligjzbatuesit, nga integriteti i tij moral e profesional, por edhe nga raportet e qytetarëve me pushtetin, atë politik dhe ekonomik.

    Barazia e plotë përpara ligjit nuk ka mundur të realizohet plotësisht as në vendet më të zhvilluara dhe me histori shtetformuese shumë më të gjatë e të pasur se e jona, por tek ne niveli i trajtimit të qytetarëve nga drejtësidhënësit ka qenë dhe mbetet i vajtueshëm dhe dëshpërues.

    Nëse niveli i trajtimit të qytetarëve nga administratat shtetërore, qendrore dhe vendore, është larg së qeni humanitar dhe demokratik, mënyra e trajtimit të shtetasve shqiptarë nga organet e drejtësisë është alarmante, sepse shfaqet hera herës çnjerëzore, e turpshme dhe kriminale.

    Jo vetëm procesi i quajtur Veting, i cili konstatoi qindra raste prokurorësh e gjyqtarësh hajdutë e të korruptuar, por jeta e përditshme e shqiptarit të zakonshëm e ka ballafaquar atë me shkallën ekstreme dhe të papranueshme të padrejtësive të kryera në emër të ligjit dhe nga njerëzit e ligjit. Dëshpërimi i shqiptarit rritet nga dita në ditë kur sheh se sa butë, sa njëanshëm e privilegjueshëm trajtohen në Shqipëri njerëzit xhepaplotë dhe ata karrigelartë, se sa shpesh këto dy kategori njerëzish e shkelin ligjin dhe sa lehtë iu shpëtojnë pasojave dhe ndëshkimeve të merituara ligjore.

    Kur vërejnë këtë fenomen tragjik të përditshëm dhe, nga ana tjetër, shohin popullimin e burgjeve shqiptare me gjithfarë lloj ligjshkelësish xhepazbrazur, pushteti maksimal i të cilëve mbërrin deri në të drejtën e hedhjes së një fletëvotimi një herë në katër vjet, shqiptarët e thjeshtë neveriten nga Kushtetuta dhe ligjet, nga shteti dhe vendi i tyre dhe mendojnë braktisjen e tij.

    Shembulli më domethënës i mosndëshkimit të individit për shkak të pushtetit politik, i frikësimit dhe nënshtrimit të sistemit të drejtësisë ndaj tij, është rasti i Sali Berishës.

    Nëse deri në vitin 2016 ky sistem drejtësie dominohej nga Gjin Gjonët, pra nga njerëz të “kualifikuar” nëpër kurse gjashtë mujore me të cilët u tejmbush “drejtësia demokratike”, njerëz që ndiheshin borxhli kundrejt Babës që i mori nga hiçi dhe i vendosi në piramidën e pushtetit juridik, duke iu dhënë mundësinë e pasurimit nëpërmjet korrupsionit dhe, rrjedhimisht i ktheu ata në koracë mbrojtëse për “shefin e tyre të kuadrit”, po tani pse vazhdon ende kjo parodi antiligjore?!

    Shikoni me vëmendje sjelljen e Sali Berishës pas thirrjes nga SPAK dhe reagimin e këtij institucioni të veçantë të drejtësisë, dhe imagjinoni për një çast qytetarin e zakonshëm shqiptar, qoftë ai punëtor, fshatar apo intelektual, të vënë përballë institucioneve të drejtësisë shqiptare!

    Qytetari i zakonshëm, edhe nëse ndihet plotësisht i pafajshëm për një apo më shumë akuza zyrtare, fillon e shqetësohet, frikësohet dhe mërzitet, në mos për tjetër, për faktin se ballafaqimi me organet e drejtësisë do t’i marrë kohë nga jeta normale, do ta dëmtojë moralisht dhe do t’i kushtojë shpenzime financiare.

    Qytetari i jashtëzakonshëm, i mbizakonshëm, i mbiligjshëm dhe i mbishtetshëm, me emrin Sali Berisha ka guximin amoral dhe antiligjor e antikushtetues, t’i shpërfill organet e drejtësisë, t’i fyej e kërcënojë prokurorët e gjykatësit, të mbledhë bandën e vet politike dhe, përveç pushtetit politik, t’i shpallë luftë edhe pushtetit juridik.

    Madje, ai shkon edhe më tutje. Ndonëse i shpallur non grata “për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë” nga disa shtete perëndimore, ndonëse i njohur fort mirë nga shqiptarët si babai i kaosit, frymëzues, organizues e urdhërues i djegieve e zaptimeve të komisariateve të policisë dhe institucioneve qendrore shtetërore, si urdhërues i rrahjeve, burgosjeve dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë e gazetarëve, si manipulues dhe dhunues procesesh zgjedhore dhe marrjes me dhunë të pushtetit, ky qytetar i mbiligjshëm merr guximin të vetëshpallet shpëtimtar i Shqipërisë dhe Gjyqtar Suprem i të gjithë banorëve të këtij vendi që nuk mendojnë dhe sillen si ai, kryegjyqtar i moralit dhe i ligjit.

    A beson ndokush se ka një tjetër qytetar shqiptar, i cili, pasi ka marrë “dekoratat” politike nga Perëndimi dhe akuzat juridike nga prokuroria e vendit të vet, do të guxonte të shprehej siç bën ai:

    “PD zotohet se, së bashku me shqiptarët, do shpëtojë Shqipërinë nga kjo klikë e urryer që nuk ka ligj as moral, Kushtetutë dhe as të drejtë… Edi Rama është i tmerruar nga beteja pa kthim e opozitës… Larot e tij, kafshët e fermës oruelliane, gjykatësja kriminele, e shkarkuar nga Sali Berisha si keqbërëse për korrupsion, Gjoka. Prokurori xhelat i Sigurimit të Shtetit, Kraja që është larguar nga drejtësia me ligjin e lustracionit, iniciativë e Sali Berishës, që qëndron sot në detyrë si një zuzar, pa ligj dhe moral… i cili, bazuar në nenin 6 të Kushtetutës, e nxjerr jashtë shërbimi këtë kriminel… Prokurorja Enkelejda Millonai, e denoncuar dhjetëra herë nga Sali Berisha për lidhjet e saj me bandën e Elbasanit… Të dashur qytetarë! E shihni atë kriminelin aty (tregon Taulant Ballën)? Ai është një fundërrinë njerëzore që nuk njeh asnjë lloj kufiri dhe morali”?

    Pra, të gjithë ata që etiketon Berisha si kriminelë, janë të tillë, pikërisht pse i ka “gjykuar” ai, ndërsa ngritja e akuzave kundër tij nga sistemi i drejtësisë është një hiç, diçka që rrëzohet lehtësisht prej vetë atij, që “rrëzohet ” politikisht por refuzohet të rrëzohet juridikisht.

    Qytetari i mbizakonshëm, i mbiligjshëm dhe i plotfuqishëm, me emrin Sali Berisha, ka rënë nga qielli. Ai bën shiun dhe diellin, të ngrohtit dhe të ftohtit. Ai është apostulli i moralit në përgjithësi dhe peshuesi i moralit të çdo shqiptari në veçanti, gjyqtar, prokuror, politikan apo qytetar i zakonshëm qoftë ai.

    Ai ka skeptrin e Gjyqtarit Suprem, i cili jo vetëm nuk mund të akuzohet e gjykohet nga të tjerët, por ka edhe të drejtën e vendimit përfundimtar të gjykimit dhe shpalljes “kriminel, i pamoralshëm, i paligjshëm” të kujtdo që i del përballë.

    Duke u ndjerë i tillë, ky mbiqytetar shpërfill prokurorinë dhe gjykatën, nuk paraqitet as në gjyq kur thirret dhe as përpara Policisë Gjyqësore kur urdhërohet, përcakton vetë çfarë është kushtetuese dhe çfarë jo, a ka apo s’ka prova kundër tij dhe, në fund fare, premton kaos dhe dhunë. Dhe jo vetëm i premton, por edhe i realizon duke keqpërdorur një tufë figurinash politike të depersonalizuara.

    Burrat e shtetit, në Evropë dhe Amerikë, kur janë akuzuar dhe thirrur nga organet e drejtësisë, vërtetë kanë pretenduar se akuzat janë të sajuara nga kundërshtarët politikë, por kanë pajtuar avokatë dhe janë paraqitur në gjyq duke dhënë versionet e tyre dhe kundërshtuar akuzat.

    Ish-Presidenti Donald Tramp, i cili ka të ngjarë të rizgjidhet në zgjedhjet e vitit 2024, është paraqitur thuajse në çdo seancë gjyqësore ku është thirrur. Është e sigurt se, sikur të shpërfillte gjykatat e të mos paraqitej apo, larg qoftë, të bënte çfarë po bën Sali Berisha, do t’i kishte përfundimisht të pamundura gjasat e rizgjedhjes President, pasi pjesa gri e votuesve amerikanë do ta braktisnin një politikan që e shpall veten mbi ligjin, gjykatën e Kushtetutën.

    Pafajësia mbrohet duke paraqitur argumente juridike dhe jo duke përmbysur karrige politike, mbrohet duke paguar avokatë me integritet dhe jo duke yshtur e keqpërdorur deputetë pa dinjitet, mbrohet duke sjellë prova në gjyq që qartësojnë pathemelësinë e akuzave dhe jo duke hedhur tymuese në Parlament që mjegullojnë dhe diskreditojnë institucionin më të lartë përfaqësues të popullit.

    Në të vërtetë, grumbulli i karrigeve të përmbysura në sallën e Parlamentit nga Sali Berisha dhe banda e tij, simbolikisht, është shfaqja më përfaqësuese dhe ilustruese e mendësisë mesjetare, e moralit të vyshkur bashkëkohor dhe e gjithë sjelljes së tij mbi tridhjetë vjeçare, një pamje që shqiptarëve iu sjell ndërmend kaosin dhe dhunën e tij në fillim të viteve ’90 derisa erdhi në pushtet, kaosin e vitit 1997, dhunën dhe rrëmujën e 14 shtatorit 1998 dhe sulmin me hunj, leva e mjete të tjera që ai dhe çeta e tij shpellore ushtruan kundër selisë së PD-së për ta marrë me forcë 2 vjet më parë.

    Në mbrojtje të tij, në vend që të viheshin avokatët më të mirë, janë vënë politikanët më të këqinj dhe disa shërbëtorë pa mend e moral në mediat shqiptare, siç është rasti i një drejtuesi karagjoz të një emisioni televiziv, i cili bënte thirrje që Berisha dhe klani i tij të asgjësonin prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes që trajton dosjen “Kompleksi Sportiv Partizani”.

    As më pak dhe as më shumë, këta zëdhënës dhe përfaqësues të së keqes, e konsiderojnë partinë politike dhe kapon e saj si një organizatë mafioze dhe Toto Rinë që duhet të ekzekutojnë cilindo prokuror apo gjykatës që “guxon” t’i përballë me drejtësinë, ashtu siç vepruan mafia siciliane në vitet ’90.

    Nëse shteti i sotëm shqiptar, veçanërisht organet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi, dhe sponsorët e instruktorët e saj joshqiptarë duan të na provojnë se parimi kushtetues “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” nuk është një përrallë e ëmbël mashtruese, por një e vërtetë inkurajuese, duhet që ndaj shtetasit pambarimisht mëkatar dhe ekstremisht të inkriminuar Sali Berisha të sillen si kundrejt çdo qytetari shqiptar.

    Një sjellje e tillë do të nënkuptonte dorëheqjen nga çështja e dy prokurorëve të SPAK dhe gjyqtares së GJKKO-së, paraqitjen prej tyre të kallëzimeve penale për mashtrim, shpifje dhe fyerje për shkak të detyrës të bëra nga shtetasi delinkuent me emrin Sali Berisha, ndërrimin e masës së sigurimit nga “detyrim për paraqitje”, në “arrest shtëpie” (pas miratimit në Parlament) dhe, në rast mosbindjeje, arrestimin e tij si çdo bandit tjetër.

    Mosha nuk është kusht ligjor dhe as duhet të shërbejë si pretekst apo alibi antiligjore për të mos iu treguar vendin përsëritësve në krim, mospërfillësve të ligjit e shtetit dhe ligjshkelësve të papenduar. Ka apo s’ka faj i akuzuari Sali Berisha, kjo është çështje që i përket vetëm gjykatës, por mospërfillja e drejtësisë dhe sjellja banditeske kundrejt institucioneve të caktuara me Kushtetutë për dhënien e drejtësisë duhet ndëshkuar dhe bërë shembull për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke filluar me pastruesit e plazheve e barinjtë e dhenve të katundeve e deri tek drejtuesit e shtetit.

    Dhe, meqë jemi këtu, edhe dy fjalë për minjtë e gjirizeve që, duke u fshehur pas kompjuterave, nuk lënë fyerje pa bërë ndaj çdo gazetari të gazetës Dita. Këto që thashë më sipër vlejnë edhe për Ilir Metën, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe cilindo politikan shqiptar për të cilin organet e drejtësisë kanë pasur apo do të kenë dyshime për vepra penale.

    Unë as kam pasur dhe as kam standarde dhe kritere të dyfishta apo të shumëfishta për individët, sidomos ata politikë. Çështja është që duhet të ketë një fillim ndëshkimi dhe këtë fillim duhet ta ketë “nderin” ta përurojë më i vjetri në politikë dhe në krim, Ati juaj shpirtëror dhe moral, Sali Berisha.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit