Kryeministri Edi Rama deklaroi në takimin me furnizuesit të thirrur sot për rritjen e çmimit të naftës se problemi më i madh sot nuk është kosto por mungesa e produktit.
Ai deklaroi se janë në bisedime me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara duke theksuar se kjo ishte arsyeja e takimit të tij me princin e kurorës.
Rama u shpreh se këto tre muaj bizneset në këtë sektor nuk do të kenë fitime ndërsa iu drejtua atyre duke shtuar se kjo është një periudhë e mirë për të larë mëkatet.
“Unë nuk jam ideolog i tregut të lirë apo i shtetit si fuqi diktuese në ekonomi. Besoj se liria është themelore dhe nuk i shkoj teorisë që shteti duhet të futet për të kontrolluar çmimet.
Por kjo është kohë lufte. Unë kërkoj angazhimin tuaj me hir. Ligji do ta bëjë këtë me pahir. Ju e dini më mirë se unë. Çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi.
Është mungesa e produktit. Gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet edhe në vende të tjera mund të sjellë në pikën që nuk ka naftë apo energji. Problemi jonë kur dalim në treg nuk është vetëm se çmimi është çmenduri.
Çështja është se nuk e gjen produktin. Nuk do administrojmë çmime arbitrarisht. Por do bëjmë transparencë të përditshme që njerëzit ta kuptojnë. Ministrja do flasë për rezervën faktike që duhet të jetë e garantuar.
Ndërkohë ne kemi nisur punën. Një nga arsyet kryesore pse vizituam princin e kurorës në Emiratet e Bashkuara ishte për të kërkuar një mundësi. Ishte kjo arsyeja pse ministrja e Jashtme vizitoi Arabinë Saudite. Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë.
Do dëshiroja shumë që këtë gjë ta bëjmë me një sens patriotik. Askush nga ju nuk rrezikon të humbasë atë që ka fituar. Por ka sot detyrimin për këtë periudhë që është. Nëse zgjat më shumë se tre muaj është situatë tjetër jo për ju por për të gjithë.
Për këtë periudhë kohe duhet ta ndani mendjen që do rezistoni dhe nuk do fitoni. Kjo është një mundësi e artë që të shpërlaheni nga mëkate dhe të ktheheni të fitoni sërish”, u shpreh Rama.